Peshëngritje-Akuzat e Erkand Qerimaj në Kampionatin Europian të Gjeorgjisë, reagim zyrtar i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes

Lexo

- Reklamë -spot_img

Reagim zyrtar i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes (FSHP)

Federata Shqiptare e Peshëngritjes e konsideron të papranueshme keqinformimin dhe deklaratat që cenojnë punën dhe integritetin e institucionit, si dhe përpjekjet e vazhdueshme për zhvillimin e peshëngritjes shqiptare.

FSHP rithekson se qëllimi kryesor i saj është dhe mbetet mbështetja e çdo sportisti që përfaqëson Shqipërinë, me synimin për të arritur rezultate sa më të larta në arenën ndërkombëtare, në të mirë të sportit dhe të vendit tonë.

Në lidhje me rastin e sportistit Erkand Qerimaj në Kampionatin Europian, sqarojmë se pretendimi që federata nuk ka reaguar është i pavërtetë. Presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes ka qenë në komunikim dhe konsultim të drejtpërdrejtë me drejtuesit e European Ëeightlifting Federation lidhur me situatën e krijuar. Po ashtu, trajneri i tij personal, z. Dritan Shpata, në mënyrë korrekte ka paraqitur një ankesë zyrtare duke apeluar për rishikimin e vendimit nga juria dhe duke mbështetur qartësisht sportistin e tij. Megjithatë, kjo ankesë nuk është marrë parasysh nga trupa gjykuese. Si në çdo kompeticion ndërkombëtar sportiv, vendimet përfundimtare merren nga gjyqtarët dhe juria, dhe janë të pakthyeshme dhe të detyrueshme për t’u respektuar nga të gjitha palët.

Sa i përket pretendimeve mbi fondet, FSHP garanton transparencë dhe përdorim të tyre në funksion të zhvillimit të sportit në të gjitha nivelet. Investimet nuk janë të fokusuara vetëm te brezi aktual, por edhe te ndërtimi i së ardhmes përmes mbështetjes së sportistëve të rinj që nga moshat e hershme. Federata ka përgjegjësinë të ndërtojë një sistem të qëndrueshëm dhe afatgjatë, që peshëngritja shqiptare të vazhdojë të evoluojë dhe të mos ndalet me përfundimin e një brezi.

Rezultatet e sportistëve të rinj janë prova më e mirë e kësaj qasjeje. Raste si ai i Enkileda Cares, e cila në moshën 18-vjeçare garon në skenën e të rriturve, së bashku me sportistë si Ertjan Kofsha, Samoel Rrasa, Antonino Mullisi, Maida Lozi, Kristi Ramadani, Franko Ferra dhe shumë të tjerë, tregojnë qartë potencialin dhe drejtimin e duhur të punës sonë. Vetëm gjatë vitit 2025, këta sportistë i kanë sjellë Shqipërisë plot 39 medalje ari në kampionate ballkanike, evropiane dhe botërore — një numër medaljesh që tejkalon së bashku arritjet e federatave të tjera. Kjo është bërë e mundur edhe falë faktit që FSHP është ndër të paktat federata që garanton pjesëmarrjen e sportistëve të saj në deri në 9 aktivitete ndërkombëtare në vit, për të gjitha grupmoshat.

Këta sportistë meritojnë mbështetje, stabilitet dhe mundësi reale për të ndërtuar karrierën e tyre.

Një tjetër element shumë i rëndësishëm për t’u theksuar është se asnjë sportist i këtij brezi nuk ka rezultuar pozitiv në përdorimin e substancave të ndaluara. Kjo është rezultat i një pune të vazhdueshme dhe të përgjegjshme nga ana e Federatës, e cila ka organizuar dhe vijon të organizojë seminare të shumta edukative për sportistët dhe trajnerët, me qëllim ndërgjegjësimin dhe respektimin rigoroz të rregullave anti-doping. Duhet theksuar se në vitet e kaluara çështjet e anti-dopingut kanë qenë një problem serioz, me një numër të konsiderueshëm rastesh pozitive. Pikërisht për këtë arsye, janë ndërmarrë masa konkrete dhe të qëndrueshme për të ndryshuar këtë realitet, duke sjellë një përmirësim të dukshëm dhe duke garantuar një brez sportistësh që garojnë me integritet dhe respekt të plotë ndaj rregullave ndërkombëtare.

Sportisti Erkand Qerimaj ka dhënë medalje për Shqipërinë dhe është vlerësuar maksimalisht si nga Federata, ashtu edhe nga shteti shqiptar duke marrë edhe gradë honorifike. Megjithatë, është fakt se ai është kapur si përdorues dopingu nga International Ëeightlifting Federation. Edhe pas këtij fakti, Federata dhe institucionet përkatëse janë përpjekur t’i japin suport të vazhdueshëm në përputhje me rregullat në fuqi.

Në momentin që flasim, ky sportist ndodhet në një moshë 38–39 vjeçare dhe në tre aktivitetet e fundit ndërkombëtare — Kampionatin Botëror të zhvilluar në Forde, Norvegji, Kampionatin Ballkanik të zhvilluar në Durrës, Shqipëri, si dhe Kampionatin Europian në Batumi, Gjeorgji ka dështuar dhe nuk ka arritur të kualifikohet në rezultatet përfundimtare, me përjashtim të stilit të shkëputjes në Batumi, ku realizoi vetëm një provë të saktë.

Për transparencë ndaj opinionit publik, është e rëndësishme të theksohet se performanca sportive lidhet drejtpërdrejt me përgatitjen, zgjedhjen e peshave dhe respektimin e strategjive të rekomanduara. Federata dhe trajnerët e tij kanë dhënë vazhdimisht sugjerime profesionale në funksion të rezultateve më të mira sportive, të cilat janë injoruar nga ana e këtij sportisti. Në disa raste, janë tentuar pesha përtej kapaciteteve reale konkurruese, të cilat nuk i shërbejnë rezultatit sportiv dhe as interesit të përfaqësimit dinjitoz të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, por lidhen me objektiva individuale financiare që nuk përputhen me prioritetet sportive dhe strategjinë e Federatës.

Në lidhje me promovimin publik, FSHP do të vazhdojë të promovojë arritjet e sportistëve shqiptarë, pasi kjo është në interes të drejtpërdrejtë të vetë sportistëve, klubeve dhe Shqipërisë. Rritja e dukshmërisë së tyre në arenën ndërkombëtare është një vlerë e shtuar që i shërben zhvillimit të sportit dhe përfaqësimit dinjitoz të vendit.

Federata Shqiptare e Peshëngritjes mbetet e hapur për bashkëpunim dhe përmirësim të vazhdueshëm, si dhe për çdo transparencë institucionale. Megjithatë, ajo nuk do të tolerojë deklarata të pavërteta që dëmtojnë imazhin e saj dhe të gjithë komunitetit të peshëngritjes shqiptare, dhe për këtë arsye do t’u drejtohet organeve gjyqësore për trajtimin e të pavërtetave të bëra nga ky sportist.

 

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img