Kuqeblutë e Vllaznisë kanë zhvilluar të shtunën seancen e fundit stervitore anti-Skënderbeu dhe po të shtunën në orët e pasdites janë nisur drejt qytetit të Korçës aty ku do të kalojnë edhe naten në një nga hotelet komode korçare në pritje të pasdites të së dieles kur në orën 16.45 do të zbresin në fushën e lojës të stadiumit “Skënderbeu” në sfiden e shumë pritur, Skënderbeu-Vllaznia. Por, përpara nisjes drejt Korçës, tekniku Thomas Brdariç dhe mbrojtësi Aleksandër Isaevski u paraqiten në konferencen e shtypit, e cila ashtu si edhe herët e tjera u organizua në mjediset e stadiumit “Loro Boriçi”. E përbashkëta e asaj që ato deklaruan përpara gazetarëve të qytetit verior, kishte të bënte me optimizmin e arritjes së një rezultati pozitiv, madje duke shkuar deri atje sa nuk pranojnë asnjë rezultat tjetër përveç fitores tre pikëshe.
Tomas Brdariç
“Ne kemi principet tona të punës dhe bazuar në to, do të shkojmë në Korçë për të bërë një ndeshje të mirë, për të luftuar fort në fushë dhe jemi të ndërgjegjshëm që nuk do të marrim asgjë nëse presim që gjërat të vijnë nga ajri. Jemi njëqind për qind qind gati për sfidën e rradhës me Skënderbeun. Kemi nxjerrë mësimet e duhura nga ndeshja me Apolonisë dhe tashmë do të nisim një kapitull të ri. Ne jemi një skuadër dhe kemi në dispozicion mbi 20-të futbollistë. Sigurisht që në fushë do të zbresin 11-të por secili do të ketë shanset e veta. E vlerësojmë Skënderbeun, por kemi synimet tona, synime që i bazojmë tek forca e ekipit dhe tek puna. Kjo nuk do të thotë se e marrim me lehtësi këtë ndeshje, por duhet të adaptohemi përballë çdo kundërshtari dhe padyshim që do të jetë një sfidë aspak e lehtë. Unë nuk mendoj për barazim, mendoj për trepikëshin e rradhës dhe kjo është e mjaftueshme. Nuk preferoj të flas se çfarë do të ndodhë pas ndeshjes, Unë jam i sigurtë për faktin se çdo kundërshtar do ta ketë shumë të vështirë të na mundi ne”.
Aleksandër Isaevski
“Kam luajtur më parë në Bullgari dhe atje futbolli ishte më teknik, ndërkohë që në Shqipëri shoh që luhet fort edhe fizikisht, është një futboll më agresiv, duhet të vraposh shumë dhe të përplasesh shumë. Erdha te Vllaznia për t’iu bashkuar një projekti të ri, me trajner të ri, drejtor të ri, president të ri. Kam lexuar për Vllazninë, e di që është një klub i madh dhe shpresoj që të kthehet sa më shpejt aty ku kjo skuadër flitet se ka qenë më përpara. Kuptohet që kjo nuk është diçka që mund të ndodhë menjëherë, por do kohën e vet. Në një aspekt, bojkoti i kampionatit na ndihmoi sepse në ekip erdhën shumë lojtarë të rinj të cilët kishin nevojë për përgatitje fizike e teknike, por nga ana tjetër sigurisht që kemi mbetur në ankth sepse nuk e dinim kur do të fillonim, megjithatë detyra jonë është të stërvitemi dhe të jemi gjithmonë gati për të luajtur. Ne do të shkojmë drejt Korçës për të luftuar për tre pikë, por e dini që ky është futboll dhe gjithçka mund të ndodhë, por ne do luajmë për fitore”.