Futbollisti Kavajas, Andi Lila, që përpos skuadrës së qytetit të Besa ka luajtur edhe për Tiranën, kombëtaren dhe jashtë vendit, ka një peng që nuk ka luajtur për Vllazninë. “Një nga pengjet e mia në karrierë është që nuk kam luajtur kurrë në karrierë me Vllazninë. Nëse do të kisha pasur oferta nga ky klub do të kisha luajtur me shumë dëshirë. Do të isha shumë i lumtur që Vllaznia të dilte kampione, humbjet njëra pas tjerës ndikojnë psikologjikisht.”, theksoi gjatë prononcimit të tij në emisionin “Procesi Sportiv” mbrëmjen e së hënës.
Ndërkohë, në vijim, duke folur në lidhje me problematikën e largimit dhe të rikthimit sërishmi të trajnerit, Lila, që tashmë është edhe në cilësinë e kryetarit të Sindikatës së sportistëve, tha: “Trajnerin duhet ta kenë frikë, respektin duhet ta fitojë me dijet e tij në fushën e lojës. Ndoshta mos është më mirë për Vllazninë që ta kishin ndryshuar trajnerin. Ky është mendimi im personal, mos ndoshta është ai ngërçi. Në këtë fazë të kampionatit duhen lojtarë me eksperiencë. Nëse do të ishin Gilman Lika, Shtubina, Sherri, do të ishin një vlerë e shtuar. Bëhet fjalë për boshtin e skuadrës”, deklaroi ndër të tjera Lila.