Tuesday, November 12, 2024

(Video) Derbi verior i basketit fitohet nga lezhjanët. Vllaznia-Besëlidhja 84-95. Me tifozërinë lezhjane edhe kreu i Bashkisë Pjerin Ndreu

Lexo

Derbi verior i basketbollit për meshkuj, në mes Vllaznisë vendase dhe Besëlidhjes udhëtuese ka qënë në vemendjen e javës së tretë Kampionatit Kombëtar të Superligës.

Ndeshja e luajtur mbrëmjen e së shtunës në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës ka vënë përballë kuqeblutë, të cilët pas dy humbjeve radhazi, në shtëpi me Teutën dhe në transfertë me Tiranën kërkonin patjetër fitoren, dhe nga ana tjetër Besëlidhjen autoritare të viteve të fundit në basketbollin shqiptar, e cila me dy fitoret radhazi kryesonte tabelën e klasifikimit.

Ndeshja e gjykuar nga dyshja ndërkombëtare Gilbert Hoxha dhe Fatjon Malevi, si dhe një arbitre femër Ema Ndreu, risi në basketbollin shqiptar, në përgjithësi u shoqërua me një luftë të fortë sportive dhe plot rivalitet.

Emocionet e para i provuan kuqeblutë e drejtuar nga trajneri Damian Bekteshi, të cilët me tre pikëshin e parë realizuar nga Elian Memçaj ndezën atmosferën në radhët e fansave shkodranë.

Vllaznia e organizuar nga Robert Shestani, së bashku me kapitenin Rakaj,dhe treshen amerikane, vazhdon të luajë mirë dhe të kryesojë me meritë rezultatin. Por pushimet e kërkuara nga trajneri i Besëlidhjes, shkodrani Afrim Bilali, bëjnë efektin e duhur duke rritur lojën e skuadrës së tij, e cila jo vetëm që barazon rezultatin, por edhe e mbyll periodën e parë në avantazh 26-29.

Vllaznia rikthehet bukur në periodën e dytë, por rivaliteti dhe spektakli në fushën e lojës bën që kjo periodë të mbyllet në barazim, 21-21, e ndërsa në pushimin mes dy pjesëve, lezhjanët janë fitues me shifrat 47-50.

Ajo që përcakton fatin e kësaj ndeshje është perioda e tretë, e cila fitohet nga Besëlidhja me shifrat 17-23 duke e çuar avantazhin e lezhjanëve pas tre periodave në 64-73.

Në periodën e fundit, ka një përpjekje të Vllaznisë, e cila për hirë të së vertetës iu afrua deri në një pikë diferencë kundërshtarit, por kualitetet në skuadrën mike me Hamatin, më i miri në fushë për të dyja skuadrat, bëjnë që Besëlidhja të shkëputet përsëri duke e mbyllur të gjithë ndeshjen në favorin e tyre me rezultatin 84-95.

Për t’u theksuar është se në grupin e tifozëve lezhjanë që shoqëronin skuadrën e tyre në transfertën e Shkodrës ishte edhe kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, i cili pas ndeshjes u shpreh i kënaqur për spektaklin që dhuruan të dyja skuadrat në fushën e lojës, ndërkohë që për skuadrën e qytetit të tij, premtoi titullin kampion.

(Video) Ndeshja Vllaznia-Besëlidhja, basket meshkuj, 84-95. Prononcimet e trajnerëve Damian Bekteshi dhe Afrim Bilali, si dhe kryetarit të Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu.

Gaspër MARKU

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img