Vllaznia do të ketë tre mungesa në transfertën ndaj Elbasanit, në sfidën e vlefshme për javën e dytë të Abisnet Superiore.
Kuqeblutë do të përballen të shtunën me Elbasanin në orën 18:30, por trajneri Edi Martini do të duhet të bëjë llogaritë pa tre futbollistë.
Një prej mungesave është Dylis, i cili u ndëshkua me karton të kuq në ndeshjen e parë të kampionatit ndaj Skënderbeut.
Për shkak të këtij ndëshkimi, Dylis nuk do të jetë i gatshëm për transfertën ndaj Elbasanit duke lënë një boshllëk në prapavijën e skuadrës shkodrane.
Mungesa e dytë është Kobiljar, i cili është larguar nga Vllaznia dhe për këtë arsye nuk është më pjesë e organikës kuqeblu.
Ndërkohë që, mungesa e tretë ka të bëjë me Erdenis Gurishtën, i cili vuan dënimin e dhënë nga Komisioni i Disiplinës pranë FSHF-së për konfliktin që pati me kapitenin e Egnatias Aleksi në ndeshjen e parafundit të “Final 4” të sezonit të kaluar.
Tre mungesa të rëndësishme për Vllazninë përpara një sfide që pritet të jetë e fortë dhe e luftuar.
Shkodranët e nisën sezonin me një barazim 2-2 ndaj Skënderbeut, në një takim ku kartoni i kuq i Dylis ndikoi edhe në vazhdimësinë e ndeshjes.
Tashmë stafi teknik duhet të gjejë zgjidhjet e duhura për të zëvendësuar mbrojtësin Dylis dhe për të riformatuar skuadrën për transfertën e Elbasanit. Objektivi i kuqebluve mbetet i qartë arritja e fitores së parë të sezonit.Nga ana tjetër Elbasani do të kërkojë të shfrytëzojë faktorin fushë dhe të marrë një rezultat pozitiv përpara tifozëve të tij.
Elbasani-Vllaznia, që do të zhvillohet të shtunën në orën 18:30 është një nga përballjet më interesante të javës së dytë të Abisnet Superiore.
Fatos LAMAJ


