(VIDEO) ALFRED OSMANI & BLEDJAN RIZVANI VLERËSOJNË KURSIN E FSHF-SË, UEFA GOALKEEPER A: NJË HAP I RËNDËSISHËM PËR ZHVILLIMIN PROFESIONAL TË TRAJNERËVE TË PORTIERËVE

Pas përfundimit të kursit UEFA Goalkeeper A, nivelit më të lartë të kualifikimit për trajnerët e portierëve, dy nga pjesëmarrësit, Alfred Osmani dhe Bledjan Rizvani, kanë ndarë për fshf.org përvojën e tyre dhe rëndësinë që ky program ka për zhvillimin e tyre profesional.

Trajneri i portierëve të Kombëtares shqiptare dhe klubit Tirana, Alfred Osmani, vlerësoi organizimin e kursit nga Federata e Futbollit, duke theksuar se programi u ka dhënë trajnerëve njohuri dhe përvoja të reja, të cilat do t’i ndihmojnë në punën e përditshme me portierët.

“Besoj se kemi bërë një kurs shumë të bukur. Jemi munduar të jemi shumë korrektë, falë organizimit shumë të mirë të FSHF-së, Drejtorisë Teknike, profesor Ilirit dhe profesor Erjonit. Për këtë i falënderoj shumë. Ka qenë një kurs që na ka zhvilluar shumë. Kemi marrë shumë informacion dhe shumë gjëra të reja. Do të na vlejë shumë për karrierën tonë dhe për portierët që stërvitim”, – tha Alfred Osmani.

Edhe trajneri i portierëve të Teutës, Bledjan Rizvani, e cilësoi përfundimin e këtij kursi si një arritje të rëndësishme, duke nënvizuar nivelin e lartë të licencës dhe njohuritë e përfituara gjatë programit.

“Ndihem shumë i lumtur për këtë arritje, sepse shumë pak federata e kanë kursin UEFA Goalkeeper A. Kemi marrë shumë nga ky kurs, si mënyrën se si duhet të bashkëpunojmë me stafin, mënyrën se si duhet të sillemi gjatë stërvitjes me portierin, filozofinë e të gjithë klubit dhe shumë gjëra të tjera të rëndësishme që kemi mësuar nga ky kurs”, – theksoi Rizvani.

Ai ndau gjithashtu një bisedë me portierin e Teutës, Paul Bernardonin, e cila i dha një tjetër dimension rëndësisë së këtij kualifikimi për futbollin shqiptar. Rizvani tregoi se Paul Bernardoni ishte befasuar nga fakti që Shqipëria tashmë ofron një program të tillë në nivelin më të lartë për trajnerët e portierëve.

“Në një bisedë me portierin e Teutës, Paul Bernardonin, i tregova se sapo kisha përfunduar kursin UEFA Goalkeeper A. Ishte një bisedë shumë e bukur. Ai shprehu habi për këtë arritje që kemi tani në Shqipëri, sepse më shpjegoi se edhe në Kombëtaren Franceze, ku është Fabien Barthez, nuk e ka të njëjtën licencë që po marrim ne në Shqipëri. Kjo ishte diçka shumë e bukur për mua dhe për Shqipërinë, që do të përfaqësojë një licencë kaq të lartë të nivelit botëror”, – përfundoi Rizvani.

Kursi UEFA Goalkeeper A u organizua për herë të parë në Shqipëri nga Federata e Futbollit. Programi nisi në maj të vitit 2025 dhe zgjati më shumë se një vit, duke ndërthurur përgatitjen teorike dhe praktike me fokus te kërkesat e futbollit modern. Në përfundim të këtij edicioni u diplomuan 15 trajnerë, të cilët tashmë kanë përfunduar një nga nivelet më të larta të kualifikimit në këtë fushë.

- Reklamë -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Reklamë -spot_img

Video

Lexo edhe