Vllaznia-Gramshi 2-0(Shënuese: Arbiona Bajraktari 54’, Megi Doçi 67’)
Ndeshjen e fundit të Kampionatit Kombëtar të futbollit për femra, kategoria Superiore, Vllaznia kampione në fuqi e luajti në shtëpi duke pritur pasditen e sotme në stadiumin “Reshit Rusi” ekipin e Gramshit.
Një sfidë kjo mes dy skuadrave që kanë siguruar konkurimin në katërshen e “Final 4”, por që në një farë mënyre ishte si një test para ballafaqimeve finale.
45 minutat e para mbyllen me rezultatin e barabartë, 0 me 0, por me të filluar pjesa e dytë, Vllaznia zhbllokon rezultatin duke shënuar në minutën e 54 me anë të Arbiona Bajraktarit.
Vllaznia e drejtuar nga trajneri Nikolin Leka vazhdon të sulmojë në portën kondërshtare, dhe 13-të minuta nga goli i parë vjen i dyti, këtë herë me protagoniste kapitenen kuqeblu, Megi Doçi.
2 me 0 për Vllazninë, e cila me rastet e krijuara mund dhe duhej të shënonte edhe gola të tjerë në portën e Gramshit.
Edhe pse bëri përpjekjet e duhura, ekipi mik i Gramshit i drejtuar nga trajneri Alpin Gallo, nuk mundi të prekë rrjetën e portës kuqeblu të mbrojtur nga Rekalde.
Me këtë fitore, Vllaznia e futbollit femra e mbyll kampionatin e rregullt me 46 pikë, e shkëputur në krye me plus 8 pikë nga Apolonia e vendit të dytë, +11 nga Gramshi i vendit të tretë dhe Teuta e katërta me +16 pikë.
Një diferencë kjo e konsiderueshme e Vllaznisë si kryesuese, por ndryshe nga Superiorja e meshkujve ku përgjysmohen pikët, për femra, FSHF ka vendosur t’i zerojë, që do të thotë se katër ekipet finaliste: Vllaznia, Apolonia, Gramshi dhe Teuta, presin shortin e “Final 4” në kushte krejtësisht të bararabarta pikësh.
(Video) Pamje nga ndeshja Vllaznia-Gramshi 2-0(Superiore futboll femra), si dhe prononcimet e trajnerëve kundërshtar, Nikolin Leka(Vllaznia) dhe Alpin Gallo(Gramshi), mund t’i ndiqni në kanalin tonë zyrtar, Veriu Sport-YOUTUBE.
Gaspër MARKU


