Tuesday, November 5, 2024

“Pasion, punë e palodhur e strategji me objektiva të qarta!” Presidenti Duka tregon “sekretin” e rritjes së Kombëtares & futbollit shqiptar

Lexo

Armand Duka, tashmë Zv.Presidenti i UEFA-s dhe president i Federatës Shqiptare të Futbollit që nga viti 2002, është një nga lojtarët më të fuqishëm të futbollit europian.

Pas studimeve për ekonomi në Universitetin e Tiranës, ai punoi për disa vite si ekonomist.

Në vitin 1993 ai themeloi kompaninë e tij private AIBA, që zotëron pularinë më të madhe në tregun shqiptar për prodhimin e vezës.

Në karrierën e tij 30-vjeçare të deritanishme, ai është një nga biznesmenët më të suksesshëm në Shqipëri dhe ai që ndryshoi rrjedhën e futbollit shqiptar.

Në drejtimin e tij, Kombëtarja shqiptare ka arritur dy herë në fazën finale të Kampionatit Europian, në vitin 2016 dhe tani siguroi kualifikimin në Euro 2024.

Diçka që me siguri do ta kishin zili shumë federata të tjera më të mëdha.

Gjatë mandatit të tij presidencial, futbolli në Shqipëri ka përjetuar shumë suksese të rëndësishme, si ndryshime të mëdha në infrastrukturën e stadiumeve, ndërtimi i qendrave të reja stërvitore dhe selia e re e federatës.

Presidenti Duka foli ekskluzivisht për “Sportpress24” për kualifikimin e kombëtares shqiptare, ecurinë e futbollit të vendit të tij, vendimin e Gjykatës Europiane të Drejtësisë dhe padyshim fazën finale të Kampionatit Europian për moshën U-17 që do të zhvillohet në Shqipëri në vitin 2025.

 

– Si po shkojnë përgatitet e Kombëtares shqiptare dhe drejtuesve teknik për fazën finale të Euro 2024?

– Ne kemi nisur përgatitjet që pas ndeshjes kundër Çekisë, pasi pothuajse e kishim siguruar kualifikimin. Në planin organizativ kemi gjithçka gati, kemi përzgjedhur kampin bazë ku do të akomodohet ekipi ynë gjatë finaleve të Kampionatit Europian në Gjermani. Është një kompleks sportiv shumë i mirë në Kaiserau, shumë afër Dortmundit dhe Dyseldorfit, ku ne do të luajmë dy nga tre ndeshjet e grupit tonë.

Kompleksi ofron kushte shumë të mira, ka shumë eksperiencë në pritjen e ekipeve të futbollit, ka pritur me parë ekipet kombëtare të Gjermanisë, Brazilit, Spanjës, Bregut të Fildishtë apo klube si FC Bajern Mynih, Real Madrid, FC Liverpul, FC Porto, Borusia Dortmund, Shalke 04, Valencia, Atletik Bilbao, Udinese, Legia Varshavë, Borusia Mënshengladbah, Verder Bremen, RB Lajpcig, Eintraht Frankfurt, Volfsburg, Union Berlin, Fortuna Dyseldorf, Roda Kerkrade, Standard Liezh, Los Anxheles Galaksi, SC Paderborn, Shtutgart, Hamburger, Bohum, Arminia Bielefeld dhe Dinamo Dresden.

Gjithashtu kemi programuat katër ndeshje miqësore, dy në muajin mars e dy në qershor para fillimit të turneut.

Në planin psikologjik po përpiqemi të përgatitemi dhe kjo është më e vështira për ne pasi nuk kemi shumë eksperienca në turne të tillë, e shorti na ka vënë përballë me ekipe që kanë shumë më shumë eksperienca të tilla.

– Cilat janë pritshmëritë tuaja për Kombëtaren shqiptare në këtë turne madhor ndërkombëtar?

– Mezi pres që lojtarët, stafi e tifozët ta shijojnë pjesëmarrjen në Euro, të shijojnë suksesin e tyre. Futbollistët nuk duhet të kenë asnjë lloj ngarkese, ata e kanë bërë detyrën na kanë bërë krenarë me pjesëmarrjen në Euro, atë që nuk e kishim provuar e shijuar kurrë në histori po e shijojmë për herë të dytë në harkun e tetë viteve.

Ne nuk duhet të bëjmë asgjë më shumë se sa kemi bërë në ndeshjet kualifikuese, impenjim maksimal, frymë skuadre, besim në skuadër e jo në vlera individuale, do të vlerësojmë çdo sekondë e minutë, do bëjmë më të mirën e do të synojmë të kalojmë grupin, dhe nëse arrijmë do të jemi të kënaqur, nëse shkojmë akoma më larg do të lumturohemi. Por për një gjë jam shumë i sigurt, që tifozët tanë do e “skuqin” Gjermaninë, do na mbështesin pa kursim e kjo do të jetë një tjetër armë e fortë për skuadrën.

kobetarja sh

– Në grupin tuaj, keni kundërshtarë të fortë si Spanja, Italia dhe Kroacia. Çfarë prisni të arrini ndaj këtyre rivalëve?

– Nuk vihet në dyshim që ky është një grup shumë i fortë, siç është etiketuar “Grupi i Ferrit”. Të treja skuadrat me të cilat do të ndeshemi, kanë vlera dhe nivele të padiskutueshme në futbollin europian, të cilat meritojnë respekt maksimal. Italia është kampionia në fuqi e Europës me një stil të veçantë futbolli, e cila gjithnjë llogaritet si favorite e kompeticionit. Kroacia është gjysmë-finaliste e Botërorit të fundit, me mjaft futbollistë të niveleve të larta. Spanja mbetet një ekip i traditës, e cila në këto dy dekadat e fundit, ka fituar shumë si kombëtare, por edhe ka qenë lart në nivele klubesh. Por edhe ne kemi bërë një sezon shumë të mirë kundër skuadrave jo të lehta si Polonia, Republika Çeke, Moldavia e Ishujve Faroe.

Jemi një skuadër e mirë, jo me shumë yje, por shumë të bashkuar e me shumë dëshirë.

Fitoret me skuadra të një niveli të lartë si Polonia apo Çekia, e rritën shumë skuadrën dhe kanë krijuar një besim të madh tek ne. Arritja e vendit të parë në grup, të cilin nuk e diskutuam për asnjë çast dhe në mënyrë të veçantë mënyra e lojës që zhvilloi skuadra, tregon se jemi rritur shumë. Respektojmë këdo, por edhe nuk kemi frikë nga askush. Do të përpiqemi të japim maksimumin dhe do të tentojmë kualifikimin.

– Cila është rëndësia e pjesëmarrjes së Shqipërisë në një turne kaq madhor të mirë si Euro 2024 dhe rëndësia që ka për futbollin shqiptar?

– Pjesëmarrja në kompeticione të mëdha si finalet e Kampionatit Europian apo Botëror, sigurisht që janë ngjarje të mëdha për ekipet kombëtare të vendeve të mëdha, e jo më, për një vend të vogël si Shqipëria. Në finalet e Europianit “Francë 2016”, ne morëm pjesë për herë të parë në një ngjarje kaq të madhe futbollistike. Ishte vërtet shumë emocionuese dhe u përjetua si e tillë, jo vetëm nga ne, ekipi dhe stafi. Por nga të gjithë shqiptarët, anë e mbanë botës.

Mund të them që, nga periudha e eliminatoreve të atij Europiani dhe në vijim, ekipi kombëtar dhe arritjet e futbollit në vend, janë përjetuar si ngjarjet më të rëndësishme dhe janë kthyer në festa për të gjithë kombin shqiptar. Mund të them se futbolli gjatë këtyre viteve ka rritur krenarinë kombëtare të shqiptarëve dhe me të drejtë.

– Si e promovoni zhvillimin e futbollit në Shqipëri dhe si ndikon ky sukses në sportin shqiptar?

– Asnjë sukses nuk arrihet në një ditë. Edhe Roma nuk u ndërtua në një ditë. Për më tepër në kohët e sotme. Kur ritmet janë shumë të larta dhe futbolli, duke qenë loja më e rëndësishme në botë, ka një vëmendje të madhe. Na duhet shumë punë për t’u ngjitur lart. Për të arritur rezultate në futboll duhet pasion, të punosh fort dhe fat.

Në rastin tonë janë dy të parat pasioni dhe puna e fortë dhe e programuar, me strategji e objektiva të qartë. Prej kohësh ne kemi hartuar dhe miratuar strategji për zhvillimin e futbollit në vend, që përfshin shumë elementë që ndikojnë në arritjen e rezultatit. Më të rëndësishmet kanë qenë përmirësimi i përditshëm i infrastrukturës, edukimi i stafeve, zhvillimi i futbollit të fëmijëve, etj. Të gjitha këto, kanë ndikuar në arritjen e rezultateve pozitive.

Kualifikimi për në finalet e Europianit “Gjermani 2024”, ka qenë një nga objektivat e strategjisë “Futbolli për Kombin”, të përgatitur e miratuar kohë më parë. Të qartë për vështirësitë, ne jemi përpjekur dhe kemi punuar fort ditë pas dite, për t’i realizuar ato. Padyshim që entuziazmi që sjell suksesi rrit më shumë vëmendjen dhe interesin për futbollin.

Kualifikimi na shërben shumë, që fëmijët tanë të kenë idhujt e tyre, shembujt për të ndjekur të cilët kërkojnë t’i ngjajnë futbollistëve të ekipit kombëtar.

Ky është objektivi ynë kryesor, ky është promocioni ynë kryesor, mesazhi që u japim fëmijëve tanë, punoni e stërvituni fort e bëhuni si futbollistët e ekipit kombëtar.

– Përgjatë viteve që keni qenë në postin e presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, çfarë keni ndryshuar?

– Shumë gjëra kanë ndryshuar në vend, kanë ndryshuar nga zhvillimet e kohës, por edhe nga politikat e strategjitë e FSHF. Nëse do kthej kokën pas e të kujtoj ditën e parë si president më duket si ëndërr. Në atë kohë nuk kishim institucion në radhë të parë, infrastrukturë të mjerueshme, nuk gjetëm strategji e nuk kishte projekte.

Sot jetojmë një realitet tjetër, FSHF është një institucion i konsoliduar, i programuar dhe i aftë të zhvillojë futbollin në vend, një institucion që të jep garanci për të ardhmen e futbollit shqiptar. Infrastruktura ka ndryshuar shumë, nga një vend që kishim pikëpyetje për zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtare në një vend që ka aftësi të organizojë çdo vit 10-15 turne kualifikues për kampionatet europiane të moshave, finalen e parë të historisë së UEFA Conference League dhe do të mirëpresim Kampionatin Europian U-17 të vitit 2025.

Nga një federatë që nuk kishte licencuar asnjë trajner, sot ka të drejtën dhe organizon kurse të licensuara nga UEFA për trajnerë të të gjitha niveleve nga Uefa C, Uefa B, Uefa A e Uefa Pro. Dhe jo vetëm këto, por shkolla e FSHF-së është një shkolle e mirëorganizuar e organizon trajnime për të gjitha specialitete që i shërbejnë futbollit si mjekë, fizioterapistë, etj.

Nga një federatë që organizonte vetëm një kampionat të kategorisë së parë me 18 ekipe në një federatë që organizon 570 ndeshje futbolli në jave të të gjitha niveleve që nga 7-vjeçarët deri tek veteranët.

Dikur nuk mendohej që vajzat të luanin futboll. Sot jo vetëm luajnë, por kemi kampionate kombëtare të të gjitha moshave, ekipe kombëtare gjithashtu, madje kemi mundur edhe Greqinë me ekipin A.

Pra, po jetojmë në një epoke ndryshe e në një realitet të ri.

– Tani që jeni zgjedhur edhe në postin e Zv.Presidentit të UEFA-s, çfarë mendoni se duhet ndryshuar apo përmirësuar për të mirën e futbollit?

– UEFA është një nga institucionet më të mira dhe më demokratike në botë, që punon dhe investon shumë për të zhvilluar futbollin kudo, duke bashkëpunuar ngushtë me federatat anëtare. Thënë kjo, unë jam shumë krenar që u zgjodha në postin e Zv.Presidentit të UEFA-s dhe kjo është një arritje e madhe për futbollin shqiptar dhe për Shqipërinë.

Njëkohësisht është një detyrim akoma më shumë për besimin e dhënë, mbështetjen që më kanë dhënë, për t’ua shpërblyer me punë, për t’ua shpërblyer me rezultate dhe ndershmëri në të gjithë vendimmarrjen e organit drejtues.

Përveçse një organizatë solide, UEFA ka si objektivi menaxhimin sa më të mirë të të gjitha aktiviteteve sportive dhe financiare të saj, por çka është edhe më e rëndësishmja një organizatë që përmirësohet çdo ditë dhe e hapur për ndryshime në mënyrë që futbolli të jetë edhe më shumë gjithëpërfshirës dhe më pranë fëmijëve kudo.

Dhe këtë e ka treguar me vepra përmes programeve të zhvillimit apo ndryshimeve të formateve të garave për ta bërë më tërheqës futbollin, duke u përshtatur më së miri me ndryshimet dinamike që imponon koha.

Jam shumë i sigurt që qofte zhvillimet e mësipërme që përmenda për vendin tim, qoftë dhe shumë zhvillime në vende të tjera europiane, niveli ku është sot futbolli europian janë rezultat i politikave e strategjive të duhura të UEFA, janë mbështetja që i japim njëri-tjetrit. Dhe pikërisht këto dy parime nuk do të doja të ndryshojnë kurrë.

– Si e komentoni vendimin e Gjykatës Europiane të Drejtësisë lidhur me çështjen e Superligës Europiane?

– Nuk mendoj se vendimet e gjykatave duhen komentuar. Vendimet janë mundësi që u jepen palëve për t’u përmirësuar në mënyrën e hartimit të disa rregulloreve të brendshme. Nuk dua të përsëris atë që është thënë pra se ka një dallim të madh midis deklaratës për shtyp të GJEDNJ dhe vendimit në vetvete. Për vetë mënyrën si janë ngritur çështjet Gjykata duket sikur nuk ka pasur alternativë tjetër për t’u shprehur në vendim, kështu ndodh me çështjet e konkurrencës.

Personalisht mendoj se vendimi nuk është asgjë e re dhe se në fakt vetëm sa forcon atë çka UEFA dhe gjithë komuniteti i aktorëve të njohur të futbollit kanë shprehur si vlera: kompeticionet e hapura ku prevalon merita sportive dhe solidariteti përpara interesave financiare.

Një gjë duhet sqaruar për të gjithë, vendimi i GJED nuk jep “OK” për të aprovuar Superligën, pra nuk duhet keqinterpretuar ky vendim.

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img