Saturday, July 27, 2024

Tirana, triumfon në transfertën e Rrogozhinës. Fitore për Qefalinë që me dëmtimin e tij krijoi panik te skuadra për rrezikimin e jetes

Lexo

Tirana ka marrë fitoren e parë të kampionatit, teksa ka triumfuar 2-0 në transfertën e Rrogozhinës ndaj Egnatias vendëse. Por një fitore që ka kaluar mes ankthit tek bardheblutë. Gjithçka i referohet minutës së 33-të, atëherë kur përplasja mes Qefalisë dhe Hamzait kokë më kokë ka sjellë panik në fushën e lojës tek të dy skuadrat.

Futbollistët, të cilët kanë qenë të pranishëm në fushë, kanë parë gjithçka, ndërsa kanë kërkuar ndërhyrjen e ambulancës, sepse Qefalija ka mbetur në fushë i gjakosur. Menjëherë është bërë transportimi i lojtarit për në spital, kjo për të marrë ndihmën mjekësore, ndërsa loja është pezulluar. Futbollistët e të dy skuadrave janë tronditur për atë që kanë pare në fushën e lojës, ndërsa disa futbollistë të Tiranës janë parë të shpërthejnë në lotë.

Delegati i ndeshjes, Erald Shera, dhe vëzhguesi i Federatës Shqiptare të Futbollit, Ilirjan Kristo kanë zbritur në fushën e lojës për të bindur futbollistët që duhet të vazhdojnë ndeshjen. E teksa futbollistët e Egnatias janë dakord për të vijuar ndeshjen, apo dhe drejtuesit e bardhebluve, futbollistët kryeqytetas nuk pranojnë të vazhdojnë lojën pa marrë lajmin për fatin e Qefalisë. Rreth dhjetë minuta ndërprerje, ndërsa vjen lajmi se Qefalia është përmendur.

E përtej këtij incidenti, Tirana kishte kaluar në avantazh me anë të Kallakut në të 14’, i cili kishte shfrytëzuar maksimalisht një aksion të shpejtë të Xhixhës nga e majta e më pas topin e krosuar e ka dërguar në rrjetë.

Vendësit përpiqen për të barazuar, por nuk kanë shënjestrën e duhur. Në pjesën e dytë Tirana dyfishon në të 53’, kjo pas një aksioni individual të Hasanit, i cili ka mposhtur Sherrin. Një gol me dedikim për Qefalinë. Përtej përpjekjeve të Egnatias të paktën për të ngushtuar rezultatin, Tirana ka marrë fitoren e parë dhe pas dy javësh ka katër pikë, kurse rrogozhinasit janë në kuotën e zero pikëve.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img