Sunday, May 19, 2024

(Video) Historike-Besëlidhja në Basket Meshkuj hedh hapin e parë drejt titullit kampion

Lexo

93 me 77, është rezultati i finales së parë të fazës Play Off basketboll meshkuj, Besëlidhja-Tirana. Lezhjanët e drejtuar nga trajneri shkodran, Afrim Bilali kanë hedhur hapin e parë drejt fitimit të titullit kampion, që nëse fitohet përbën një sukses historik për këtë skuadër, e cila pa shumë traditë dhe duke ardhur si debutuese në Superligë, bëhet menjëherë fituese e trofeut.

Një sukses ky i arritur në pallatin e sportit “Asllan Rusi”, në praninë e një numri rekord tifozësh të të dyja palëve, përfshirë edhe mbi 200 të tillë të ardhur nga Lezha ku mbështeten skuadrën e tyre të zemrës në një fitore të merituar.

Besëlidhja, e cila në mungesë të një pallati sporti në Lezhë, i zhvillon ndeshjet në Tiranë, e nisi takimin me 4 amerikanë (Robinson, Bernard, Rhine, Morris) dhe Beqon që plotësonte pesëshen titullare. Nga ana tjetër trajneri Erkand Karaji e startoi me Hamatin, Strazimirin, Hysenagollin, Prodanin dhe amerikanin Davis.

Perioda e parë është më e mirë për bardheblutë, të cilët e mbyllin në avantazh me epërsinë e 3 pikëve në shifrat 19-22. Por Besëlidhja tregohet fantastike në 10-minutëshin e dytë, duke dominuar në çdo aspekt ndaj një Tirane që gabon shumë. Lezhjanët e fitojnë këtë fraksion 30-16, duke shkuar në pushim me avantazhin 49-38 në shifra të përgjithshme.

Në periodën e dytë ka dhe acarime mes dy tifozërive, teksa nga lezhjanët kanë ardhur disa provokime me kore në drejtim të publikut kryeqytetas.

Duke u rikthyer te parketi, Besëlidhja luan më mirë edhe në periodën e tretë, të cilën e fiton 21- 16, për ta thelluar epërsinë në 70-54 pas 30 minutash lojë.

Perioda e fundit nuk ndryshon asgjë, me Besëlidhjen që e menaxhon më së miri lojën, ndërsa Tirana duket e dorëzuar dhe gjithçka mbyllet me festën e lezhjanëve. Më 22 prill në “Feti Borova” do të jetë radha e finales së dytë, sfidë që sheh Tiranën pritëse.

(Video) Pamje nga ndeshja, Besëlidhja-Tirana, 93-77. Finalja e parë, Basket Meshkuj.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img