Kreu i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, i cili njihet edhe si një tifoz i zjarrtë dhe mbështetës i madh i sportit, gjë që e ka treguar sidomos me basketbollin duke e bërë ekipin kampion absolut në Superligën shqiptare, ka mbetur i befasuar dhe zhgënjyer nga nisja jo e mirë e Besëlidhjes, e cila në dy ndeshjet e para të kampionatit pësoi dy humbje radhazi duke mos justifikuar investimet e mëdha të bëra së bashku me presidentin Pjerin Fushaj.
Kryebashkiaku Pjerin Ndreu ishte i pranishëm në tribunën VIP të stadiumit “Brian Filipi” të Lezhës duke ndjekur prej së afërmi sfidën, Besëlidhja-Korabi, e cila u mbyll 1-2 në favor të dibranëve.
I zhgënjyer me rezultatin, por me besim për kthesen e duhur dhe realizimin e objektivit, kualifikimin në Superligë, kreu i Bashkisë Lezhë, përcjell në rrjetet sociale, postimin në fjalë:
“Dy ndeshjet e para të Besëlidhjes ne futboll, ishin zhgënjyese. Investimit të bërë nuk i është përgjigjur përgjegjshmëria dhe impenjimi që kërkohet në fushë!
Nuk ka vend për dramë, por ka vend për reagim të menjëhershëm!
Me Presidentin Fushaj kemi rakorduar masat e nevojshme për ta kthyer ekipin te loja dhe rezultatet që presim.
Objektivi nuk ndryshon: SUPERLIGA!
Bashkia Lezhë do të vazhdojë mbështetjen. Tani është radha e ekipit të përgjigjet në fushë dhe me rezultate! “


