Laçi-Vllaznia, dueli i javës së 26-të të kategorisë Abissnet Superiore, pritet me shumë interes nga opinioni sportiv i të dy qyteteve përkatëse e më gjërë. Dy skuadra, që gjatë viteve të fundit kanë dhuruar ndeshje emocionuese, ndaj edhe ky i sotmi pritet të jetë i tillë.
Krahas tifozëve vendas, falë afërsisë gjeografike të të dy qyteteve, të pranishëm në shkallët e stadiumit të Laçit pritet të jenë edhe një numër i konsiderushëm i tifozëve shkodranë, mes të cilëve spikasin ato të zakonshmit e grupimit, “Vllaznit Ultras”.
Ndërkohë, për ato që nuk e kanë mundësinë ta shijojnë ndeshjen në stadium, ka menduar Televizioni Shqiptar, i cili përmes kanalit RTSH Sport, dhe RTSH Shkodra, do ta transmetojë live, pa pagesë sfidën në fjalë, duke nisur nga ora 13:00.
Realisht, RTSH Sport, është ekrani i preferuar i shqiptarëve që përcjellë larmi të aktiviteteve sportive, përfshirë edhe futbollin e të gjitha kategorive duke i transmetuar çdo fundjavë. Ndërkohë, për t’u përshëndetur është edhe nisma e ndërmarrë nga RTSH Shkodra, ku nëpërmjet bashkëpunimit me RTSH Sport, sa herë që kjo e fundit ka në program për të transmetuar ndeshjet e Vllaznisë, ato do të jenë edhe në ekranin e RTSH Shkodra.