Shkodran Mustafi te Vllaznia? Duket si një ëndërr, por disa rrethana të arsyeshme lidhën së fundmi emrin e 31-vjeçarit nga Gostivari me fanellën kuqeblu.
Mbrojtësi kampion bote me Gjermaninë në vitin 2014 ka disa muaj pa skuadër, ndërsa prania e babait të tij në Shkodër në krah të presidentit Alban Xhaferi gjatë ndeshjes Vllaznia-Kukësi, përforcoi zërat për Mustafin që mund të vishej kuqeblu. Madje, edhe vetë trajneri i shkodranëve, Qatip Osmani, kur u pyet për një mundësi të tillë, me përgjigjen e tij la gjithçka të hapur. Megjithatë, për të sqaruar gjithçka, dje foli ekskluzivisht për “Panorama Sport” vetë Kujtim Mustafi, babai i mbrojtësit. Shanset për një transferim te Vllaznia të shqiptarit që ka luajtur në klube të njohura në Europë si Everton, Sampdoria, Valencia, Arsenal, Shalke 04 dhe së fundmi Levante, duke se janë minimale.
“Unë shkoj në çdo stadium, por kjo nuk do të thotë se vete për të çuar djalin tim. Jam menaxher futbolli prej disa vitesh dhe kam lojtarë të tjerë që udhëheq. Nuk është se kam shkuar në stadiumin e Vllaznisë për Shkodranin. Natyrisht që mediat mund ta lidhin emrin tim me një transferim të mundshëm të djalit, por kjo është punë e tyre. Më shumë nuk kam se çfarë të komentoj”, ka thënë fillimisht Kujtim Mustafi.
Babai i mbrojtësit që luajti 20 ndeshje me fanellën e Gjermanisë, në deklaratën e tij për gazetën, nuk shmangu as notat e humorit.
“Tani i bie që babai i Shkodran Mustafit nuk duhet të shkojë më në stadium. Megjithatë, djali im do të vijë në Shqipëri për pushime”, theksoi duke qeshur menaxheri nga Gostivari.
Por çfarë do të bëjë Shkodran Mustafi pas gjashtë muajsh pa skuadër?
“Koha do të tregojë se çfarë do të bëjë Shkodrani. Do të presim edhe pak dhe do të vendosim”, deklaroi babai i lojtarit.
Ndërkohë, i pyetur nëse do të sjellë lojtarë të tjerë te Vllaznia, nisur edhe nga takimi që bëri me presidentin Xhaferi, Kujtim Mustafi u tregua diskret.
“Lojtarë te Vllaznia? Ju lutem, nuk dua të komentoj më shumë”.
KARRIERA E MBROJTËSIT Mbrojtësi shqiptar me origjinë nga Gostivari lindi më 17 prill 1992 në Bad Hersfeld të Gjermanisë. Pasi kaloi në të gjitha grupmoshat, Shkodran Mustafi luajti 20 ndeshje dhe shënoi dy gola me fanellën e Kombëtares A të Gjermanisë. Në vitin 2014 ai luajti për herë të parë me “pancerat”, ndërsa për herë të fundit u grumbullua në 2017-ën. Në vitin 2016 Arsenali pagoi për kartonin e tij te Valencia 41 milionë euro. Me “topçinjtë” luajti 102 ndeshje në Premier Ligë, duke shënuar edhe 7 gola. Por, në vitin 2021 do të niste edhe “disheza” për mbrojtësin e djathtë. Pas largimit nga Shalke në Gjermani, Mustafi firmosi me Levanten, por luajti vetëm 15 ndeshje në dy vite. Prej korrikut 2023, ka mbetur pa ekip dhe aktualisht është vetëm 31 vjeç.
Jorgis MEMO