Friday, April 26, 2024

Intervista-Trajneri i Vllaznisë U-21, Fatjon Hasani flet pas fitores së sotme 2-1 ndaj Apolonisë

Lexo

Vllaznia U-21 luajti pasditen e sotme ndeshjen e javës së nëntë të Kampionatit Kombëtar të Superiores për këtë grup moshë duke pasur përballë Apoloninë e Fierit. 2 me 1 në favor të kuqebluve përfundoi kjo ndeshje me golat e shënuar nga Dodani dhe Dedaj duke vijuar ta mbajë Vllazninë U-21 në krye të renditjes. Në intervisten e dhënë menjëherë pas ndeshjes, trajneri kuqeblu, Fatjon Hasani e vlerësoi kundërshtarin si një ekip cilësor, por ndërkohë u shprehë i kënaqur për fitoren e arritur si dhe për elementin cilësor që skuadra e tij po prodhon për ekipin e parë.

Profesor Hasani, tjetër fitore në kampionat, këtë radhë ndaj Apolonisë 2 me 1

Ishte një fitore me një rezultat minimal me një ekip që renditej poshtë nesh në tabelën e klasifikimit dhe prandaj u thashë djemve që këto ekipe me pikë pak nuk duhen nënvleftësuar. Por, realisht na doli e kurdërta me atë që i fola skuadrës në dhomat e zhveshjes. Apolonia u prezantua një ekip shumë i vështirë, një kundërshtar që luante bukur futboll, si dhe ishte njëmbëdhjetëshja e dytë e ekipit A të Apolonisë. Dhe, kështu që kishin edhe disa lojtarë cilësorë në përbërjen e tyre. Megjithatë, duhet thënë se ne e administruam lojën, shpërdoruam disa raste faktikisht, por në fund arritëm tek fitorja me meritë e ndeshjes. Një fitore shumë e rëndësishme për ne, dhe për këtë jam shumë i kënaqur, në vazhdimësi na presin ndeshje edhe më të vështira, por shpresojmë që t’ia dalim me sukses.

Për t’u theksuar është prania e stafit të ekipit të parë me trajnerin Brdariç në krye, sa ndikon kjo tek skuadra juaj?

Ndjekja e stafit të ekipit të parë të ndeshjeve tona është për t’u vlerësuar. Dodani dhe Mali të ekipit tonë po sterviten tek ekipi i parë, ashtu si edhe Deda, Hoxha që sot bëri një ndeshje shumë të mirë, ishte edhe Çoba që luajti në pjesën e parë. Vlerësimi është edhe për ta, rrugët i kanë të hapura, ne po i vlerësojmë të gjithë, dhe kush ta meritojnë të vazhdojnë të luajnë futboll.

A do të vazhdojë Vllaznia U-21 fitoret edhe në javët e ardhshme?

Seria e fitoreve për ekipin tonë besoj se do të vazhdojë edhe në javët e ardhshme, ekipi është në një formë të mirë sportive, pamvarëisht se në pjesën e parë ndaj Apolonisë luajtëm pak më tepër në mbrojtje sepse doja ta studioja si ekip, pasi nuk e kisha parë më herët në ndeshjet e tij, ndërkohë që në pjesën e dytë ndryshuam modul loje, dolëm me tre sulmues gjë që na dha rezultatin e duhur duke arritur edhe tek goli i fitores. Patëm, edhe shumë raste të tjera, por 2 me 1 është një rezultat që në një farë mënyre nuk të lë të qetë, por që gjithësesi edhe këto fitoret që janë me rezultat të ngushtë të gëzojnë edhe më shumë.

Ndeshja e radhës dhe objektivi për skuadrën tuaj?

Ndeshja e radhës është me Turbinën në Cërrik. Një ekip që edhe atë në fakt nuk e njohim aspak, por mund të them se ne nuk largohemi nga pretendimet tona që në çdo ndeshje të futemi në fushë për fitore. Me rivalët kryesorë si me Kukësin dhe Laçin do të kemi mundësi të luajmë në Shkodër, përfshirë edhe Ballshin, por që gjithësesi, t’i marrim ndeshjet sipas radhës, pasi çdo kundërshtarë kërkon vemendjen e vetë.

Gaspër MARKU

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img