Thursday, April 18, 2024

(Video) Trajneri Silvinjo dhe portjeri Strakosha në konferencë shtypi. Prag Shqipëri-Bullgari: Nuk është thjesht një miqësore. Për t’u kualifikuar në Europian kemi edhe dy ndeshje

Lexo

Shqipëria do të luajë takimin e radhës nesër ndaj Bullgarisë, një miqësore e planifikuar për t’u luajtur në stadiumin ‘Air Albania’ në ora 18:00. Trajneri Silvinjo dhe portieri kuqezi Thomas Strakosha dolën sot në konferencën zyrtare për media, ku shpalosën dhe objektivat për sfidën e nesërme. Paçka se është miqësore, trajneri i kuqezinjve nuk pranon ta konsiderojë ndeshjen ndaj Bullgarisë si të tillë, ndërsa zbuloi se në formacionin e nesërm do të ketë disa ndryshime. Silvinjo vlerësoi ekipin ballkanas, teksa tregoi edhe se çfarë ka ndodhur me Armando Brojën. Sa i përket kualifikimit të Shqipërisë ‘në Europian’, trajneri ritheksoi edhe njëherë se janë ende edhe dy ndeshje për t’u luajtur.

Ndryshimet në formacion kundër Bullgarisë – Mund të ketë disa ndryshime dhe janë gjëra të pritshme. Dua të bëjë edhe një parantezë rreth pyetjeve që ju bënë Strakoshës. Unë kam luajtur 3 vite në Premier League është një kampionat shumë i bukur  dhe është diçka fantastike të luash atje dhe kush nuk do të donte ta provonte. Përsa i përket portierve tanë, pyetjeve që ju bënë Strakoshës. Ne kemi dy portierë shumë të mirë dhe janë shfaqur në lartësinë e duhur.E kemi thënë shpesh se ne jemi të sigurtë sepse kemi dy lojtarë me shumë eksperiencë. Varet nga forma që vijnë në kombëtare, Strakoshës ju dha mundësia të luaj me Poloninë dhe bëri një ndeshje shumë të mirë dhe ne ndihemi shumë të sigurt me ta në portë. Sa i përket ndeshjes me Bullgarinë, kam 5 apo 6 vjet që e kam humbur sensin e miqësores dhe mendoj se miqësore mund të konsiderohet vetëm ndeshja që bëhet në stërvitje mes dy skuadrave. Nuk ka ndeshje miqësore, ne kemi dërguar një person nga stafi jonë për të ndjekur Bullgarinë, e ka ndjekur nga afër dhe ka marrë informacionin e duhur. Kanë një skuadër të mirë, shumë të fortë fizikisht, kanë disa lojtarë të mirë në veçanti lojtari me numrin 4, por edhe lojtarët e krahut. Në aspektin fizik janë lojtarë shumë të gjatë dhe për ne është një ndeshje shumë e rëndësishme. Është normale që një tranjer të provojë sa më shumë lojtarë por nuk mund të ndryshohet e gjithë skuadra pra  të bëhen 6 deri në  7 ndryshime, pasi duhet të ruajmë edhe grupin që kemi krijuar, skuadrën që kemi krijuar ekuilibrin e duhur. Sigurisht 3 apo 4 ndryshime ndoshta do t’i bëjmë duke pasur parasysh edhe lojtarët që bëjnë shumë ndeshje që luajnë në fundjavë apo në mesjavë dhe kan një ritëm shumë të madh me klubet, kështu që duhet t’i respektojmë edhe ata që të mos t’i ngarkojmë shumë.

Koncepti miqësore apo zyrtare, çfarë ndryshon te lojtarët – Sigurisht që lojtarët e kanë kuptuar për pjesën e mentalitetit, për pjesën e ndryshimit të një ndeshje miqësore dhe zyrtare. Është një ndeshje që ka një audiencë shumë të madhe, shihet në të gjithë botën dhe është një mundësi e madhe edhe për ta edhe për ne. Kam vendosur në mendjen time të bëjë disa ndryshime të paktën tre apo katër lojtar, por nuk dua t’i them tani emrat sepse nuk është e drejtë, kemi edhe një tjetër stërvitje për të bërë, kshu që të shohim deri nesër për ndryshimet që do të bëjmë.

Një koment për Armando Brojën, çfarë ka ndodhur – Ajo që ka ndodhur me Brojën është shumë e thjeshtë, vjen nga një dëmtim i rëndë, i është dashur 9 muaj të qëndrojë jashtë fushave të lojës. U rikthye para pak javësh luajti pak minuta në ndeshjen e parë, të njëjtën gjë edhe të dytën. Pastaj një ndeshje para se të vinte te ne luajti për 45 minuta dhe u zëvëndësua për të mos u futur më në fushë pasi ka pasur disa probleme fizike. Normalisht ai bëri kontroll te Chelsea para se të vinte te ne, kontrollet shkuan mirë, por kur erdhi ktu u stërvit, e pamë në stërvitje dhe kishte një shqetësim akoma, u ulëm biseduam me doktorin edhe me klubin e Chelseat kemi qenë në kontakte të vazhdueshme për t’u marrë vesh në lidhje me dëmtimin e tij. Ishte e qartë që nuk ishte në gjendje të luante dhe bashkë me klubin dhe lojtarin ramë dakort që ai të kthehej te Chelsea dhe të nisë rikuperimin. Kjo është e gjithë historia dhe kjo ka ndodhur.

A mund të synojë Shqipëria diçka më shumë në Europian, si Maroku në Botëror? – Sa u takon objektivave në Europian, nuk mendoj për to. Për momentin mendoj vetëm për ndeshjet e nëntorit, të arrijmë objektivin zyrtarisht pasi asgjë nuk ka mbaruar akoma. Pas ndeshjes me Çekinë Shqipëria ka bërë një hap të madh, ishte diçka fantastike, atmosfera, lojtarët, ishte diçka shumë e bukur. E kemi thënë që në fillim që jemi në një grup të fortë, ku ka pasur shumë luhatje, siç mund ta vini re janë disa skuadra në garë, Moldavia, Polonia. Gjithçka do të vendoset në ndeshjet e nëntorit. Në kombëtaren shqiptare të gjithë janë të ndërgjegjshëm për forcën që kemi, për rrugën që kemi bërë, për faktin që duhet të arrijmë objektivat. Këto objektiva arrihen vetëm në ndeshjet e muajit nëntor. Pas Bullgarisë do mendojmë për këto ndeshje.

Nëse do e luanim në fillim ndeshjen me Bullgarinë, a do ishim kualifikuar? – Nuk kam keqardhje që kishim një ndeshje me Poloninë në mars. Ndeshja me ta, pavarësisht rezultatit, më dha mundësi të mira të kuptoja se si është gjendja e skuadrës. Ishte një ndeshje e fortë, kundër një kundërshtari të fortë, që na vlejti. Sigurisht nuk e njihja mirë ekipin. Që kur erdha kemi punuar me stafin, 10 orë gati në ditë, duke parë lojtarë, duke parë ndeshje. Pas asaj ndeshje m’u desh të njihesha më mirë me ekipin. Për 2-3 muajt e ardhshëm pata mundësinë të punoja me ekipin, të njihesha me lojtarët dhe të përgatisja sa më mirë ndeshjet e qershorit.

Sa e vlerësoni Bullgarinë? A mund të na jepni një recetë e suksesi? – Ne jemi shumë të kënaqur për atë që kemi bërë deri tani. E kemi studiuar Bullgarinë, e kam parë. Pavarësisht se në grupin kualifikues ka vetëm dy pikë, por në fakt ka merituar shumë më tepër. Futbolli nuk është i drejtë sa u takon rezulateve. Dua të them që Bullgaria ka një ekip të rëndësishëm, me lojtarë shumë të zotë në lojën sulmuese, me grup kompakt, që luan në bllok. Në futboll nuk ka shumë sekrete sa i takon suksesit, nuk ka asgjë të lehtë. Me shumë punë mund të arrihet gjithçka.

A jeni gati të firmosni një kontratë të re, për të na udhëhequr edhe në eliminatoret e Botërorit të ardhshëm? – Përgjigja është e njëjtë. Duhet të theksojmë se asgjë nuk ka mbaruar dhe nga ana jonë apo nga ana e Federatës për të ardhmen. Ne mendojmë se si të punojmë sa më mirë, të përgatisim sa më mirë ndeshjet e nëntorit. Jemi me kokën dhe mendjen tek ato ndeshje. Deri tani kemi bërë një punë shumë të mirë, siç e tha edhe Strakosha. Kemi një grup kompakt, që ka treguar gjithmonë shpirt të lartë gare e fushën e lojës dhe luan gjithmonë me zemër. Gjithçka për të cilën mendojmë janë ndeshjet e nëntorit, asgjë tjetër.

Keni luajtur me klube të rëndësishme, si zgjodhët Ballkanin? – A do drejtonit diku tjetër në Ballkan në të ardhmen? Pata një darkë me presidentin Duka në Milano, ku folëm dhe më tha që donte të bënte një ndryshim të rëndësishëm në skuadër. Kam pasur një marrëdhënie të mirë me të që atëherë. Unë kam pasur dy eksperienca të rëndësishme, në Milano me Interin si zëvendëstrajner. Aty mësova shumë mirë italisht dhe e dija që në Shqipëri njerëzit e kuptojnë shumë mirë gjuhën italiane. E dyta, kam punuar te Brazili zëvendëstrajner për 4 vite dhe e di shumë mirë çfarë do të thotë të punosh me një ekip kombëtare. Sa i takon ndeshjes nesër me Bullgarinë, do kem përballë Krstajic, me të cilin jam përballur kur isha te Brazili dhe ai ishte te Serbia. Nesër do kem mundësinë të takohemi sërish. Ishte një projekt i bukur dhe e pranova.

 

Portieri i Kombëtares, Thomas Strakosha ishte sot krah rah trajnerit Silvinjo në konferencën zyrtare për media. Thomas tregoi se situata në kampin kuqezi është mjaft pozitive në prag të kësaj sfide miqësore, ndërsa zbuloi edhe se çfarë ka ndryshuar te Shqipëria me ardhjen e trajnerit Silvinjo. Sipas Strakoshës, takimi i nesërm për kuqezinjtë është po aq i rëndësishëm sa një ndeshje zyrtare. Strakosha foli edhe për situatën e tij personale, ekipin e Brentford dhe kampionatin anglez.

Si ndihesh në aspektin personal? – Ndihem shumë mirë. Jam krenar që më në fund kam bërë debutimin në Premier League.  Alternimin e ka në dorë trajneri. Por për Kombëtaren luan kush është gati dhe të ndihmojë ekipin për të fituar dhe për të arritur objektivat.

Sa gati është Strakosha për këtë miqësore – Nuk futemi kurrë për të humbur, por për të fituar ndeshje. Ne e dimë që nuk kemi shumë ndeshje për të provuar ekipin dhe për të krijuar një grup të fortë, prandaj kjo sfidë për ne është shumë e rëndësishme për të krijuar një ekip solid dhe të fortë dhe ta kuptojmë njëri-tjetrin. Sidomos për ata lojtarë që nuk luajnë shumë, duhet të ndihen pjesë e grupit dhe kjo është shumë e rëndësishme për ta.

Zgjedhja e duhur ‘Premier League’? – Kur nuk provon gjëra në jetë, nuk do e kuptosh kurrë në bëre gabim apo mirë. Për mua është gjëja më e bukur të luash në Premier League. Kam pasur një dëmtim që më mbajti shumë gjatë jashtë. Por jam shumë i lumtur aty ku jam. Dua të luaj dhe besoj që kam cilësi të luaj. Tani dua të jem i qetë dhe me shëndet të mirë. Objektivi tjetër është të luaj në Europian. Ajo është gjëja më e bukur.

Situata në kampin kuqezi – Ndihemi shumë të lumtur. Grupi është pozitiv. Na ka munguar gjithë ato vite që kemi kaluar, pak të ështira. Meritojmë një kualifikim në Europian dhe ta mbyllim në vendin e parë. Kur grupi bëhet kaq solid dhe lojtarët nuk ndryshojnë shpesh dhe është një grup si tani, kjo është gjëja më e bukur dhe prandaj kemi edhe rezultate.

Çfarë ka ndryshuar Silvinjo? – Grupi është solid dhe nuk ndryshojnë shumë shpesh lojtarët. Jemi 24 lojtarë gjithmonë bashkë. Nuk ka kohë në Kombëtare për të ndryshuar grupin dhe kjo na ka munguar gjithë këto vite. Kjo është gjëja më e bukur që ka bërë ky trajner, ka krijuar grupin. Jemi shumë afër me njëri-tjetrin dhe kjo duket edhe në fushë.

A e ka menduar Strakosha se çfarë e pret në Gjermani? – Nuk e kisha menduar, por tani që jemi shumë afër po e mendojmë të gjithë dhe besoj se do të jetë akoma edhe më e bukur sepse nga eksperienca e parë kupton se çfarë gabimesh janë bërë. Tani kemi shumë lojtarë që luajnë në nivele të larta, kanë pasur eksperienca të tilla. Kemi një grup të mirë. Kemi edhe dy ndeshje për të luajtur që të sigurojmë kualifikimin. Por nëse kualifikohemi, ne e kemi ekipin për të provuar diçka më tepër në Europianin e ardhshëm.

Berisha apo Strakosha në portë në ‘finalet e Europianit’ – Nuk jam unë ai që vendos. Ka ende edhe disa muaj për të shkuar në finalet e Europianit. Vitin e kaluar mendoja se do të luaja me Brentford dhe kalova një dëmtim 7 muaj. Gjërat ndryshojnë, nuk i dihet kurrë. Duhet të jem i lumtur që jam me Kombëtaren dhe të jem mirë me shëndet.

Çfarë dini për ekipin Bullgar dhe çfarë prisni? – Presim një ekip që është i vendosur mbrapa dhe që do të na provokojnë me goditje standarde. Por ne duhet të shikojmë ekipin tonë dhe të provojmë të fitojmë ndeshjen.

Sa seriozisht e keni marrë ndeshjen me Bullgarinë? Kujt lojtar i druheni? – Marrim çdo stërvitje dhe ndeshje shumë seriozisht, për të krijuar një grup solid, kompakt. Ne jemi gati për çdo ndeshje.

(Video) Trajneri Silvinjo dhe portieri kuqezi Thomas Strakosha, sot në konferencën zyrtare për pragndeshjen miqësore Shqipëri-Bullgari

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img