Tuzi, zona shqiptare në territorin e Malit të Zi, krenohet jo vetëm me ekipin e parë të Deçiqit, kampion në Superligën e futbollit malazez, por edhe me Akademinë e Futbollit Malsia. Një Akademi që spikat për modelin e punës me futbollin e moshave, në krye të së cilës prej më shumë se 12 vite është një emër shumë i njohur i kësaj zone, David Camaj.
Për t’u theksuar është se gjatë kësaj periudhe të gjatë funksionimi, nga gjiri i Akademisë së Futbollit Malsia që aktualisht ka mbi 50 fëmijë në katër grupmosha, që nga U6, U7, U9, U11, kanë dalë dhe vazhdojnë të dalin emra të spikatur futbollistësh, të cilët luajnë, jo vetem me ekipin e Deçiqit, por edhe më shumë skuadra të tjera malazeze, si dhe në Europë.
Veriu Sport, ishte në Tuz të Malit të Zi, ku intervistoi drejtorin e Akademisë Futbollit Malsia- David Camaj, i cili ndër të tjera bëri të ditur se ka një përvojë të pasur prej 15 vitesh që punon me futbollin e moshave. Një karriere që funksionon duke nxjerrë breza të shumtë futbollistësh, një pjesë e të cilëve me rritjen e moshës së tyre sot janë pjesë e skuadrave me emër të rajonit.
Ndër të tjera, profesor Camaj shpreh mirënjohjen për mbështetjen që Komuna e Tuzit me kryetarin Nik Gjeloshaj ka dhënë për akademinë e tyre, ndërkohë që një falenderim të tillë e ka edhe për diasporen, dhe sidomos për shoqatën “Malësia” në SHBA, që vazhdimisht mbështet financiarisht futbollistët e vegjël shqiptarë të akademisë së futbollit tuzian.
Krahas të tjerave, Akademia e Malsisë së Tuzit, me 4 grupmoshat që ka në dispozicion, vazhdon të ketë një bashkëpunim të mirëfilltë me Akademitë e Futbollit të Shkodrës, sidomos me dy bashkëpunëtorët e tij të ngushtë Ardit Mani dhe Jetmir Podgorica, të cilët punojnë me futbollin e moshave.
Prononcimin e plotë në video të drejtorit të Akademisë Futbollit Malsia-Tuz-Mali i Zi, David Camaj, mund ta ndqni në kanalin tonë zyrtar, Veriu Sport-YOUTUBE duke klikuar linkun e mëposhtëm.
Gaspër MARKU