Saturday, May 18, 2024

Situata te Vllaznia. Gilman Lika: Keqardhje për largimin e Josës, por kam besim te dyshja, Miloti-Sinani për rikthimin e kuqebluve te rezultatet pozitive

Lexo

Ish kapiteni kuqeblu, Gilman Lika, sot trajner i suksesshëm i Vllaznisë U-17, kryesues i Superligës së moshave, ka abalizuar situatën në kampin kuqeblu. Ndër të tjera, ai e ka vënë theksin te mungesa e lojës nga kuqeblutë. Në prononcimin e dhënë për Panorama Sport, Lika shpreh keqardhjen për largimin e teknikut Josa, por në një situatë të tillë, kur mungojnë rezultatet e loja, gjithmonë trajneri është ai që ndëshkohet i pari. Ai është i mendimit se dyshja Miloti e Sinani duhet të mbylli këtë pjesë të sezonit dhe t’i besohet plotësisht atyre deri në fund.

A ka një shpjegim sipas jush, situata që po kalon Vllaznia?
Ne vlerësojmë atë që shikojmë nga jashtë, nuk i dimë gjërat e brendshme. Për mua, e kam theksuar edhe herë të tjera, problemi më i madh janë oshilacionet që ka pasur ekipi. Këtë e kam deklaruar edhe më herët, që tani duhen rregulluar këto probleme nëse duam të shkojmë më lart në tabelën e klasifikimit.

Çfarë ndodhi sipas jush në takimet e fundit?
Të jem i sinqertë nuk më ngroh loja në këto ndeshjet e fundit edhe pse mund te kemi marrë apo edhe pse u kualifikuam ndaj Partizanit në Kupë, por si lojë mendoj se ka çaluar shumë. Një ekip i mirë minimalisht në ndeshje duhet të krijoj raste për gol dhe të prodhojë lojë.

Si e shihni largimin e Josës?
Me vjen keq për profesor Mirelin, ndoshta nuk është komplet përgjegjësia e tij, por kështu ndodh me postin e trajnerit, kur nuk ecin rezultatet është ai i pari që e pëson.

A ishte në momentin e duhur?
Nuk e di të them saktë a ishte në momentin e duhur se në këto situata është thikë me dy presa. Mund të marrin për mirë lëvizje të tilla apo edhe e kundërta. Shpresoj shumë që të ndryshojë për mirë situata.

Sa do të ndikojë te skuadra një largim i tillë, sidomos në klimën e brendshme?
Ata janë djem të rritur dhe profesionistë. Nuk duhet të lejojnë që kjo situatë të ndikojë keq për ekipin. Gurishta i pari si kapiten duhet të mbledhë gjithë ekipin dhe të flasin gjithë bashkë për të ruajtur frymën e grupit apo për të zgjidhur ndonjë problem që mund të kenë mes tyre. Kjo gjithmonë nëse ka ndonjë gjë që shqetëson.

A do t’i besohet dyshes Miloti-Sinani apo drejtuesit duhet të shikojnë për të gjetur zëvendësuesin e Josës?
Më mirë se e njohin ekipin ata nuk e njeh kush tjetër. Kështu që mendoj se duhet t’u besohet atyre deri në fund.

A ka më shpresa Vllaznia për të pretenduar për titull apo duhet që të shikoj objektivin minimal, Kupat e Europës përmes kampionatit?
Të jem i sinqertë tani është pak e vështirë të flasësh për titull, duke u bazuar edhe te lojërat e fundit, megjithatë për derisa matematika e lejon dhe ne të gjithë si shkodranë shpresojmë që të bëhet një kthesë e madhe si në lojë ashtu edhe në rezultate. Mendoj që çdo ndeshje duhet ta konsiderojnë si finale. Ndeshja e radhës është ndaj Bylisit dhe gjithë përqendrimi duhet të jetë në atë ndeshje për ta fituar atë, e kështu me radhë deri në fund.

A mund të jetë Vllaznia sërish fituese e Kupës?
Pa diskutim që mund të jetë. Nëse të gjithë lojtarët japin maksimumin e tyre, atëherë pse jo të mos pretendojmë që të fitojmë si mos asnjë herë për të tretin vit me radhë trofeun e Kupës.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img