Kupa e Shqipërisë, kompeticioni i dytë për nga rëndësia në futbollit shqiptar, rikthehet me datë 17 mars me turin çerekfinal. 8 skuadrat e kualifikuara në këtë tur, Vllaznia, Laçi, Partizani, Teuta, Kukësi, Skënderbeu, Dinamo, Korabi, janë njohur me kundërshtarët e tyre përmes shortit të hedhur sot në sallën e konferencave për shtyp të ambienteve të stadiumit “Air Albania”.
Me praninë e përfaqësuesve të klubeve si dhe të medias, përzierja e goglave ka përcaktuar katër çiftet çerekfinaliste të këtij edicioni të Kupës së Shqipërisë për sezonin 2020-2021. Nga të tetë skuadrat çerekfinaliste, duket se Vllaznia ka qënë skuadra më me fat në këtë short, pasi e ka përballur me Korabin e Peshkopisë, skuadër që luan në kategorinë e pare të futbollit shqiptar.
Ndërkohë, për rivalët e kuqebluve, shorti ka qënë i pamëshirshëm pasi ka përballur skuadrat e elites së kategorisë Superiore. Laçi-Partizani dhe Teuta-Kukësi, janë dy çifte mjaft të forta, të cilat konsiderohen edhe më të rëndësishmit e këtij turi, ndërkohë që çifti tjetër çerekfinalist është ai Dinamo-Skenderbeu. Siç është bërë me dije edhe më herët, bazuar në rregulloren e Federatës Shqiptare të Futbollit, edhe në këtë tur nuk do të ketë përballje me sistem vajtje-ardhje, por kualifikimi i njërës skuadër për në gjysëmfinale do të vendoset me vetëm një ndeshje. Që do të thotë se takimi Vllaznia-Korabi i vlefshëm për turin çerekfinal të Kupës së Shqipërisë do të luhet me datë 17 mars në stadiumin “Loro Boriçi”, në përfundim të së cilës do të mësohet skuadra që kalon në gjysëmfinale.
Çiftet e fazës çerekfinale të Kupës së Shqipërisë:
Vllaznia-Korabi
Laçi-Partizani
Teuta-Kukësi
Dinamo-Skënderbeu