(VIDEO)“NË SHTËPINË E FUTBOLLIT”/ EGNATIA DHE AVENTURA EUROPIANE, JAVA E DYTË E KAMPIONATIT DHE PARAQITJET E LEGJIONARËVE NË FOKUS TË EMISIONIT

Lexo

- Reklamë -spot_img

Emisioni “Në Shtëpinë e Futbollit” vijoi këtë javë në FSHF TV, duke sjellë në fokus zhvillimet më të rëndësishme të futbollit shqiptar, me vëmendje te aventura europiane e Egnatias, java e dytë e “Abissnet Superiore”, paraqitjet e legjionarëve kuqezi dhe investimet në infrastrukturën sportive.

Nën drejtimin e Lenida Halilajt, në puntatën e radhës, pjesë e panelit ishin Drejtori i Departamentit të Kërkimit dhe Zhvillimit në FSHF, Alban Tafaj, dhe gazetari sportiv Blerim Jahaj. Gjatë emisionit u analizuan temat më të rëndësishme të javës, ndërsa një prej momenteve kryesore ishte lidhja live me trajnerin e Egnatias, Nevil Dede.

Në fokus të diskutimit ishte Egnatia dhe kualifikimi historik në fazën e ligës së UEFA Conference League. Kampionët e Shqipërisë kanë mësuar kundërshtarët me të cilët do të përballen në aventurën europiane, teksa u diskutuan mundësitë e skuadrës rrogozhinase dhe objektivat në këtë kompeticion.

Përmes lidhjes live, trajneri Nevil Dede foli për rrugëtimin e Egnatias, nga momenti kur mori drejtimin e skuadrës deri te fitimi i titullit kampion dhe kualifikimi historik në fazën e ligës së UEFA Conference League. Trajneri i kampionëve u ndal edhe te gjashtë kundërshtarët europianë dhe sfidat që e presin skuadrën në muajt e ardhshëm.

Dede foli gjithashtu për nisjen e sezonit të ri në “Abissnet Superiore”, ku Egnatia ka regjistruar dy fitore në dy javët e para dhe mban kreun e renditjes me pikë të plota. Objektivi për të mbrojtur titullin kampion ishte një tjetër prej temave të diskutuara gjatë lidhjes live.

Emisioni u ndal edhe te Dinamo City dhe rrugëtimi i saj në UEFA Conference League. Skuadra shqiptare i shkoi shumë pranë kualifikimit ndaj Pafos, por aventura europiane u mbyll pas një përballjeje të fortë. U analizua rrugëtimi i Dinamo City në këtë kompeticion dhe paraqitja e skuadrës gjatë aventurës europiane.

Një hapësirë të rëndësishme zuri edhe java e dytë e “Abissnet Superiore”, ku u diskutua çdo ndeshje dhe triumfet e Egnatias, Laçit, Dinamo City dhe Teutës.

Në rubrikën kushtuar legjionarëve kuqezi, vëmendja u përqendrua te paraqitjet pozitive të futbollistëve shqiptarë në kampionatet europiane. Rey Manaj, Mirlind Daku dhe Cristian Shpendi gjetën rrugën e rrjetës, ndërsa Ernest Muçi u bë protagonist me asistin për Mohamed Salah.

Në emision u diskutua gjithashtu edhe për Socca Albania, që ka nisur me rezultate shumë pozitive aventurën në grup. Shqipëria ka regjistruar dy fitore ndaj Uruguajit dhe Nigerisë dhe sot zhvillon ndeshjen e tretë dhe të fundit të grupit ndaj Hungarisë.

Në fund, në fokus ishte edhe investimi i FSHF-së në infrastrukturën sportive. Ka përfunduar rikonstruksioni i fushës me bar natyral në “Shefqet Lamçja”, një terren që do t’i shërbejë zhvillimit të futbollit dhe përgatitjeve në kuadër të UEFA U-21 EURO 2027.

Emisioni “Në Shtëpinë e Futbollit” vijon të sjellë çdo javë pranë publikut temat dhe ngjarjet më të rëndësishme të futbollit vendas, europian dhe kombëtar.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img