Për Vllazninë e basket meshkuj duket se po vijnë ditë të mira. Gjashtë humbjet radhazi në kampionat duke u renditur e fundit në tabelën e klasifikimit u shndërruan në një shqetësim të madh për të ardhmen e kësaj skuadre, e cila rrezikon seriozisht rënien nga kategoria e Superligës.
Por, siç është bërë me dije më herët, ditët e fundit pati një reagim pozitiv në lidhje me riformatimin e Shoqatës së Basketbollit Vllaznia, ku mes të cilave pritet rikthimi i presidentit Sokol Dibra.
Në pritje të këtij zyrtarizimi, shoqata ka filluar të lëviz nga vendi duke bërë të mundur zyrtarizimim e përforcimit të parë në radhët e Vllaznisë. Ai është amerikani Tavis Pistol Smith, 23 vjeç, 1 metër dhe 91 cm i gjatë. Basketbollisti ky që luan në pozicionin 1, i cili është vënë menjëherë në dispozicion të trajnerit Damian Bekteshi dhe do të jetë gati për sfidën e javës së shtatë të kampionatit, ndeshje kjo që luhet këtë të shtunë në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” duke filluar nga ora 18:00/
“Mëngjesin e ditës së sotme ka mbërritur në Shkodër blerja më e re e ekipit të “Vllaznisë”, Tavis Pistol Smith. Tavis luan ne pozicionin 1(pointguard) dhe do jetë një impuls i ri për përmirësimin e rezultateve duke filluar që nga ndeshja e së shtunës kundër ekipit të “Besëlidhjes “, shkruhet në njoftimin zyrtar që ka shpërndarë Vllaznia Basketball Club.