Saturday, July 27, 2024

U përfol për largim nga Vllaznia, por Xhelil Asani vazhdon të jetë në Shkodër. Nuk ka mirëkuptim në prishjen e kontratës

Lexo

Është jashtë planeve të stafit teknik dhe drejtuesit e klubit i kanë kërkuar prishjen e marrëveshjes me mirëkuptim, por Xhelil Asani vijon të jetë në Shkodër për të respektuar kontratën.

Mbrojtësi i majtë nga Kërçova u prezantua te Vllaznia më 8 gusht 2023, teksa klubi shkodran njoftoi se ka firmosur kontratë 2-vjeçare me lojtarin. Mirëpo, ai u aktivizua në vetëm tri ndeshje në dy fazat e para të këtij kampionati me fanellën kuqeblu. Në dy prej tyre ishte titullar dhe në total luajti 125 minuta me Vllazninë. Në pjesën më të madhe të kohës, 28-vjeçari ka qenë i dëmtuar dhe kjo ka ndikuar jo pak. Pas përfundimit të fazës së dytë, klubi ia bëri të qartë lojtarit të krahut se nuk e ka më në plane. Asani nuk u grumbullua nga trajneri Qatip Osmani në minifazën që ekipi zhvilloi në Ulqin, por kjo nuk e ka penguar që të vazhdojë të qëndrojë në Shkodër dhe të përgatitet individualisht deri në njoftimin e klubit.

Me lojtarin është folur për një ndërprerje të kontratës me mirëkuptim, por mesa duket palët nuk kanë gjetur dakordësi dhe Asani kërkon të respektohet kontrata, ashtu siç është nënshkruar. Mes palëve duket se ka një “luftë” juridike, por që deri më tani asgjë nuk është zgjidhur. Lojtari që erdhi pas një sezoni të mirë te Erzeni, kërkon të respektohet kontrata, ndërsa nga ana tjetër, Vllaznia tenton të zgjidhet me mirëkuptim dhe Asani të largohet. I pyetur për çështjen e mbrojtësit nga Kërçova, drejtori sportiv, Tefik Osmani, shkurtimisht ka thënë: “Asani në dijeni time është duke bërë një terapi dhe nuk ishte i gatshëm të bënte fazën përgatitore”.

MERKATO – Tre të larguar zyrtarisht dhe asnjë afrim deri më tani te Vllaznia. Situata në hyrje ka mbetur në pritje, me drejtuesit që nuk duan të nxitohen. Fokusi është për të afruar një mbrojtës që mund të përshtatet në qendër dhe në krahun e majtë. Gjithashtu ka pasur bisedime për një mesfushori fantazist dhe një sulmues krahu. Deri më tani të gjitha negociatat kanë qenë të pasuksesshme, ndërsa shpresat janë që sulmuesi brazilian, Vitor Feizhao, i cili luan në të dyja krahët e këtij reparti, të bindet për të firmosur me shkodranët. Drejtori Osmani kërkon afrime cilësore dhe jo sasi në skuadër.

Admir URUÇI

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img