Federata Shqiptare e Boksit ka programuar këtë fundjavë organizimin në Shkodër të tre aktivitete kombëtare njëherësh. Bëhet fjalë për kampionatet kombëtare të moshave U-16 dhe U-18, si dhe për Kupën e Shqipërisë për të rritur.
Ballafaqimet e para i përkasin kategorisë së moshave U16 dhe U18. Ndeshjet, të cilat kanë filluar që prej paradites së sotme, po zhvillohen në palestrën e boksit Vllaznia përmes një rivaliteti të madh në mes ekipeve pjesëmarrëse. Sipas kryegjyqtarit të aktivitetit, Baftjar Abazi, konkurimet e kategorive të moshave po shoqërohen me një luftë të fortë sportive ku falë edhe nivelit të kënaqshëm të boksierëve konkurues, cilësia e boksimit në ring është e nivelit të lartë.
Rivaliteti më i madh në konkurimin e moshave është përqëndruar mes ekipeve të Besëlidhjes dhe Studentit. Për tu theksuar është ekipi lezhjan Besëlidhja përfaqësohet tërësisht nga boksierët e Vllaznisë. Boksierët e këtij ekipi që drejtohen nga dy vëllezërit, Klaudio dhe Emiliano Çekini kanë arritur të kualifikojnë në finale plot katër boksierë të kategorisë U-16 duke pretenduar seriozisht për shpalljen kampion, si individë dhe si ekip.
Mes tyre spikat një talenti Jurgen Lazri, i cili duke konkuruar në peshën deri në 66 kg sfidoi rivalin e tij të Studentit, Frenk Bali, fitoi pastër me rezultatin 3 me 0. Sipas trajnerëve të tij, vëllezërve, Klaudio dhe Emiliano Çekini, Jurgen Lazri është një super talent i boksit shqiptar dhe ndër boksierët më të mirë të viteve të fundit në Shqipëri, i cili shumë shpejt do të bëhet i njohur edhe në anerën ndërkombëtare. Edhe pse aktualisht ai është vetëm 14 vjeç, falë të dhënave të tij mjaft cilësore, apo po konkuron dhe sfidon rivalët e tij 16 vjeçarë, ku pas fitoreve të dy ndeshjeve të parë, në finalet e ditës së dielë, pret të shpallet kampion kombëtar.
Kujtojme që ky boksier, Jurgen Lazri, ka marrë pjesë edhe në Kampionatin Europian të moshave dhe ka bërë një paraqitje shumë të mirë duke u paraqitur denjësisht në ndeshjet që u zhvilluan në Itali.
Së bashku me 14 vjeçarin shkodran, Jurgen Lazri, për Besëlidhjen konkurojnë edhe boksierë të tjerë shkodranë, si Tonin Prela i peshës deri në 63 kg, për të vijuar me Renato Gurrën e peshës deri në 80 kg, si dhe Dario Gjetja i peshës plus 80 kg, të cilët duke dalë fitues të dy ndeshjeve të para, janë kualifikuar në finalet e ditës së dielë.
Sipas informacionit marrë nga kryegjyqtari i aktivitetit, Baftjar Abazi, dita e dielë ka në program zhvillimin e finaleve të Kampionatit Kombëtar të moshave U-16 dhe U-18, si dhe finalet e Kupës së Shqipërisë për të rritur.
(Video) Boks-Ndeshjet e Kampionatit Kombëtar të kategorisë U16 dhe U18-Palestra e boksit Vllaznia-17 dhjetor 2022)