Nuk kishte si të ndodhte ndryshe! Një karriere sportive e mbushur me plot rezultate pozitive, tituj kampion dhe rekorde kombëtare në vazhdimësi për shtatlartin e atletikës shqiptare, talentin shkodran Franko Burraj.
Një karriere, e cila ka brenda punën plot pasion edhe të trajnerit të tij Bruno Rrotani, ku përpos fitimit të disa trofeve si atleti më i mirë i kampionatit shqiptar është shoqëruar edhe me konkurimet plot dinjitet në kampionate Ballkanike, Europiane dhe Botërore.
Konkretisht, Franko Burraj është mbajtës i 3 rekordeve kombëtare, si dhe gjysmëfinalist në Kampionatin Botëror të Atletikës të vitit të kaluar.
E megjithatë, vargut të sukseseve të tij i mungonte pjesëmarrja në një Olimpiadë Botërore. Dhe, kjo nuk vonoi të vinte pikërisht në vitin 2024. Vetëm pak ditë më parë, Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar ka publikuar listën e pjesëmarrjes së delegacionit sportiv shqiptar për në Lojërat Olimpike, “Paris 2024”, ku talenti shkodran Franko Burraj figuron i dyti.
Ekipi Olimpik TEAM ALBANIA në Paris 2024
Shqipëria do të përfaqësohet me 8 sportistë në Lojërat Olimpike, që do të mbahen prej datës 26 Korrik deri më 11 Gusht 2024, në Paris.
Team Albania përbëhet nga 4 sportistë që kanë siguruar kualifikimin direkt, me Luiza Gegën në Atletikë, që do të garojë në 3000m me pengesa.
Mundësi Zelimkhan Abakarov do të garojë në stilin e lirë në peshën 57 kg, Islam Dudaev në mundje stil i lirë do të garojë në peshën deri në 65kg dhe Chermen Valiev në mundje stil i lirë do të garojë në peshën 74kg.
Team Albania ka siguruar edhe 4 ftesa, me Franko Burraj në Atletikë 100m, Manjola Konini në qitje, në disiplinat 25m pistol dhe 10m Air pistol, si edhe notarët Kaltra Meça 200m stil i lirë dhe Grisi Konxhaku 100m stil i lirë.
Prezantimi zyrtar i Team Albania dhe dorëzimi i Flamurit Kombëtar do të bëhen me 15 Korrik 2024.
Urime Franko!
Gaspër MARKU