Tuesday, May 7, 2024

Super Kastrioti, barazim i merituar me Tiranën kampione

Lexo

Kastrioti i Krujës nuk është më surprizë. Nëse dikush e konsideroi fitoren në transfertë me Kukësin 0-1, barazimi 0-0 sot me kampionët në fuqi të Tiranës, i ka bindur të gjithë për forcën e krutanëve. Një barazim ky i merituar i regjistruar në stadiumin e Kamzës, aq më tepër që Tiranës pas humbjes me i duhej patjetër fitorja tre pikëshe.

Kjo është ndalesa e dytë radhazi për Tiranën,  e treta në katër javë kampionat për skuadrën e Orges Shehit, që sheh pamundësinë t’i afrohet kreut pas barazimit 0-0 kundër Kastriotit në transfertë, në ndeshjen e transmetuar në RTSH. Një sfidë në të cilën bardheblutë duhej të linin pas traumën e shkaktuar në klasike, por morën një pikë të pamjaftueshme, nëse kombinohet me nivelin e performancës së bërë kundër 11-shes së Çelës. Tekniku i krutanëve përkundrazi mund të jetë i kënaqur për faktin se në tre javët që mundi të hedhë në fushë përforcimet e verës ka marrë 5 pikë.

Në Kamëz, kampionët e vendit kërkuan të imponohen dhe në fakt, të paktën në pjesën e parë kishin në anën e tyre aksionet më të rrezikshme. Ismajlgeci në të 6’, Florent Hasani 10 minuta më pas dhe Deliu, në debutimin si titullar me fanellën bardheblu, frikësuan portierin Sali, por shënjestra e futbollistëve të Tiranës kishte nevojë për korigjim, me asnjë nga tentativat brenda kuadratit.

Krutanët megjithatë nuk u shpërbënë dhe e mbajtën mirë fushën, duke krijuar edhe një lloj besimi në vetvete, se mund të provonin diçka më shumë. Goditja e Zogajt në minutën e 54’, nuk impenjoi Bekajn, por ishte një sinjal se Kastrioti nuk do të limitohej vetëm të mbrohej. Kjo sjellje ndryshe kishte edhe kostot e saj, sepse hapësirat për Kallakun e të tjerët tani ishin më të mëdha dhe fantazisti detyroi portierin krutan të bënte ndërhyrjen e parë vendimtare, duke mbrojtur rezultatin.

Për t’u përgëzuar në fakt Kastrioti që provoi me mundësitë që kishte të merrte maksimumin nga kjo ndeshje, edhe pse në fund mund ta kishte pësuar në aksionin e fundit të Tiranës në minutën e 5 shtesë. Kallaku shërbeu për Xhixhën, që për fare pak nuk gjeti kuadratin, duke fshirë kështu edhe mundësinë e fundit për të marrë një fitore që do të kishte qetësuar ujrat dhe do të kishte lënë të hapur ndjekjen e kreut, që rrezikon tani të duket edhe më larg.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img