Vetëm pak minuta pasi iu bashkua grupit elitar të lojtarëve me nga 150 gola të shënuar për Liverpulin dhe ndihmoi skuadrën e tij të ruante kreun e renditjes së Premier Ligës, Mohamed Salah shpalosi ambicien e tij për të “fituar një turne” tjetër. Lojtari i ndeshjes në fitoren 4-2 të së hënës ndaj Njukasëllit, e zhvendosi tashmë vëmendjen tek fitimi e një trofeu që i ka ikur nga duart pas dy finaleve të humbura, teksa synon ta fitojë Kupën e Kombeve të Afrikës. Kapiteni i Egjiptit do të largohet së shpejti nga Britania e Madhe, për t’iu bashkuar shokëve të tij për turneun kontinental, që do të mbahet në Bregun e Fildishtë nga 13 janari deri më 11 shkurt. Ky turne fillimisht ishte planifikuar për verën e vitit 2023, por u shty për shkak të sezonit të shirave në vendin pritës në Afrikën Perëndimore.
“Do të thotë shumë të luash në përfaqësuese, – ka thënë Salah, duke vijuar: “Është një ndjenjë e mrekullueshme sa herë që futesh në fushë me fanellën e përfaqësueses së vendit tënd. Jam i lumtur që do të jem atje, i lumtur që luaj në turne. Dua ta fitoj këtë turne me Egjiptin. Në fakt kam dëshirë të madhe ta fitoj këtë vit.” Mohamed Salah ka qenë pjesë e Egjiptit në dy finalet e humbura afrikane, më 2017-ën si sulmues i ri dhe më 2021-shin si kapiten, teksa me lot në sy pa skuadrën e tij të humbiste përballë Senegalit pas 11-metërshve. Tani, si një lider i Egjiptit, Salah dëshiron ta fitojë këtë trofe, të cilin përfaqësuesja egjiptiane do ta rrëmbente për herë të 8-të.
“Këtë herë dua ta fitoj dhe të kthehem te Liverpuli si triumfues, pasi dy finalet e humbura ende me dhembin shumë”, – ka pohuar ylli i Liverpulit. Edhe pse mungesën e tij për shkak të Kupës së Afrikës, trajneri i Liverpulit, Jurgen Klop, e quajti një “katastrofë të madhe”, Salah nuk ka keqardhje për vendimin e tij. “Sigurisht, më jen keq që do t’i mungoj Liverpulit për një periudhë kohe, por unë ndiej detyrimin ta ndihmoj vendin tim, Egjiptin, për ta fituar këtë turne. Mbi të gjitha jam kapiten i Egjiptit dhe pas dy finaleve të humbura mendoj se ka ardhur koha për ta ngritur këtë trofe”, – ka përfunduar Mohamed Salah.