Vllaznia-Tirana 4-0(Shënuese: Fortesa Berisha 13’, 31’, Gresa Berisha 80’, Yamada 83’)
Vllaznia-Tirana, klasikja e futbollit shqiptar, ka qënë ndeshja mës kryeqore e javës së 16-të e kampionatit kombëtar të futbollit “Abissnet Superiore” për femra. Ndeshja e luajtur pasditen e sotme në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës u mbyll me rezultatin e pastër 4 me 0 në favor të Vllaznisë.
Pjesa e parë është mbyllur me rezultain 2 me 0 falë dy golave të shënuara nga Fortesa Berisha, përkatësisht në minutat 13’ dhe 31’.
Goli i tretë për skuadrën kuqeblu erdhi në minutën e 80’ nga një Berishë tjetër, Gresa, ndërkohë që goli i japonezes Yamada në të 83-tën, vulos fitoren 4 me 0 në favor të Vllaznia. Falë kësaj fitoreje vajzat e Vllaznisë shkojnë në kuotën e 45 pikëve duke mbajtur vendin e parë, ndërsa Tirana zbret në vendin e katërt me 36 pikë.
Në ndeshjet e tjera të javës së 16-të të Abissnet Superiore futboll femra, Partizani fitoi në “Arenën e Demave” ndaj Lushnjes me rezultatin e thellë 17-0. Falë këtij triumfi vajzat e kuqe ngjiten në vendin e tretë me 36 pikë, po aq sa Tirana e vendit të katërt.
Gramshi u rikthye te fitorja në kampionat pasi mundi Teutën në shtëpi me rezultatin 9-0. Ndërkohë, Apolonia triumfoi ndaj Laçit me rezultatin 10-0. Fieraket ndodhen në vendin e dytë me 42 pikë, tre më pak se Vllaznia e vendit të parë. Ndeshja tgjetër mes Kinostudios dhe Skënderbeut përfundoi me rezultatin e thellë 10-0 për vajzat kryeqytetase.
Rezultatet e javës së 16-të të “Abissnet Superiore” për vajza:
Skënderbeu – Kinostudio, 0-10
Apolonia – Laçi, 10-0
Partizani – Lushnja, 17-0
Gramshi – Teuta, 9-0
Vllaznia – Tirana, 4-0
Për t’u theksuar është se java e ardhshme, ajo e 17-ta ka në kalendar, ballafaqimin e dy skuadrave kryesuese, Vllazninë e vendit të parë me Apoloninë e vendit të dytë, takim që do të luhet në stadiumin “Loni Papuçiu” të Fierit.
(Video) Pamje nga ndeshja, Vllaznia –Tirana, 4-0. Superiore futboll femra, luajtur sot në stadiumin “Loro Boriçi”