Stërvitje me dyer të mbyllura. Tekniku Memelli fikson strategjinë anti-Linfield, nesër nisja drejt Belfastit për sfidën e parë europiane

Kuqeblutë janë gati për sfidën e parë europiane, atë që do të luhet mbrëmjen e së enjtes në stadiumin 18,000-vendësh “Uindsor Park”, që shërben edhe si stadiumi kombëtar i Irlandës së Veriut mes skuadrës vendase Linfield FC dhe Vllaznisë së Shkodrës.

Ashtu siç e kishte planifikuar më herët, tekniku kuqeblu, Migen Memelli, ka preferuar që seancën e fundit stërvitore të kësaj pragndeshje ta zhvillojë në stadiumin “Loro Boriçi” dhe me dyer të mbyllura, pa praninë e mediave si dhe tifozëve që për hirë të së vertetes e kanë shoqëruar skuadrën gjatë të gjithë ditëve stërvitore në Shkodër, madje duke udhëtuar edhe në Bosnje për takimet miqësore.

Gjatë kësaj seancë, Memelli së bashku me kolegët e tij të stafit teknik ka aplikuar gjithçka ka projektuar për të shpalosur në duelin e parë të turit të parë të “Uefa Europa Conference League”.

Krahas strategjisë taktike që skuadra tashmë e ka të qartë se si do të luajnë në transfertën verioirlandeze, me interes në këtë seancë ka pasur projekti për lojtarët që do të hidhen në fushë nga minuta e parë.

Në këtë aspekt, pak a shumë tekniku Memelli e ka të qartë se cilët futbollistë do ta nisin ndeshjen nga minuta e parë, dhe bazuar edhe në atë që ka aplikuar në dy-tre seancat e fundit, Vllaznia pritet ta nisë ndeshjen me këtë formacion:  Qarri, Juriç, Stojanoviç, Cheshmedjiev, Smajli, Hakaj, Boshnjaku, Alivoda, Mala, Balaj, Çoba.

Megjithatë, ashtu si edhe në testet e tjera të mëparshme, njëshi i pankinës kuqeblu ka bërë lëvizje të ndryshme gjatë minutave stërvitore duke lënë të kuptohet se në disa pozicione, edhe mund të ketë ndryshime në emra.

Kjo ishte seanca e fundit stërvitore në Shkodër, ndërkohë që e fundit fare përpara ndeshjes zyrtare të së enjtes, do të jetë seanca që do të konsumohet mbrëmjen e nesërme në tokën irlandezoveriore që do të zhvillohet në orën zyrtare të ndeshjes ku do të shikohet qartë vendimi që tekniku Memelli do të marrë pr formacionin e kuqebluve në sfidën, Linfield FC-Vllaznia.

Siç është bërë me dije edhe më herët, delegacioni sportiv shkodran do të lërë qytetin e Shkodrës në orën 09:30 të mëngjesit, ndërkohë që pas një fluturimi me avion Çarter, pritet të mbërrijë në orën 17:00 në Belfast të Irlandës së Veriut.

Në interes të opinionit që dëshiron ta ndjekë këtë ndeshje, bëjmë me dije se sfida e parë në Belfast, por edhe ajo e dytë e kthimit që do të luhet një javë më pas në stadiumim “Loro Boriçi” do të transmetohen drejtpërdrejt nga Supersport.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu