Saturday, July 27, 2024

Vllazni euforike, Teuta e mund pastër 3 me 0 dhe fiton Superkupën. Tifozët kuqeblu lum kritikash ndaj lojtarëve dhe stafit teknik

Lexo

Sfida e Superkupës së Shqipërisë në fakt kishte ditë të tëra që kishte nisur në mjedisin futbollistik të qytetit verior. Një Shkodër e tërë e priste më padurim këtë përballje. Ishte një sfidë mes durrsakëve kampionë dhe kuqebluve nënkampionë dhe fitues të Kupës së Shqipërisë, të cilët kishin diçka për të zgjidhur me kundërshtarin, ose më saktë një tip hakmarrje lidhur me atë që ato e konsiderojnë si një titull të pamerituar të fituar nga Teuta, dhe në një farë mënyre duke i marrë Superkupën çonin “nderin“ në vend. Por, krahas kësaj, kishte edhe një sfidë trajnerësh, Martini-Brdariç, por diçka edhe më tej, Martini-Plori lidhur me polemikat e shumta që përfshinë mediat dhe rrjetet sociale që filloi në rang skuadre dhe përfundoi në personale. Dhe, në mbyllje, fituese e Superkupës është Teuta, e cila në harkun kohor të një viti, përpos titullit kampion, bën të sajat dy Superkupat, por edhe Kupën e Shqipërisë. Suksese këto, që krahas skuadrës, kanë edhe emrin e shkodranit, Edi Martini,  i cili ashtu siç ka qënë në fushën e lojës si futbollist po shkëlqen edhe si trajner.

Vllaznia euforike

Euforia e kuqebluve në pragfinalen e Superkupës së Shqipërisë ishte aq e madhe, aq sa trofeu sipas tyre kishte ditë të tëra që ishte bërë pronë e tyre. Futbollistët, e së bashku me to edhe stafi teknik me në krye Brdariç deklaronin pa ngurim dhe me shumë besim se do ta sfidonin Teutën. Por, në fushën e lojës ndodhi e kundërta. Vllaznia u mund, madje u ndëshkua pastër me tre gola të shënuar nga Aleksi, Gruda dhe Plaku. I pari për gabim fatal të portjerit malazez, Zogoviç, dhe dy të tjerët për shpërfyturim të prapavijës. Dobësitë e shfaqura në repartin e mbrojtjes, përfshirë edhe kapitenin Gurishta, që në fakt e nisi mjaft mirë takimin por në vijim i ra rendimenti, mund të shoqëroheshin edhe me pësimin e golave të tjerë, pasi rastet e durrsakëve nuk munguan.

Zhgënjimi i tifozëve kuqeblu

Ashtu si edhe herët e tjera, tifozëria shkodrane nuk mungoi të ishte pranë skuadrës së zemres. Autokolona të panumërta mjetesh private, disa autobuzë në mënyrë të organizuar, madje edhe me biçikletë siç ishte rasti i Drian Licit, mbërritën në “Elbasan Arena” në mbështetje të ekipit shkodran. Entuziasmi dhe brohoritjet e tyre përpara ndeshjes, dhe disa momente të pjesës së parë, dominuan mjedisin e “Elbasan Arena”. Por, më pas, me pësimin e golave të njëpasnjëshëm, morali i tyre shkoi në pikën zero. Kishin udhëtuar drejt Elbasanit me besim se do të ktheheshin në Shkodër me trofeun e Superkupës, por zhgënjimi i tyre është tejet i madh. Jo vetem që nuk e fituan trofeun, por kurrësesi nuk e kishin menduar humbjen me tre gola diferencë.

Kritika futbollistëve dhe stafit teknik

Në këto kushte, pakënaqësia është mëse e ligjshme. Kritikat ndaj futbollistëve titullarë, por jo pak edhe ndaj stafit teknik, janë të shumta. Madje, për këto të fundit shkon edhe përgjegjësia më e madhe, pasi sipas tyre, dhe jo vetem, sepse me kritikat e tyre bashkohen edhe specialistët e futbollit, dështimi erdhi edhe nga ndërtimi jo si duhet i formacionit. Ndër të tjera, i riu Çoba është ai që merr komentet më të shumta, pasi për hirë të së vertetes, me futjen e tij në fushë, skuadra merr ritëm tjetër loje. Që do të thotë, se duhet shikuar seriozisht për shtimin e minutave të tij në formacion. E gjithë kjo që ndodhi mbrëmjen e së shtunës së 28 gushtit 2021 në “Elbasan Arena”, le të jetë një mësim i mirë për futbollistët, por edhe për stafin teknik dhe drejtuesit e klubit, në mënyrë që të merren masat e duhura sa nuk është vonë. Pasi, nëse vijohet me këtë nivel  që skuadra shfaqi në Superkupë ndaj Teutës, punët nuk parashikohen të jenë mirë. Skuadrat e Superiores janë forcuar jo pak, që do të thotë se lufta sportive për trofe, kapjen e zonës europiane, por edhe luftës për t’i shpëtuar rënies nga kategoria do të jetë shumë më e ashpër se sa sezonin e kaluar futbollistik.

Gaspër MARKU

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img