Ekipi i Vllaznisë me trajner ish notarin kampion Kolë Shiroka vazhdon të surprizojë me paraqitjet shumë të mira që po bën në konkurimet kombëtare. Suksesi i radhës është ai i regjistruar në Maratonën Kombëtare të Notit e zhvilluar me pjesëmarrjen e ekipeve më të mira të vendit në Sarandë.
Ndonëse në kushte jo të mira stërvitore, gjë e cila mungon prej kohësh në qytetin e Shkodrës, Vllaznia ishte dinjitoze në garat e maratonës kombëtare. Krahas disiplinave të tjera, për t’u theksuar është konkurimi në kategorinë e fëmijëve ku ekipi i Vllaznisë ishte padiskutim më i miri duke u kurorëzuar me një fitore të dyfishtë, si ekip dhe si individë. Kjo falë, notareve të talentuara, Uerda Jahaj dhe Viki Tafrruku që në konkurimin individual pushtuan podiumin duke merituar, vendin e parë Jahaj dhe Tafruku në vendin e tretë.
Në podiumin e fituesit është ngjitur edhe trajneri Kolë Shiroka, duke marrë në dorëzim trofeun e ekipit më të mirë për kategorinë e fëmijëve. Një sukses ky i arritur falë përkushtimit maksimal që trajneri Shiroka bën në proçesin stervitor, i cili vjen pasi disa trofeve të tjerë të fituar në garat e mëparshme duke dhënë një garanci të plotë për rikthimin e nivelit të notit shkodran siç ka qënë vite më parë.
Për kategorinë e të rriturve, vendin e parë si ekip e meritoi Butrinti i Sarandës, ndërkohë që edhe si individë në vend të parë u rendit notari Ediliano Huna. Për kategorinë e femrave të rritura, vendin e parë e meritoi notarja Kaltra Meçaj e ekipit “Te Stela-Tiranë”.