Shqipëria në futboll për femra, që drejtohet nga Armir Grima, të martën në mbrëmje luan ndeshjen e dytë në Ligën e Kombeve. Bëhet fjalë për ballafaqimin me Irlandën e Veriut, që do të zhvillohet në Belfast duke nisur nga ora 20:00 me orën e Tiranës. Vajzat kuqezi vijnë nga barazimi 1-1 me Hungarinë të premten pasdite në stadiumin “Loro Boriçi”, ndërsa trajneri i Shqipërisë, Armir Grima, flasin me optimizëm për sfidën e dytë të transfertës me Irlandën e Veriut.
“Do të mundohemi të rehabilitojmë vajzat që kemi. Të bëjmë një pushim të mirë dhe të përgatitemi për ndeshjen, e cila edhe ajo është e vështirë. Madje akoma më e vështirë se sa kjo që kaloi”, theksoi Grima.
Madje me të njëjtat objektiva shfaqet edhe autorja e golit ndaj Hungarisë, Qëndresa Krasniqi.
“Objektivat tona si kombëtare besoj se të gjithë i dini, që është të jemi të parët në grup. Besoj se kemi për të punuar shumë edhe për ndeshjet e radhës që besoj se kemi për të marrë rezultat pozitiv”, thotë Krasniqi.
Irlanda e Veriut vjen në këtë sfidë pas humbjes 0-3 me Irlandën, ndërkohë që ndeshja në Belfast do të gjykohet nga spanjollja Zulena Gonzales. Asistente të saj Silvia Fernandez dhe Iria Rosendo Gonzales e gjyqtare e katërt Ilenia Sançez Miguel. Ky është ballafaqimi i parë mes dy përfaqësueseve në futboll për femra.
(Video) Trajneri i kombëtares futboll femra, Armir Grima dhe futbollistet Alma Hilaj dhe Qëndresa Krasniqi flasin për barazimin ndaj Hungarisë dhe pragndeshjen me Irlandën e Veriut.