Saturday, October 12, 2024

Shqipëria mbyll eliminatoret e Kampionatit Euro 2022, mundet në Portugali 1-0

Lexo

Kombëtarja shqiptare e femrave i ka mbyllur ndeshjet e saj për eliminatoret e Kampionatit Euro 2022 me humbje. Në ndeshjen e luajtur mbrëmjen e sotme në transfertë me Portugalinë ajo është mundur me rezultatin minimal 1 me 0. Të besuarat e trajnerit Grima nga minuta e parë në këtë sfidë ishin Rexhepi, Rrahmani, Hila, Curraj, Maliqi, Elezaj, Gjini, Levenaj, Doçi, Bajramaj, Hamidi. Një sfidë kjo që u përcoll drejtpëdrejtë në ekranin e Televizionit Shqiptar, e cila për hirë të së vërtetës duhet thënë se prezantoi një Shqipëri shumë dinjitoze.

Pas një pjese të parë që përfundoi me rrjeta të paprekura, 0 me 0, fraksioni i dytë i ndeshjes ishte edhe më i bukur. Kombëtarja shqiptare e drejtuar nga trajneri shkodran, Armir Grima luajti krejtësisht si e barabartë me skuadrën vendase, madje, në një pjesë të madhe të ndeshjes ishte edhe dominuese, gjë që u reflektua edhe me disa raste shënimi, ku ndër të tjera spikasin ato të dy futbollisteve kuqeblu Megi Doçi dhe Zylfije Bajrami.

Ndërkohë, edhe kombëtarja portugeze pati rastet e saj, por forma e shkëlqyer e portjeres Rexhepi nuk lejoi prekjen e rrjetes.  Pikërisht, në momentin më të mirë të skuadrës kuqezi, vjen goli në portën tonë.
Në minutën e 57-të është Ana Capeta që dërgon topin në rrjetën e Rexhepit pas një goditje të saktë me kokë. Portugalia 1 dhe Shqipëria 0, një rezultat ky që nuk përligj aspak atë që shfaqej në fushën e lojës. Ndaj, edhe pas pësimit të golit, tekniku Grima i kërkon skuadrës të hidhet e tëra në sulm në kërkim të golit të barazimit. Momente këto presioni në portën portugeze, kur kombëtarja jonë pretendon edhe për një penallti në favor të saj, por gjyqtarja e takimit nuk është e këtij mendimi. Preferencat e gjyqtares së ndeshjes ndaj ekipit vendas konstatohen edhe në akordimin e kohës shtesë, kur edhe pse në pjesën e dytë kishte 7-8 ndërrime, si dhe shumë dëmtime që ndërprenë ndeshjen, shtesa prej vetëm dy minutash nuk u pritë aspak mirë nga kampi kuqezi.

Gjithsesi, edhe pse u mund me rezultatin minimal 1 me 0 nga Portugalia vendase, kombëtarja e Shqipërisë u largua me kokën lart nga kjo ndeshje, por edhe me një përformancë pozitive në tërësi të eliminatoreve të Kampionatit Euro 2022. Në mbyllje të ndeshjeve eliminatore, Shqipëria renditet në vendin e parafundit të Grupit E me 6 pikë pas 8 ndeshjeve të luajtura. Dy fitoret, në shtëpi dhe në transfertë ndaj kombëtares së Qipros bënë që Shqipëria ta lërë prapa këtë skuadër, ndërkohë që përballjet dinjitoze në transfertë ndaj Skocisë dhe Portugalisë, edhe pse u humbën, kanë marrë vlerësime shumë pozitive nga organizatorët e eleminatoreve të Euro 2020, të cilët nuk kanë nguruar të vënë në dukje përmirësimin dhe rritjen e ndjeshme të nivelit të futbollit femëror në Shqipëri.

Gaspër MARKU

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img