Partizani po kryesonte me dy gola diferencë deri në minutën 102′, por që në fund ndeshja në Elbasan Arena ndaj Erzenit u mbyll në barazimin spektakolar 3-3, me shijakasit që vijojnë ecurinë pozitive teksa nuk njohin humbje në pesë ndeshjet e fundit. Sfida nisi me gol për Erzenin që në minutën e tetë nga goli i Nonatos.
Reagimi i të kuqve ishte i menjëhershëm dhe pas pesë minutave rikthyen ekuilibrat nga Tedi Cara që realizoi një gol mjaft të bukur nga distanca duke mos i lënë asnjë shans reagimi portierit Xhika. Ndërkohë, shansin më të mirë për të kaluar në avantazh, Partizani e pati në minutën e fundit të pjesës së parë ku të kuqtë fituan të drejtën e një 11-metërshi pas kontaktit të Xhikës me Mensah. Nga pika e bardhë u paraqit Xhuljano Skuka, por sulmuesi gaboi shënjestër dhe e dërgoi topin mbi kuadrat.
Pjesa e dytë nisi me gol për Partizanin që ia doli të shënonte golin e dytë me anë të Arinaldo Rrapajt në minutën e 48-të. Shtatë minuta më pas, Skuka rikuperoi gabimin e pjesës së parë dhe pas një këmbëngulje të gjatë në zonën e shijakasve realizoi edhe golin e tretë të sfidës duke rikthyer qetësinë tek të tijtë.
Në minutat në vijim, ndeshja u ndërpre për disa minuta për shkak të reshjeve, dhe në kohën shtesë, Erzeni gjen golin e dytë me anë të Kadriut duke shkurtuar diferencat. Në vijim, faktor u bë VAR dhe Erzeni fitoi penallti me Kahrimanovic që ekzekutoi saktë nga 11-metrat për t’i dhuruar një pikë të artë të tijve. Pas këtij rezultati, Erzeni mbetet në vend të tretë me 21 pikë ndërsa Partizani është në vend të parë me 23 pikë, një më shumë se Tirana, por me bardheblutë që kanë një ndeshje më pak në llogari.