Kukësianët e kanë seriozisht këtë sezon futbollistik. Lojrat e tij cilësore dhe sidomos rezultatet pozitive të regjistruara nga java në javë e kanë bërë skuadrën e drejtuar nga italiani Diego Longo mjaft simpatike.
I tillë ishte Kukësi edhe në javën e 11-të, kur në përballjen e sotme të transfertës krutane, triumfon duke marrë një tre pikësh të rëndësishëm, madje me një rezultat të thellë, 1 me 6, rezultat i cili përpara ndeshjes pak kush e parashikonte. Realisht, ndeshja e luajtur pasditen e sotme në stadiumin e Kamzës nisi mirë për skuadrën krutane teksa Okebungu dha sinjalin e parë por më pas Kukësi mori drejtimin duke prezantuar brazilianin Feizhao me mbrojtësit dhe portierin e Kastriotit. Nuk ishte arma më e fortë qetësia as në kampin e verilindorëve por Ajazi do ta kujtoje gjatë këtë mundësi të artë të shpërdoruar përballë Tafas. Kur nuk shënon një gol të sigurt atëherë e peson dhe kështu ndodhi edhe në realitet pasi Feizhao shfrytëzoi një harkim perfekt për të zhbllokuar ndeshjen.
Vendasit e drejtuar nga Ramadan Ndreu nuk dorëzohen por kërkojnë të sulmojnë me të gjitha forcat por Okebugu në një ditë “jo” nuk arriti të barazonte ndërsa Ajazi reflektoi sërish mungesë qetësie, veti që për një lojtar është jetike. Longo dhe skuadra e tij e kaluan edhe këtë moment të vështirë për të thumbuar në mbyllje të kohës së rregullt me një tjetër realizim, këtë herë nga Milunoviç që gjeti rrjetën e pestë personale këtë sezon. Protagonistë të padiskutueshëm Milunovic dhe Feizhao pasi serbi dhuroi një top për brazilianin që thelloi rezultatin pak minuta pas rikthimit në fushën e lojës. Sërish Feizhao protagonist pak minuta më vonë pas asisstit të Taipit por braziliani nuk e gjeti rrjetën ndërsa Grecës iu mohua një gol për pozicion të parregullt, vendim i korrigjuar nga sistemi VAR.
Braziliani i Kukësit kompletoi një ndeshje për t’u vendosur në kornizë. Goli i tretë personal dhe i katërti për Kukësin që e hoqi këmbën nga gazi duke pësuar golin e nderit të krutanëve, të cilët u dorëzuan pa kushte në një 90 minutësh ku skuadra e Longos u tregua cinike dhe eksperte madje shënoi edhe të pestin e të gjashtin për të kompletuar një ndeshje shumë të mirë.
1 me 6 për Kukësin që shkon në kuotën e 23 pikëve, duke vijuar të mbajë me vetem një pikë diferencen me Tiranën, e cila edhe nga ana e saj, edhe ajo fitoi në transfertë me Egnatian. Ndërsa, për Kastriotin vazhdojnë të jenë momente të vështira, pasi vazhdon të qëndrojë në vendin e fundit me vetëm 5 pikë.