Thursday, March 28, 2024

(Video) Vora, me stadium të ri, presidenti Duka: Fryt i bashkëpunimi fantastik me FSHF-në. Së bashku mund të bëjmë gjëra të mëdha!

Lexo

Nga sot Vora ka një stadium modern e bashkëkohor i ndërtuar falë një bashkëpunimi mjaft të mirë të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe Bashkisë së Vorës. Një impiant që ofron kushte moderne e që është bërë realitet në një kohë mjaft të shpejtë falë një investimi madhor që pritet t’i japë një nxitje zhvillimit të futbollit në këtë qytet.

Stadiumi u inaugurua sot përmes një ceremonie festive, që u zhvillua pak para ndeshjes inauguruese të Kategorisë së Dytë midis KF Vorës dhe Valbonës e ku ishin të pranishëm Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, Kryetari i Bashkisë Vorë, Blerim Shera, personalitete të shumta të futbollit dhe jetës publike si edhe qindra tifozë.

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, në fjalën e mbajtur gjatë këtij eventi shprehu kënaqësinë për realizimin e këtij investimi të rëndësishëm që e ka futur tashmë Vorën në hartën e futbollit kualitativ. Kreu i qeverisë së futbollit vlerësoi bashkëpunimin me Baskinë Vorë dhe donatorët e klubit në këtë rast, teka theksoi se kur bëhemi të gjithë bashkë mund të bëhen gjëra të mëdha.

“Jam vërtetë i kënaqur që sot jam në këtë impiant të ri që realisht duket i pabesueshëm që mund të ishte në Vorë. Kam parë fotot e ndeshjeve të zhvilluara në këtë stadium shumë pak vite më parë dhe për fat të keq ishte një moçalishte e tërë. Më në fund Vora është futur në hartën e futbollit kualitativ dhe për këtë jam vërtetë shumë i kënaqur që jam sot këtu mes gjithë këtyre mbështetësve të futbollit, – tha Presidenti Duka. – Ky projekt është një bashkëpunim fantastik, shembulli më i mirë i bashkëpunimit me Bashkinë e Vorës, me donatorë të tjerë, drejtuesit e klubit të Vorës, të cilët ishin iniciatorë të këtij projekti. Është një shembull i mirë që tregon se nëse bëhemi bashkë mund të bëjmë shumë gjëra të mira. Infrastruktura është prioritet tashmë i FSHF-së, por asnjëherë Federata e vetme nuk mund ta ndryshojë këtë realitet. Patjetër që duhet bashkëpunim e mbështetje nga të gjithë”, – u shpreh Presidenti i FSHF-së.

Sakaq, Presidenti Duka zbuloi se shumë shpejt do të nisë ndërtimi i një fushe stërvitore në Vorë, ndërsa përmendur edhe projektet e FSHF-së siç është edhe ai “Uniforma Ime” që po i japin një hov zhvillimit të futbollit.

“Për Vorën ne kemi një projekt të afërt për ndërtimin e një fushe stërvitore, por për të mos e përfunduar këtu e për të vazhduar më tej. Në fund të fundit për të bërë detyrat tona, për t’i shërbyer fëmijëve tanë, që t’i bashkohen sa më shumë lojës së futbollit, ta shpenzojnë kohën e tyre në mënyrë të shëndetshme me sport dhe jo me vese të tjera negative që u kushtojnë shumë familjeve. FSHF tashmë është bërë partnere me çdo familje shqiptare nëpërmjet projekteve Topi Yt apo projektit të fundit Uniforma Ime. Përmes këtyre projekteve nxisim realizimin e ëndrrave të çdo fëmije për t’u bërë futbollist. Vetëm në këtë edicion të parë falë efektit të projektit Uniforma Ime janë regjistruar deri më tani 1 mijë fëmijë më shumë në ekipe futbolli dhe kjo nuk është pak. Akoma më shumë do të bashkohen fëmijët në futboll, jo vetëm për t’u bërë profesionistë, por për t’u bërë qytetarë të shëndetshëm. Falënderoj kryetarin e Bashkisë, donatorët, drejtuesit e klubit për këtë impiant dhe për projektin Vora e të ardhmes në futboll. Shumë suksese të gjithëve!”, – theksoi Presidenti i FSHF-së.

Kryetari i Bashkisë Vorë, Blerim Shera u shpreh mjaft i lumtur që tashmë ky qytet ka një stadium të ri e moderne dhe i shprehu mirënjohjen Presidentin e FSHF-së për këtë kontribut mjaft të rëndësishëm për komunitetin.

“Më në fund qyteti ynë pas kaq shumë vitesh u bë me një stadium të ri. Për këdo që nuk besonte apo ishte skeptik e ftojmë të vijë të vizitojë këtë impiant të ri, që do të shërbejë për të gjithë fëmijët e zonës për të luajtur futboll, por ndërkohë do të ketë edhe një impakt social dhe ekonomik. I shpreh mirënjohjen Presidentit të FSHF-së, Armand Duka, pasi pa të ky stadium nuk do të ishte bërë i tillë, mirënjohje edhe për të gjithë ata që punuan dhe kontribuuan për ndërtimin e këtij stadiumi. Ky është vetëm fillimi, pasi së bashku me FSHF-në ne do të ndërtojmë edhe një fushë tjetër stërvitore, që do t’i shërbejë të rinjve për të luajtur futboll, pasi misioni ynë është mbështetja e të rinjve”, – tha Blerim Shera.

Stadiumi i ri i Vorës është një nga impiantet më të mira të Kategorisë së Dytë e që i përshtatet vizionit të drejtuesve të klubit për të rritur nivelin e përfaqësimit në të gjitha nivelet e kampionateve të futbollit.

(Video) Ceremonia inauguruese e stadiumit të Vorës, fjala e Presidentit Armand Duka

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img