Monday, April 29, 2024

Nga: Martin DEDAJ* Besëlidhja kryesuese me objektiv fitoren në transertë me Albanët… – Intervistë me trajnerin lezhjan Dritan SMAJLI –

Lexo

Larg euforisë së fitores ndaj Valbonës, trajneri lezhjan ish futbollisti i njohur Dritan Smajli, ka vijuar normalisht stërvitjen me ekipin që drejton dhe është optimist për ndeshjen e radhës përballë Albanëve, duke e vlerësuar maksimalisht këtë transfertë, pavarësisht pozicionit ku ndodhet ky ekip. Smajli vlerëson impenjimin e lojtarëve të skuadrës dhe lojën në grup që ekipi “Besëlidhja” zhvilloj në përballjen ndaj Valbonës, si në veprimet ofensive ashtu dhe diefensive, gjë të cilën e kërkon prej të tijve edhe në ndeshjen e radhës, në transfertë ndaj Albanëve në Tiranë, ku shkon për të fituar, dhe vijuar ecurinë pozitive deri në realizim të objektivit. Në vijim intervista e tij e plotë.

Post fitoria me Valbonën, 39-vjetori i ditëlindjes tuaj, gëzim i dyfishtë dhe emocion i veçantë besoj?!

– Normalisht është e veçantë që ta festosh ditëlindjen me njerëz që ke punën dhe kjo gjithmonë është një gjë e mirë, pavarësisht se në darkë i bie që ta festosh me familjen. Kjo për mua ishte gjëja më e bukur, pastaj duke futur edhe ndeshjen që na buzëqeshi ne dhe që e merituam plotësisht, pastaj bëhen një, dy e tre gëzime njëkohësisht. Mendoj se çunat meritojnë gjithçka për atë që dhanë në fushë, pasi justifikuan besimin e klubit me në krye presidentin; justifikuan besimin e publikut futbolldashës dhe të emancipuar lezhjan; si dhe mundin dhe djersën e një faze parapërgatitore, filluar që me 3 Janar të këtij viti. Për këtë fitore, padiskutim meritën kryesore e kanë lojtarët, se faktorët e tjerë vijnë pas, pasi pa protagonistët, ne të tjerët i bie që të jemi kot. Kështu që çdo meritë i bie që të jetë e futbollistëve dhe vetëm e atyre, për të cilët vetëm fjalë të mira adresoj, por për asnjë çast të mos harrojmë se, kampionati nuk ka mbaruar. Përkundrazi ai vazhdon dhe do të jetë shumë i fortë dhe me rivalitet. Ndaj jemi të fokusuar 100%, tek ndeshja e radhës, me impenjim maksimal, njëlloj si për të gjitha ndeshjet, deri në fund të kampionatit.

Rikthehemi tek ndeshja me Valbonën. Ky ekip ka në përbërjen e tij futbollistë mjaft cilësor, por ballafaquar me atë çfarë ato dhanë në fushën e lojës, kishte një ndryshim të madh.

 

Thënë ndryshe nuk pamë atë Valbonë që duhej të ishte. Kjo për shkak të meritës së lojtarëve tuaj?

– E vërteta është se Valbona ka skuadër të mirë, ka emra dhe kualitete brenda. Unë e kam thënë dhe e ripërsëris se, edhe ndeshjen e parë që kemi zhvilluar atje, nuk e kemi merituar që ta humbisnim. Madje kemi merituar fitoren, pasi vetë drejtuesit dhe lojtarët e Valbonës, nuk u besonin syve, që e fituan atë ndeshje. Kjo do të thotë se ne kemi skuadër më të mirë dhe kjo nu han diskutim. Me këtë nuk dua të them se Valbona nuk ka skuadër të mirë, por duke marrë shkas edhe nga largimi i trajnerit apo ndonjë problem që mund të kenë patur, që për hir të së vërtetës, në një skuadër ndodhin, dhe mbi të gjitha epërsisë tonë gjatë gjithë lojës, bëri që ekipi i Valbonës të paraqitej ashtu siç dhe u pa. Pasi përballë nesh ata u sfumuan plotësisht. Për rrjedhojë skuadra që unë drejtoj e meritoj plotësisht fitoren, pasi e dominoi lojën plotësisht përkundrejt një ose dy rasteve të vetme që patën miqtë, të cilët u sfumuan totalisht për gjatë gjithë lojës.

Në optikn time të gjitha repartet funksionuan në harmoni të plotë, por reparti i mesëfushës bëri dallimin. Mendimi juaj?

– Në një skuadër mua personalisht nuk më pëlqen të flas me emra të përveçëm, apo reparte të ndara, se ka ikur ajo kohë që mund të ndash repartet në fushë. Pavarësisht se ne themi gjithmonë se, mesfusha është zemra e skuadrës, por e vërteta në këtë ndeshje ashtu ishte. Besëlidhja diti të sulmojë mirë në grup si skuadër e po ashtu të mbrohet në grup. Në futbollin e sotëm duhet që të sulmosh dhe të mbrohesh me gjithë skuadrën në grup, dhe kjo është meritë e çunave, që në ndeshjen me Valbonën e kryen mësë miri në gjë të tillë. Jam dakort me ju, që mesfusha ka qenë në lartësinë e duhur, sidomos Bruka me Markun, përfshi edhe Bardullën. Pasi ishin ato promotorët e ndërtimit të manovrës sulmuese por edhe të fazës mbrojtëse dhe për këtë i përgëzoj, se në fund të ditës ne kemi bërë vetëm detyrën. Të tjera na presin në të ardhmen.

 

Por dhe nga reparti i mbrojtjes erdhi goli, me kapitenin e skuadrës Dibra?!

– Padiskutim që po. Unë kam luajtur mbrojtës gjithë kohën, e ndoshta e kam më të lehtë që të merrem me prapavijën. Dhe për këtë i përgëzoj djemt se më janë përgjigjur në çdo moment dhe seancë stërvitore, se unë mundohem të merrem shumë me fazën mbrojtëse dhe sidomos me mbrojtësat personalisht, duke qenë se kam luajtur edhe vetë si mbrojtës, Unë i përgëzoj se nga dita në ditë dhe ndeshja në ndeshje, kanë ardhë gjithnjë e më shumë në rritje dhe më lënë të kuptoj, që kjo skuadër premton shumë në të ardhmen.

 

Rikthemi tek ndeshja e radhës përballë Albanëve. Një ekip i ardhur sivjet në kategorinë e dytë. dhe ka marrë vetëm një pikë në këtë kampionat, dhe këtë në transfertë përballë Murlanit, dhe sipas të dhënave që disponoj, ka luajtur shumë më mirë sesa skuadra vendase, madje mund ta kishte fituar ndeshjen, ju përballeni këtë javë me të?!

– Unë për çdo ndeshje të radhës që kam për tu përballuar, mundohem që të marr informacione. Për rrjedhojë edhe për këtë kundërshtar kam marrë informacione, dhe më rezulton se ka ndryshuar diçka tek kjo skuadër. Pra nuk është ajo skuadra e fazës së parë, me të cilën jemi përballuar në Lezhë. Ata mesa di unë i kanë marrë dy-tre lojarë, ndër ta edhe një lojtar tonin po themi, që është Dedaj, që unë e njoh personalisht këtë djalë dhe mendoj që ka një të ardhme të mirë. E thënë kjo se ato kanë ndryshuar, dhe ne duhet të jemi shumë herë më të vendosur dhe ta vlerësojmë kundërshtarin drejt ashtu siç është, dhe të japim maksimumin, ashtu siç dhamë me Valbonën, sepse tre pikë quhen njësoj si me Valbonën ashtu edhe me Albanët, kështuqë rëndësia e ndeshjes është njësoj.

 

Ka patur një sër kartonësh të verdhë përfshi dhe ju. Për ndeshjen me Albanët a keni ndonjë mungesë, për shkak kartonash apo dëmtimi?

Jo nuk kemi probleme të tilla. Deri tani e kemi skuadrën e plotë, përjashto Bardullën që ka një problem fizik që mund të rikuperohet, ndaj mendoj se skuadrën e kemi të plotë dhe jemi gati për përballjen e radhës, ditën e shtunë.

Rivaliteti në grup vazhdon. Është rikthyer me pretendime Iliria e Fushë-Krujës, është në garë Valbona, pa përmendur ndonjë ekip tjetër. Si e parashikoni garën, a do të jetë e fortë deri në fund?!

Padiskutim që po! Unë e thashë se kemi fituar një ndeshje dhe janë edhe nëntë të tilla në lojë. Kështu që kampionati nuk ka mbaruar. Edhe Fushë-Kruja është pas dere dhe pret gabimet tona, pavarësisht se ne e presim në fushën tonë pas dy javësh dhe e kemi mundur në fushën e saj. Mendoj se ndeshja me Ilirinë në Lezhë, do të përcaktojë shumë gjëra; – Skuadrën që është drejt katëgorisë së parë dhe skuadrat që do të jenë drejt Play-off-it. Kështu që ndeshja Besëlidhja-Iliria javën e ardhshme, do të jetë shumë vendimtare, por nuk duhet të harrojmë ndeshjen e ditës së shtunë (nesër), që duhet ta kalojmë me sukses se edhe ajo do të jertë një ndeshje e rëndësishme, “vlera” e të cilës është tre pikë, të cilën jam besimplotë se do ta fitojmë, dhe pastaj fillojmë e mendojmë për tu përgatitur ndeshjen me Ilirinë, një përballje tjetër me një rival direkt.

Kënaqësi komunikimi që patëm me ju dhe faleminderit për intervistën dhe ju uroj suksese në ndeshjen e radhës përballë Abanëve dhe në vijimësi gjatë gjithë kampionatit!

Faleminderit ju!

Martin Dedaj- Gazetar dhe komentator sportiv

———————-

Fotot ilustruese:

  1. Dritan Smajli, duke udhëzuar skuadrën gjatë ndeshjes.
  2. Alket Kruja dhe stoli i skuadrës Besëlidhje
  3. Smajli duke dhënë intervistë pas fitores ndaj Valbonës.  
- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img