Friday, May 3, 2024

(Video)FSHF organizon një drekë me gazetaret & modetaroret televizive, Presidenti Duka: Të sensibilizojmë më shumë vajza që të luajnë futboll

Lexo

Federata Shqiptare e Futbollit ka organizuar sot një drekë me gazetaret dhe moderatoret e emisioneve televizive në Shqipëri, kapitenet e skuadrave të Kampionatit Kombëtar të vajzave dhe tarajnerë të ekipeve të vajzave.

Në këtë aktivitet ishin të pranishëm edhe Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, anëtarja e KE-së së FSHF-së, Anila Basha si edhe stafi i Federatës së Futbollit.

Në nisje të aktivitetit anëtarja e KE-së, Anila Basha, pasi i uroi mirëseardhjen të gjithë të ftuarve, bëri me dije punën e madhe që FSHF ka bërë ndër vite për zhvillimin e futbollit të vajzave dhe theksoi se takime të tilla janë shumë të vlefshme për të sensibilizuar opinionin publik që vajzat të afrohen edhe më shumë me futbollin.

“FSHF ka bërë shumë për futbollin e vajzave ndër vite, do të ishte bukur nëse do të kishte edhe fokusin e medias shqiptare për të gjithë këtë punë kaq e madhe të bërë prej më shumë se një dekade. Por mendoj se një tjetër dimension i hapësirës publike duhet t’u përkasë vajzave të futbollit dhe më mirë se kushdo tjetër këtë mund ta realizoni ju”, – tha Basha.

Ndërsa Presidenti i FSHF-së, Armand Duka u shpreh se është bërë një progres i jashtëzakonshëm krahasuar me disa vite më parë, duke thyer shumë tabu në vendin tonë dhe se futbolli i vajzave mbetet një prioritet absolut i Federatës. Për kreun e FSHF-së objektivi është që një ditë të kemi po aq futbolliste vajza sa ka edhe djem.

“Unë ju falënderoj që keni gjetur kohën për të marrë pjesë në këtë aktivitet sot. Takimi i sotëm ka qëllim t’ju sensibilizojë që ju të jeni zëri më i mirë i mundshëm për të shkuar te vajzat shqiptare kudo nëpër Shqipëri, te prindërit e tyre, që t’i bindim ata se vajzat e tyre mund të luajnë futboll. Ne u jemi borxhli në përgjithësi fëmijëve shqiptarë, por u jemi akoma më shumë borxhli vajzave, sepse për vite me radhë u është mohuar e drejta për të luajtur futboll. Kur themi e kemi prioritet futbollin e vajzave, nuk e themi thjesht si sllogan për t’u hequr si një institucion trendi, por sepse është një e drejtë e vajzave dhe grave për të luajtur futboll. Nuk është futbolli një sport vetëm për djem, padyshim që ka qenë shumë e vështirë për ta rritur futbollin e vajzave apo për të thyer tabutë e para. Shumë vonë krahasimisht me Europën e zhvilluar, diku në vitin 2006 kanë nisur vajzat të luajnë futboll në Shqipëri, madje në mënyrë jo shumë të organizuar dhe në vitin 2009 kemi krijuar ekipin Kombëtar. Tashmë ne numrërojmë 2 mijë vajza që luajnë futboll në Shqipëri dhe në fakt janë pak. Ne duam të arrijmë në të njëjtin numër, siç ka çuna dhe burra të ketë po aq vajza dhe gra që luajnë futboll”, – tha Presidenti Duka, duke renditur edhe të mirat që vijnë nga angazhimi në sportin e futbollit për vajzat por edhe për vetë shqoqërinë shqiptare.

“Padyshim të gjitha sportet janë shumë të mkra për shëndetin, por unë do të veçoja futbollin, jo vetëm se rrit fëmijë më të shëndetshëm, jo sepse rrit vajza më të shëndetshme, por i edukon akoma më mirë. Sepse është një sport kolektiv, është sporti që ka më shumë numër sportistësh në një skuadër, kështu që është shumë i mirë për shoqërinë në përgjithësi. Jo vetëm për të prodhuar vajza dhe gra të cilat luajnë futboll profesionist, por edhe për të pasur një shoqëri më të shëndetshme. Falënderoj edhe kapitenet e ekipeve që kemi sot këtu, sepse edhe ato kanë fituar një luftë me mentalitetin shqiptar. Në fakt ndonjëherë nuk jemi vetëm ne burrat që ua kemi mohuar vajzave futbollin, por janë edhe gratë që ua mohojnë vajzave të tyre futbollin. Kështu që këto vajza futbolliste e kanë fituar këtë betejë me familjet e tyre, ne të gjithë bashkë duhet ta fitojmë dhe të afrojmë sa më shumë vajza me botën e bukur të futbollit”, – deklaroi ndër të tjera Presidenti i FSHF-së.

Gjatë drekës gazetaret dhe moderatoret patën mundësi të bashkëbisedonin me vajzat futbolliste për të mësuar më shumë rreth futbollit të vajzave dhe investimet që ka bërë FSHF në këtë drejtim.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img