Friday, April 26, 2024

Sokol Kushta, ylli i përbotshëm futbollit tonë. I vetmi shqiptar i nominuar për “Topin e Artë”

Lexo

Nga: Prof.dr. Xhevdet Zekaj

Një nga ndeshjet më të paharrueshme të skuadrave shqiptare në Evropë është ajo e zhvilluar në prani të 40 mijë shikuesve, më 30 shtator të vitit 1987, midis Partizanit të Beogradit dhe Flamurtarit të Vlorës. Në Serbi ende shkruajnë ”Sokol Kusta, vrisak golla”, që në shqip do të thotë shumë qartë:” Sokol Kushta, britma e golit”. Kjo ndodh sa herë gazetat sportive serbe i rikthehen eleminimit të Partizanit të Beogradit nga turi i parë i Kupës UEFA nga ai “gol i shenjtë”, i shënuar nga Sokol Kushta në minutën e 76-të të ndeshjes. “Tërmeti në Beograd” kishte për personazhe lojtarët e trajnerit Leonidha Çuri; të gjithë skuadrën vlonjate: Arapin, P.Rucin, Tahon, Çipin, Iljadhin, Ziajin, Ferko, Gjondeda, Bubeqi, V.Ruci , Memushi, Ziu, Daullja.

”Një poezi burrërore, trupat kuqezi po shkruajnë sot në fushë”, – do të shprehej një ditë pas asaj ndeshje dhe kualifikimi poeti i njohur Xhevahir Spahiu në poezinë e tij të titulluar “Kur zbresin flamurtarët”. Sokol Kushta ishte kryeflamurtari në Beograd. Potencialin e tij të jashtëzakonshëm e dëshmoi edhe më tej, përballë Barcelonës së Zubizaretës, që një vit më parë, në turin e parë të Kupës UEFA, në Vlorë, më 17 shtator 1986, kishte “shijuar” golin e Vasil Rucit. Por tani rradhën e shënuesit e kishte Sokol Kushta. Ishte 9 dhjetori 1987, ajo ditë me shi në stadiumin “Flamurtari”, kur djaloshi Kushta, krosimin e saktë të Ferkos elegant do ta kthente në golin e fitores, por jo të kualifikimit, sepse katalanasit kishin fituar 4-1 në ndeshjen e parë të këtij turi më 25 nëntor 1987, në stadiumin “Camp Nou“ të Barcelonës.

Janë dy momente kulmore ku detyrohesh të ndalesh në arkivin e pasur të 167 golave të shënuar nga Sokol Kushta në 377 ndeshjet e zhvilluara në karrierën e tij 16-vjeçare si futbollist. Dhe po t’iu referohesh 291 ndeshjeve që regjistron t’i ketë zhvilluar në kampionatin shqiptar me Flamurtarin dhe Partizanin, në kmpionatin grek me Iraklis të Selanikut dhe Apollon Kallamia; në kampionatin qipriot me Olimpiakos Nicosia dhe Ethnikos Achna do të konstatosh potencën e këtij shënuesi me 123 gola. Shifrat zgjerojnë përmasat e tyre dhe me ndeshjet e golat e shënuar me ekipet përfaqësuese shqiptare nëpër vite. Me ekipet kombëtare të moshave në Balkaniada dhe turnetë ndërkombëtarë, Kushta ka arkivuar 22 gola në 33 ndeshje. Në 22 ndeshje me ekipin kombëtar Shpresa, ai mban autorësinë e 12 golave.

Kushta qëndroi në podin e nderit të një rekordi që për shumë vite mbeti i pa thyer nga askush. Janë 10 golat e tij në 31 ndeshjet me fanellën kuqezi. Një nuhatës i mirë i golit dhe ndëshkues për kundërshtarët. Galeria e golave të shënuar nga distanca dhe gjysëm distanca, nga afër dhe larg portës, me kokë dhe me këmbë, me të djathtën potente dhe të majtën e tij, me penallti dhe nga gjuatje standarte. Vetë Kushta e ka të vështirë t’i veçojë golat e shënuar për nga mënyra e interpretimit dhe vështirësia e të shënuarit, për vlerat që kanë pasur për skuadrën dhe entusiazmin që kanë mbjellë tek sportdashësit, çdo gol i shënuar ka qënë një sukses më vete në kornizën e një ndeshje. Në historinë e golëshënuesve të futbollit shqiptar rallë ndeshesh me një “makineri” të prodhimit të golave, me grintë dhe etje të pashuar.

Goli Beogradit, por dhe ai i shënuar Bracelonës në Vlorë në ditët e para të dhjetorit 1987 i dhanë Flamurtarit përmasat e një skuadre evropiane. Tre golat e shënuar në portën e Apollonisë në prill 1987 i dhanë Partizanit titullin kampion kombëtar. Tre golat kundër Dinamos më 1990 i sollën Flamurtarit të parën Superkupë. Dy golat e shënuar në ndeshjen miqësore Greqi-Shqipëri, të zhvilluar në 4 shtator 1991, në stadiumin “Olimpik” të Athinës i kanë dhënë ekipit tonë kombëtar një fitore jashtë Shqipërisë pas 43 vitesh (2 maj 1948, Rumani-Shqipëri 1-2, gol i Pal Mirashit). Vetë Sokol Kushta kujton edhe fitoren e ekipit kombëtar në mars 1995 në Moldavi me rezulatin 3-2, ku goli tij i parë u pasua dhe me golat e shënuar nga Bellaj e Rudi Vata. Kujtesa e këtij shënuesi kalibri sjell dhe golin e shënuar bashkëqytetarit të tij Perlat Musta në takimin Flamurtari-Partizani, në sezonin 1987-1988. Ishte një gol i shënuar nga distanca 40 metra.

Ky arsenal i golave të shënuar në dhjetor 1987 i dha sulmuesit vlonjat një vend në formacionin më të mirë deri 23 vjeç, në anketën e gazetës italiane “Bravo“, përkrah Vialli, Mancini, Rud Gullit, Van Basten, Rijkard etj. Po kështu, po atë vit (1987), Kushta do të radhitej në vendin e 30-të për çmimin e futbollistit evropian të vitit 1987, duke lënë pas italianin Aleksandro Altobelli, anglezin Glen Hoddëll dhe gjermanin Rudi Voller.

Një titull kampion i fituar te Partizani; titull kampion, Kupë Shqipërie dhe dy Superkupa të fituara te Flamurtari. Kushta mban titujt “Mjeshtër Sporti”, “Legjenda e futbollit shqiptar”, “Medalje Meritës”, “Mjeshtër i Madh” dhe “Qytetar Nderi Vlorës”. “Kur e nisa futbollin nuk më kishte shkuar ndërmend se do të arrija deri këtu, – thotë Sokoli. – Me futbollin kam jetuar pjesën më të bukur të jetës time. Futbolli më ka falur gëzime që kur i kujtoj mrekullohem e mbushem me optimizëm”.

Dashuria e tij për futbollin nisi që në moshën 10-vjeçare në lagjen e tij të fëmijërisë, Vrenez të Vlorës. Vetëm 14 vjeç dhe trajneri Mexhit Haxhiu, më vonë Skënder Elmazi do ta afronin tek ekipet e moshave të Flamurtarit. Në vitin 1981 trajneri Agron Sulo do t’i hapte vendin në formacionin e ekipit të parë. Në vitin 1984, ish-trajneri i Partizanit, Gjergj Thaka i veshi fanellën e kuqe të skuadrës të kryeqytetit. Kur Flamurtari jetonte vitet e tij më të bukura kishte si “yll polar” Kushtën elegant. Vjeshta e vitit 1991 e gjen të veshur me fanellat e ekipeve greke Iraklis të Selanikut dhe më vonë tek Apollon–Kallamaria. Përsëri golshënues dhe sulmues i rrezikshëm. Luan futboll në kampionatin grek me identitetin e të qenurit shqiptar. Në vitet 1994-1996 provon dhe skuadrat qipriote Olimpikos Nikosia dhe Ethnikos Achna, duke mos iu ndarë ekipit tonë kombëtar. Në vitin 1996, kur Sokol Kushta ishte 32 vjeç, pas plot 12 viteve kuqezi, në emër të rinovimit të ekipit kombëtar nuk mori më ftesë. E mbylli me kombëtaren si kapiten dhe goleador. Pezmatohet, por nuk dorëzohet. Rikthehet për katër muaj te Flamurtari ku shënoi 8 gola. Arsye të forta e largojnë nag Vlora dhe e mbyll karrierën si futbollist në sezonin 1997-1998 tek skuadra greke Ethnikos e Pireut.

Ja çfarë shkruan media helene për aventurën e Kushtës në Greqi: “Në verën e vitit 1991, Iraklis i Selanikut do të tërhiqte afërsisht 681 milionë dhrami (2 milion euro) nga fondet e tij për të blerë sulmuesin ndërkombëtar shqiptar, Sokol Kushta. Më i njohur në qarqet e futbollit në atë kohë si ‘topi i Vlorës’ dhe një lojtar viktimë nga qindra, të cilët për shkak të komunizmit nuk e lanë vendin e tyre për klube të mëdha jashtë shtetit, duke qenë në kulmin e karrierës së tyre. Për të kuptuar më mirë vlerën e futbollisit Kushta mjafton të dihet se ishte votuar i 30-ti më i mirë në Evropë në sezonin 1986-1987, kur u barazua me Randy Feller, Chris Woddell dhe Tartissi Partizani, Dimitris Saravakos në votim. Ai kishte fituar edhe dy kampionate shqiptare (me dy ekipe të ndryshme) dhe kishte shënuar 10 gola në 31 paraqitje me kombëtaren e tij. Një komb që në vitet ’60, ’70 dhe ’80 ishte i përbërë nga lojtarë me aftësi të rralla që, për fat të keq, nuk mund të shijohej aspak nga bota perëndimore. Ashtu si klubet e vendit, kombëtarja shqiptare rrallë merrte pjesë në garat ndërkombëtare.

Në sezonin 1987-1988, Flamurtari i frikshëm me Kushtën në sulm do të arrinte rezultatin më të madh të një klubi shqiptar në Kupat e Evropës, kur barazoi 1-1 me Barcelonën. Shënuesi i shkëlqyeshëm Sokol Kushta realizoi me një gjuajte të frikshme me të majtën nga jashtë zone. Ndeshja e parë përfundoi 4-1, natyrisht, iu dha katalanasve një kualifikim relativisht të lehtë për në raundin e katërt të Kupës UEFA, por ajo ndeshje tregoi talentin e madh që ekzistonte në futbollin shqiptar në ato vite dhe i cili ishte i njohur gjerësisht. Për të njëjtin sezon, Flamurtari eliminoi edhe Partizanin e madh të Beogradit Kupat e Europës.

Për të gjetur rezultatin e mëparshëm të shkëlqyeshëm të futbollit shqiptar, duhet të shkojmë saktësisht 20 vite mbrapa, kur kombëtarja e këtij vendi kishte marrë një barazim të madh 0-0 ndaj Gjermanisë Perëndimore dhe e eleminoi atë nga faza finale e Evropianit 1968, ndërsa i jepte kështu biletën Jugosllavisë së armikut të madh të Enver Hoxhës, Josip Tito. Lojtari ndërkombëtar i Partizanit, Panajot Pano kishte thënë për atë ndeshje: Kemi festuar për një muaj sikur të kishim fituar Kupën e Botës. Le të themi se duhej të kishim fituar, pasi arbitri na anuluar me vonesë një gol të rregullt . Nuk ka rëndësi. Në thellësi, edhe ata e dinë se humbën atë ditë ndaj një vende më të vogël”.

Për gjeneratat e reja mund të mos jetë shumë i njohur, por Sokol Kushta ishte një yll futbolli në shekullin e kaluar. Për të gjithë ata që nuk e kanë ditur, Sokol Kushta është i vetmi shqiptar deri më tani që është nominuar për “Topin e Artë”. Në listën prej 30 lojtarëve, format ky që është edhe sot, Kushta ishte në listë me legjenda të njohura të futbollit si Ruud Gullit, Paulo Future, Emilio Butragueno, Gary Lineker, Marco van Basten e shumë të tjerë.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img