Me derbin kryeqytetas, Partizani-Tirana i luajtur mbrëmjen e sotme në “Elbasan Arena” është mbyllur java e 15-të e kategorisë Superiore. Fatin e këtij derbi e vendos një shkodran si Eraldo Çinari, të cilit iu deshën vetëm pesë minuta lojë për gjetur golin e fitores për ekipin e tij. Në të 78-tën minutë tekniku Daja e lëshon në fushë dhe në të 83-tën talenti shkodran ia shpërblen me gol duke vertetuar edhe një herë vlerën dhe peshën që ai mban tek skuadra e të kuqve. Me këtë gol me vlerë tre pikësh, Çinari lëshon një paralajmërim serioz për vazhdimësinë e kampionatit, qoftë në prizmin individual por edhe atë ekipor.
Shkurt dhe qartë, ajo që duhet thënë për Çinarin, është se mungesa e tij në fushën e lojës për arsyet e penalizimit nga UEFA është ndjerë jo pak, jo vetëm në radhët e ekipit të tij, por edhe kampionatit shqiptar. Ashtu siç edhe vetë ai e paralajmëroi përpara ndeshjes, me rikthimin e tij në fushën e lojës gjërat do të ndryshojnë për mirë në kampin kuqeblu. Por, ndërkohë, krahas Çinarit është edhe një shkodran tjetër që kontribuoi me meritë në fitoren e këtij derbi. Fjala është për mbrojtësin Ersin Hakaj, tashmë një nga shtyllat me peshë në formacionin e Partizanit. Me këtë fitore tre pikëshe, Partizani konfirmohet si skuadra e dytë së bashku me Teutën që janë në ndjekje të Vllaznisë kryesuese me nëntë pikë më pak, ndërkohë që humbja e largon akoma më shumë Tiranën nga kreu, ku tashmë diferenca me kuqeblutë që kryesojnë me 35 pikë shkon në 15 pikë.
Java e 15-të
Bylis-Vllaznia 0-1
Kastrioti-Teuta 0-1
Apolonia-Kukësi 1-3
Laçi-Skënderbei 1-1
Partizani-Tirana 0-1