Friday, April 19, 2024

Stadiumi “Reshit Rusi” me tapet të ri sintetik. FSHF investon nga fondi i solidaritetit, priten edhe fusha të tjera stervitore me bar natyral

Lexo

Më së fundmi, fusha sportive “Reshit Rusi”, e cila realisht është e emërtuar në cilësinë e stadiumit, do të jetë me tapet të ri. Marrin fund kësisoj vuajtjet e sportistëve të shumtë që sterviten por edhe zhvillojnë ndeshjet zyrtare në këtë fushë, të cilët krahas të tjerave e kanë pësuar jo pak edhe në aspektin fizik. Kjo, për faktin se sektori i mjekësisë sportive pranë klubit kuqeblu ka konstatuar raste të shumta të futbollistëve me dëmtime muskulature, të cilat kanë ardhur pikërisht nga konsumimi i tepërt mbi normën e lejuar të tapetit me bar artificial.

Referuar investimit të mëparshëm bërë nga Federata Shqiptare e Futbollit, figuron që janë mbi dhjetë vite që vazhdohet të shfrytëzohet kjo fushë jashtë kapaciteteve dhe normave të lejuara. Kërkesave të shumta të adresuara nga ana e Bashkisë Shkodër dhe KF Vllaznia, i është përgjigjur pozitivisht institucioni i FSHF-së ku përmes fondit të solidaritetit ka bërë të mundur sjelljen në Shkodër të tapetit të ri me bar artificial.

“Ditën e sotme ka nisur puna për vendosjen e shtresës së barit të ri sintetik në fushën sportive “Reshit Rusi”. Bashkia Shkodër dhe KF Vllaznia i ka dërguar një shkresë Federatës Shqiptare të Futbollit, duke autorizuar FSHF- në të përdorë fondin e solidaritetit që përfiton KF Vllaznia sh.a. për të mundësuar zëvendësimin e tapetit sintetik.

Procesi i punës ka nisur dhe brenda pak ditëve, fusha sportive “Reshit Rusi” do të ofrojë kushte optimale për stërvitjen e ekipit të parë, ekipit të femrave, të ekipeve të Akademisë “Vllaznia” por edhe të skuadrave të tjera që e përdorin për kampionate të ndryshme ku marrin pjesë.”, thuhet në njoftimin zyrtar që Bashkia Shkodër dhe KF Vllaznia kanë shpërndarë për mediat.

Burime pranë KF Vllaznia bëjnë të ditur se gjatë periudhës në vazhdim pritet të ketë edhe investime të tjera në infrastrukturën sportive, përfshirë edhe disa fusha me bar natyral, për të cilat qyteti verior i ka shumë të nevojshme, pasi numri i futbollistëve të vegjël që sterviten me ekipet e moshave është jashtëzakonisht i madh.

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img