Sunday, April 28, 2024

Trajneri Mirel Josa, përshëndetet me skuadrën kuqeblu, presidenti Xhaferi prezanton dyshen drejtuese të Vllaznisë, Miloti-Sinani

Lexo

Dita e sotme, është shoqëruar me dy takime të njëpasnjëshme në kampin kuqeblu. Që të dy janë organizuar në mjediset e stadiumit “Loro Boriçi”. Pikërisht, aty ku trajneri i Vllaznisë Mirel Josa ka zhvilluar vazhdimisht takimet dhe analizat me ekipin e kuqeblu, sot ka qënë një takim ndryshe nga herët e tjera.

Pas vendimit të marrë mbrëmjen e së dieles, menjëherë pas humbjes së Vllaznisë në Laç, ku teknikut Josa i është komunikuar ndërprerja e marrëdhënieve me kuqeblutë, sot, kur skuadra ka pasur ditën e parë stërvitore të kësaj jave, tashmë në cilësinë e ish trajnerit kuqeblu, Josa ka zhvilluar takimin e fundit me skuadrën duke u përshëndetur përzemërsisht me të gjithë, futbollist, kolegë dhe drejtues.

Ndërkohë, menjëherë pas këtij takimi, po në atë sallë, ka qënë presidenti i KF Vllaznia, Alban Xhaferi, i cili ka prezantuar stafin e ri teknik, Auron Miloti si trajner i parë dhe Vioresin Sinani, në cilësinë e drejtorit sportiv të klubit kuqeblu.

“Pas dy ditëve pushim ekipi i Vllaznisë i është rikthyer ditën e sotme stërvitjes. Përpara fillimit të saj, i pranishëm në ambjentet e stadiumit “Loro Boriçi” ka qenë edhe trajneri Mirel Josa i cili është përshëndetur me të gjithë lojtarët, stafin teknik e mjekësor si dhe me drejtuesit e klubit dhe është larguar duke i uruar suksese atyre në vazhdim. Më pas, presidenti Alban Xhaferi ka zhvilluar një takim me skuadrën duke prezantuar edhe zyrtarisht para tyre stafin e ri, trajnerin Auron Miloti dhe drejtorin sportiv Vioresin Sinani. Pas një bashkëbisedimi me të gjithë futbollistët, ekipi ka vijuar punën në fushën e stërvitjes duke zhvilluar seancën stërvitore të rradhës.”, thuhet në njoftimin zyrtar që zyra e shtypit shpërndau për mediat.

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img