Saturday, November 23, 2024

(Video) Futsal-Vllaznia dhe Flamurtari dhurojnë spektakël në “Qazim Dervishi”. Ritëm i lartë, luftë e fortë sportive, 4 gola, tifozëri e zjarrtë, dhe në fund 2-2

Lexo

Vllaznia Futsal-Flamurtari Futsal  2-2(Shënues:Lekaj, Tafili/Shehaj, Gokaj)

Kampionati Kombëtar i Futsallës, luajti këtë fundjavë një nga ndeshjet më të bukura të sezonit. Bëhet fjalë për duelin e javës së tretë, Vllaznia-Flamurtarin takim ky i  luajtur mbrëmjen e së shtunës në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës.

Një duel ky që pa as më të voglin ngurim duhet thënë se dhuroi spektakël në të gjitha drejtimet duke të ngjasuar si një finale për titullin kampion. Ritëm i lartë, luftë e fortë sportive, 4 gola njëri më i bukur se tjetri, tifozëri e zjarrtë, dhe në fund 2-2.

Dhe meritë për këtë kanë të dyja skuadrat, të cilat që nga starti i ndeshjes dhe deri në mbyllje shfaqën në fushën e lojës vetëm veprime sulmuese duke pasur si objektiv vetëm fitoren.

Vllaznia e nis me presion në portën kundërshtare që mbrohet nga shkodrani Fatos Behari, por goli në fakt vjen në portën e Vllanzisë, ku pas një gjuajtje të Shehajt, topi devijohet në prapavjen kuqeblu dhe përfundon në rrjetën e Vllaznisë.

Tekniku Celufaj, qetëson skuadrën për golin e pësuar dhe i udhëzon të vijojnë me të njëtin ritëm që po luanin deri në atë moment. Dhe, goli nuk vonon të vijë, gol i cili ka për autor  kapitenit kuqeblu Senad Lekaj, një nga më të mirët në fushën e lojës.

Megjithë përpjekjet e të dyja skuadrave, pjesa e parë mbyllet në barazim, 1-1, ndërkohë që e dyta është fotokopje e së parës. Vllaznia e nis sërishmi me presion në portën kundërshtare, por ka harruar që në fushë për skuadrën mike, krahas portjerit Behari, është edhe një shkodran tjetër i talentuar si Semir Gokaj, e majta e të cilit, përmes një diagonaleje e çon topin në rrjetën e Vllaznisë.

1 me 2 për Flamurtarin. Falë edhe një entuziasmi të madh të tifozërisë të të dy kampeve respektive, loja merr “zjarr”, dhe kjo për meritë të Vllaznisë, e cila është e papërmbajtjeshme në fushën e lojës duke kërkuar me insistim golin e barazimit, të cilin e realizon përmes një goditje dënimi perfekte ekzekutuar nga Alsid Talili.

Barazimi nuk kënaq asnjërën skuadër, ndaj në 7-8 minutat e fundit, dy formacionet kundërshtare shumëfishojnë veprimet sulmuese duke pasur objektiv fitoren.  Me rastet e shumta të krijuara në dy minutat e fundndeshjes, Vllaznia ishte shumë pranë fitores, por vërshëllima përfundimtare e gjyqtarëve të ndeshjes, fikson barazimin 2 me 2.

Një barazim që duket se nuk kënaq asnjërën skuadër, por që gjithësesi, trajneri i kuqebluve Bujar Celufaj dhe presidenti i futsallës shkodrane, Fisnik Barbullushi, shprehen të kënaqur me paraqitjen e skuadrës së tyre, e cila me atë që tregoi në këtë sfidë, dha garanci të plotë që që në dy ndeshjet e radhës ndaj Tiranës dhe Partizanit që luhen përsëri në shtëpi do të arrijë rezultat pozitiv duke mbetur në cilësinë e një skuadre pretendente për titullin kampion.

(Video) Ndeshja e plotë Vllaznia Futsal-Flamurtari Futsal, 2-2, me transmetim. Pjesa e parë dhe e dytë. Si dhe prononcimet pas ndeshjes të trajnerit kuqeblu Bujar Celufaj dhe presidentit të Vllaznisë Futsal, Fisnik Barbullushi.

Gaspër MARKU

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img