Marrin fund vuajtjet e sportistëve të lojrave me dorë, por edhe të futsales, ekipet e të cilëve stërviten sistematikisht në pallatin e sporteve “Qazim Dervishi”, dhe ku janë ndeshur me të temperaturat e lartë të verës dhe ato të ulta gjatë dimrit.
Kryebashkiaku i Shkodrës Benet Beci, ishte sot i pranishëm në këtë mjedis sportiv, teksa inspektoi prej së afërmi mjediset brendshme dhe të jashtme të tij. Qëllimi i këstij inspektimi ka të bëjë me investimin më të fundit që Bashkia Shkodër ka planifikuar në vënien në funksionim të sistemit të ngrohjes dhe të ftohjes së këtij pallati.
“Një investim i Bashkisë Shkodër që i jep këtij impianti të rëndësishëm sportiv një element që i ka munguar që nga ndërtimi i tij.
Takova përfaqësuesit e firmës fituese që do të realizojë këtë investim të domosdoshëm, për të krijuar kushte më të mira për qindra sportistë që stërviten dhe zhvillojnë aktivitetet e tyre në këtë pallat sporti.
Ndërkohë, po shqyrtojmë edhe ndërhyrje të tjera për përmirësimin dhe modernizimin e Pallatit të Sportit “Qazim Dervishi”, me synimin që ky impiant t’u përgjigjet gjithnjë e më mirë nevojave të sportistëve dhe ekipeve tona.
Vijojmë investimet në infrastrukturën sportive të Shkodrës, për kushte më të mira dhe më shumë mundësi për sportin shkodran!, shkruan kreu i Bashkisë Shkodër, Benet Beci


