Turi i 80-të i Shqipërisë në çiklizëm ka ulur siparin të premten në Fier, ndërsa etapa e pestë ka patur për itinerar Përmet – Fier. Një etapë që është nisur dhe ka përfundur me kohë të mirë, ndërsa i pari vijën e finishit e ka prerë greku Polikronis Tzorts i Greqisë me kohën 2h42’55”. Pas tij, në të njëjtin ritëm me çiklistin grek, ishte dhe azerbajxhanasi Jabralov dhe turku Junus Jilmaz. Fanella e verdhë dhe fituesi i Turit të Shqipërisë ishte britaniku Stedman, kurse si ekip Greqia. Fanella jeshile shkoi për grekun Nikiforos Arvanitou. Fanella kuqe duke qenë edhe mbreti i malit ishte për Periklis Iljaz dhe fanella e bardhë, që ishte dhe i riu më i mirë i Turit të 80-të të Shqipërisë, shkoi për amerikanin Xhonah Killi. Në përfundim të Turit të 80-të të Shqipërisë, presidenti i Federatës Shqiptare të Çiklizmit, Skënder Anxhaku, dhe kryegjyqtari i garave, Xhoshua Kopitko do të deklaronin për Radio Televizionin Shqiptar.
“U munduam me të gjitha mundësirat që patëm. Arritën të merrnim vendin e katërt. Aksidentalisht ishim në vendin e tretë, por diçka nuk shkoi dhe unë nuk kisha dëshirë të ndërhyja tek komisari i garës për këtë veprim, i cili kaloi në vendin e tretë rumunin kur ndaloi 500 metra përpara finishit të aktivitetit sikur kishte bërë defekt. Dhe meqë jam në qytetin tim dhe nuk e kam këtë dëshirë për të marrë masa të tilla pranova që të dilnim nga vendi i tretë në të katërtin”, deklaroi Skënder Anxhaku.
“Unë kam qenë edhe përpara katër vitesh në Shqipëri në të njëjtin aktivitet dhe mund të them se gjithçka ka ardhur në perfeksion. Federata Shqiptare e Çiklizmit merr notat maksimale të organizimit, ndërsa ajo që duhet cilësuar edhe Policia e Shtetit, që ka qenë në lartësinë e duhur. Sigurisht që krijoi vështirësi anullimi i etapës së katërt, por në tërësi gjithçka shkoi mirë. Një vend i bukur, ku tani do të preferoj të vijë ta vizitoj edhe si turist”, pohoi Kopitko.
(Video) Pamje nga gara e etapës së pestë të turit çiklistik të Shqipërisë, Përmet-Fier, 123 km e gjatë)