Saturday, May 18, 2024

(Pas ndeshjes) Tirana 3-3 Laçi, trajnerët Shehi dhe Vukiçeviç analizojnë ndeshjen

Lexo

Redon Xhixha nuk mjafton për Tiranën. Sulmuesi i bardhebluve shënoi tre herë në portën e Laçit, por nuk u dha dot tre pikët kryeqytetasve, ndeshje që përfundoi 3-3.

Ishte pikërisht kjo ndeshja me më shumë gola e këtij sezoni në Superiore, me kurbinasit që pas 5 humbjesh radhazi, shohin një rreze drite në fund të tunelit, duke marrë një pikë pikërisht në “Selman Stërmasi” ndaj kampionëve në fuqi.

Mentor Mazrekaj zhbllokoi sfidën në minutën e 22-të, por vetëm pak sekonda më pas, ishte Xhixha që shënoi golin e barazimit dhe në të 37-ën u dha avantazhin bardhebluve.

Borysiuk barazoi shifrat në pjesën e dytë, duke ekzekutuar saktë një penallti ,por në të 75-ën ishte sërish Xhixha që shënoi për Tiranën, duke shkuar në kuotën e 10 golave të shënuar në vetëm 6 javë kampionat.

Kur dukej se Tirana po shkonte drejt një tjetër fitoreje, ishte Mentor Mazrekaj që ekzekutoi në mënyrë perfekte një goditje dënimi nga një distancë e konsiderueshme dhe topi përfundoi në rrjetë, duke bërë që Laçi të largohej me një pikë mjaft të vlefshme nga kryeqyteti.

Në fjalën e tij, në prononcimin e zakonshëm për Oversport, Shehi tha:

“Ishte ndeshje e vështirë, pavarësisht kundërshtarit në vend të fundit. Kemi bërë pak gjëra gabim, por e pësuam. Edhe ndaj Partizanit gabuam, por kishim përqëndrimin. Mund ta kishim mbyllur ndeshjen kur ishm 2-1, por disa lojtarë duhet të jenë më altruistë. Futbolli i tillë është. Duhet ta pranojmë rezultatin dhe të mendojmë për ndeshjen tjetër.

Goli i tretë? Nëse prisni gjykim në publik nga ana ime, s’do ta merrni kurrë. Do t’i shohim situatat me qetësi gjatë javës. Do të shohim në vijim.

3 gola? E thashë dhe pak më parë, mund të bënim më mirë. Kjo është ajo që na vjen më keq se në 3 javë s’kishim pësuar, por sot kundërshtari na shënoi 3 herë. E thashë pak më parë, kjo është situatë që ndodh dhe duhet ta përmirësojmë. Sa i përket Xhixhës, ka momentin e tij më të lirë. Disa lojtarë tjerë kanë dalë si ai para porte, por nuk janë të kthjellët. Edhe futbollistë të tjerë kanë pasur situata për të shërbyer apo për të shënuar.

Penalltia? Në situata të tilla, marrja e vendimit është në të qindtën e sekondit. Ndërhyrjet duhet të jenë shumë të sigurta. Nuk mund të bëhen ndërhyrje kur kundërshtari është me shpinë. Më vjen mirë që skuadra reagon. Kur rezultati s’është ku duhet, disa gjëra nuk shkojnë. Ka pasur disa gabime që mund të evitoheshin. Ia bëmë të lehtë kundërshtarit të shënonte 3 gola”, tha ai.

Pas ndeshjes Vukiçeviç deklaroi:

“Më pëlqyen shumë gjërat e ndeshjes së sotme. Mendoj se kjo do të jetë pika që Laçi do të kthejë.

Besimi dhe e ardhmja? Unë kam shumë besim te kjo skuadër. Luajnë lojtarët në ndeshje. Kam shumë besim. Gjëja më e rëndësishme që kam unë është ekipi dhe lojtarët e mi. Jam i sigurtë që ekipi do të përparojë shumë. Me Ujkën dhe Allën, do të jetë një skuadër tjetër. Po presim Shkurtajn. Pak nga pak ky ekip do të shkojë shumë larg.

Humbjet? Ndihemi mirë fizikisht dhe kjo më duhet. Akoma nuk kemi luajtur me lojtarët më të mirë që ne kemi. Sepse janë futbollistë që nuk kanë luajtur dhe nuk ishin mirë fizikisht. Por kanë kualitet të jashtëzakonshëm. Edhe për këtë arsye e kemi ndërruar ekipin pak nga pak. Derisa të jemi mirë fizikisht, ekipi do të jetë shumë mirë. Jam shumë i kënaqur për shumë gjëra, por për disa gjëra jo. Jam i kënaqur për këtë pikë në kryeqytet, për shumë gjëra të mira që kemi bërë, për shumë lojtarë që kanë luajtur shumë mirë sot. Kanë pasur një motiv që të mos humbin deri në fund që na kishte humbur në sfidat e shkuara. Ky ekip luan ndryshe me Ujkën në mesfushë. Kemi gjetur një modul tjetër loje. E dinim rrezikun e kësaj ndeshje. Duhet të dublonim krahët në mbrojtje. T’i jepnim më shumë liri Mazrekajt në sulm që të kishte kënaqësinë për sprintin e Adelekes. S’jam i kënaqur se ishim në avantazh dhe nuk ditëm ta kontrollonim. E kemi bërë skemën në stërvitje se si të mbroheshim ndaj tyre. Një lojtar më shënoi 3 herë. Është hera e parë në karrierën time që një lojtar më shënon 3 gola. 2 prej tyre i bëri nga gabimet tona. Në shumë momente kemi humbur lehtë. Ishte një ndeshje shumë e mirë për tifozët tanë. E bukur për ta para. Për trajnerët e tjerë për të analizuar shumë gjëra”, tha ai.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img