Monday, November 25, 2024

(Video)Metodologji e re stërvitore për trajnerët e portjerëve, seminar i FSHF-së

Lexo

Është zhvilluar sot edicioni i parë “Goalkeeping Seminar”, i dedikuar posaçërisht për trajnerët e portierëve që punojnë në futbollin shqiptar nën udhëheqjen e Sektorit të Edukimit në FSHF.

Seminari u mbajt në ambientet e Shtëpisë së Futbollit në Tiranë dhe interesi ka qenë i lartë, pasi morën pjesë rreth 50 persona, profesionistë të fushës nga të gjitha zonat rajonale e që janë të angazhuar me klube, akademi, ekipe rajonale apo ekipe Kombëtare të të gjitha moshave.

Në hapje të aktivitetit ishte i pranishëm edhe Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, i cili në fjalën përshëndetëse theksoi punën e madhe që qeveria e futbollit po bën në drejtimin të kualifikimit dhe edukimit të profesionistëve të futbollit.

Lektorët e këtij seminari të parë ishin Prof. Antonello Brambilla, i cili ka trajnuar në klube të Serie A, Premier League, Ligue 1, si edhe Ilir Bozhiqi, trajner i portierëve në Kombëtaren shqiptare të asistuar nga Erion Meta i Sektorit të Zhvillimit të Portierëve.

Në pjesën teorike Prof. Brambilla u shpjegoi pjesëmarrësve metodologjitë më bashkëkohore të stërvitjes së portierëve dhe veçanërisht përgatitja e ndeshjes dhe mënyra si duhet punuar në detaje me situata të ndryshme të lojës. Gjithashtu, në prezantimin e tij Brambilla u shpjegoi pjesëmarrësve rëndësinë e përdorimit të neuroshkencës për ta përshtatur në procesin e stërvitjes së portierëve.

Gjatë pjesës teorike referoi edhe Ilir Bozhiqi, i cili theksoi nevojën e përditësimit të informacioneve më të fundit rreth stërvitjes së portierit modern.

Më pas, seminari u spostua në fushë, ku u demonstrua në praktikë situata të ndryshme të lojës dhe mënyrës së punës me portierët, siç edhe e theksoi prof. Antonello Brambilla në prononcimin e tij për Fshf.org.

“Ideja ime ishte të bëja sugjerime, është ajo që unë bëj zakonisht kur stërvis portierët, që t’u jepja disa këshilla të vogla, më pas trajnerët vendosin nëse duan t’i vënë në zbatim ose jo. Është një punë e bazuar shumë në situatat e lojës, pra ajo që ndodh realisht në ndeshje. Këtu kemi rindërtuar momente të lojës, situata të ndryshme, mënyrë të ndryshme loje dhe kemi punuar me pritjet e dyfishta.

Sjell edhe shembullin e Italisë, që për shumë vjet kishte një shkollë të posaçme për trajnerët e portierëve dhe në dhjetë vitet e fundit janë zhvilluar shumë edhe në vende të tjera mënyra e punës, teknikat e pritjeve. Kësisoj, të ftosh ndonjëherë trajnerë që vijnë nga jashtë të ndihmon të marrësh eksperiencë, pra të shohësh se çfarë ndodh edhe jashtë vendit tënd. Pjesëmarrësit ishin shumë aktivë, treguan dëshirë për të mësuar dhe përmirësuar, kështu që kam gjetur gatishmëri të madhe dhe dëshirë për t’u angazhuar”, – tha Antonello Brambilla.

Ndërsa, trajneri i portierëve të Kombëtares, Ilir Bozhiqi, vlerësoi iniciativën e FSHF-së dhe theksoi nevojën për kualifikimin e mëtejshëm e të vazhdueshëm të trajnerit të portierëve.

“Ky seminar është shumë i domosdoshëm për trajnerët shqiptarë, sepse ne kemi pasur mangësi nga e kaluar sa i takon kualifikimit të trajnerëve të portierëve. Seminari i paraprin atij kursi “UEFA B Goalkeeping” që do të zhvillohet së shpejti. Antonello, i cili është trajner me eksperiencë të madhe, por edhe ka punuar si lektor, erdhi këtu për të dhënë leksione teorike dhe praktike të punës së trajnerit të portierëve. Shpresojmë që të ketë edhe në vazhdimësi nisma të kësaj natyre sepse i vlejnë shumë rritjes profesionale të trajnerëve të portierëve. FSHF ka ndërmarrë një nismë shumë të mirë, sepse portieri është një rol shumë specifik në skuadër dhe ka nevojë për një kualifikim maksimal. FSHF ka bërë para disa vitesh kurse të kësaj natyre, por mendoj që kohët kanë evoluar dhe metodologjia e punës është bërë më specifike dhe mendoj se këto kualifikime do të ndihmojnë në arritjen e objektivit për të licencuar edhe trajnerët e portierëve njësoj si trajnerët e parë”, – tha Bozhiqi.

Përgjegjësi i Sektorit të Zhvillimit të Portierëve në FSHF, Erion Meta, falënderoi të gjithë pjesëmarrësit dhe strukturat e FSHF-së për mbështetjen, duke e cilësuar këtë seminar si fillimi i një rrugëtimit të gjatë për zhvillimin e sektorit të portierëve.

“Doja të falënderoja Federatën Shqiptare të Futbollit për organizimin e këtij seminari. Gjithashtu, dua të falënderoj të gjithë kolegët pjesëmarrës me një qëllim të vetëm, si të ndihmojmë dhe përmirësojmë portierët tanë. Kjo platformë është krijuar nga FSHF me qëllimin e vetëm për të përmirësuar dhe ndihmuar rolin e portierit në nivel kombëtar dhe seminari i sotëm është hapi i parë drejt këtij rrugëtimi afatgjatë. Organizimi i këtij seminari është pjesë e programit tonë edukativ, duke pasur parasysh që pas dy javësh nisim ‘UEFA B Goalkeeping’ donim t’i jepnim kolegëve një shije të asaj se çfarë do të ndodhë gjatë kursit të UEFA-s dhe duke parë pjesëmarrjen dhe përshtypjet e kolegëve mendoj se ia kemi arritur qëllimit”, – tha Meta.

(Video) Seminari i FSHF-së për metodologjinë e re stërvitore të trajnerëve të portjerëve

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img