Vllaznia në futboll për femra, po përgatitet për ndeshjen e tretë të Ligës së kampioneve të Europës në fazën e grupeve. Pas Realit të Madridit luajtur në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës dhe Çelsit, takim ky i zhvilluar në transfertën londineze, kundërshtari i radhës për skuadrën kuqeblu është kampionia e Francës, PSG.
Veriu Sport ndoqi nga afër seancën e sotme stërvitore të skuadrës kuqeblu zhvilluar në stadiumin “Reshit Rusi” të Shkodrës. Edhe pse një ditë me reshje të dendura shiu siç ishte kjo e së mërkurës, skuadra kuqeblu ka qënë e përqëndruar maksimalisht në proçesin stërvitor duke mos e ndalur për asnjë cast ritmin stërvitor.
Trajneri i parë Nikolin Leka, duke udhëhequr zbatimin e elementëve fizik, si dhe ato tekniko- taktik. Ndërkohë, në anën tjetër trajneri i portjerëve Fabiol Rexhepi me sektorin e portës, me tre portjerët që ka në dispozicion, punon me të njëjtin përkushtim.
Që nga fillimi dhe deri në fund të proçesit stërvitor, i panishëm ishte edhe Presidenti i KFF Vllaznia, Lazër Matija i shoqëruar si zakonisht nga ish kolegu i hershëm në futbollin e luajtur, Alfred Pjetri, sot President i KF Ada i Velipojës.
Në komunikimin që kishte me Veriu Sport, trajneri i Vllaznisë, Nikolin Leka, thotë se gjendja e skuadrës në këtë pragsfidë shumë të rëndësishme është OK. Pozitive janë rikuperimet e disa futbollisteve të dëmtuara më heret, ndërkohë që e vetmja që shqetëson është malazezja e krahut të djathtë të mbrojtjes.
Përgatitjet anti PSG do të vijojnë deri të dielen e kësaj fundjave, ndërkohë që të hënën e ardhshme, kampionia e Shqipërisë në futboll për femra fluturon drejt Parisit në pritje të ndeshjes zyrtare të së mërkurës së 23 nëntorit, PSG-Vllaznia.
(Video) Vllaznia FF-stërvitje nën reshjet e dendura të shiut. Prag PSG-Liga e Kampioneve të Europës, ndeshjet në grupe
Gaspër MARKU