Thursday, February 29, 2024

“Vllaznia shkodrane”

Lexo

NGA BESNIK DIZDARI
Në të 10 titujt që ka fituar Vllaznia e Shkodrës – si gjithnjë përfshij këtu edhe titujt e kampionateve kombëtare të luftës – është vështirë të gjesh një lojtar që nuk është nga Shkodra, e që nuk ka dalë nga farishtja e pashtershme e futbollit të qytetit të veriut.

Sot kjo të duket një histori arkaike. Kjo ngaqë edhe futbolli shqiptar, ashtu si ka “vendosë “prej vitesh globalizimi tregtar i këtij sporti në gjithë botën, është po aty: lojtarë të “etnive” e prejardhjeve të ndryshme, madje edhe jo të kombësisë shqiptare që mbushin ekipet e qyteteve të tij. Pra, dikush mund të thotë, se kështu e bën gjithë bota. Unë them se për Shqipërinë e gjitha kjo nuk është e pranueshme deri në këtë shkallë. Dhe këtë nuk e them për herë të parë. Sigurisht nuk jam krejt kundër. Por jam që edhe kjo të bëhet duke njohur mirë stadin e sotëm të zhvillimit të këtij sporti në Shqipëri.

Dihet ndërkaq, kampionatin e sotëm e kryeson një skuadër shumë e mirë që është Egnatia e Rrogozhinës së vogël, duke mos pasur asnjë lojtarë të tokës së saj. Sigurisht ajo e ka të vështirë, të paktën tash për tash, që t’i lindë e t’i formojë shpejt e shpejt ata. Mirëpo, SK Tiranës, Dinamos, Partizanit, Vllaznisë së Shkodrës, Skënderbeut të Korçës, Teutës së Durrësit, AF Elbasanit e Elbasanit, Flamurtarit të Vlorës, Besës së Kavajës, Tomorit të Beratit, AF Luftëtarit të Gjirokastrës, të cilët i rreshtova sipas renditjes të podiumit të lartë në kampionatet, por dhe KS Lushnjës së Lushnjës apo Apolonisë së Fierit, gjithashtu qytete tradicionalë të zhvillimit të këtij sporti në Shqipëri, iu takon që në të shumtën, të mbështeten te lojtarë të dalë prej qytetit të tyre. Aq më tepër kur kujton se këto skuadra shqiptare nuk arrijnë kurrsesi të kenë synim që të fitojnë Kupat e Europës, si synojnë klubet gjigante, tashmë komerciale të Europës perëndimore. Pra, kjo sa për të kujtuar se tema e jonë nuk është “madhështore”, por në thelb krejt “modeste”. Kur them modeste, këtu nënkuptojmë thënien “si është vendi të bëhet edhe kuvendi”. Natyrisht pa kaluar në “nacionalizëm”.

Le të shkojmë tash te kampionati i Shqipërisë 2023-24.

Dhe vërejmë se, në tri javët e tij të fundit, ka ndodhur një befasi jo e vogël: Vllaznia e Shkodrës ka fituar tri ndeshje rresht: 3-1 me Dinamon, 1-0 me SK Tiranën dhe 5-0 me Skënderbeun e Korçës. Diçka e rrallë kjo për të gjithë vitet e fundit për skuadrën e Shkodrës, sidomos kur kujton se ajo ka plot 22 vjet (2001) që nuk fiton titullin e kampionit të Shqipërisë. E prapë se prapë nuk qëndron këtu problemi. Rasti në fjalë, le ta quajmë edhe episodik, na thotë se në këto tri fitore rresht, Vllaznia nuk është thjesht përfaqësuese e qytetit të Shkodrës, por është ajo që unë po e përcaktoj si “Vllaznia shkodrane” – me nistoret e të dy këtyre dy emërtimeve me germa kapitale. Them kështu se përjetova një dukuri që vërtet më befasoi. Dhe më doli se nga 19 lojtarët që interpretuan në këto tri fitore, plot 14 prej tyre ishin të lindur dhe të formuar prej skuadrave të rinjve të saj. Janë këta:

Qarri, Hakaj, Smajli, Krymi, Alivoda, Balaj, Gruda, Çoba, Sala, Dodaj, Pusi, Zaganjori, Dulaj, Selmani.

Plot 14 shkodranë nga 19! Kjo do të thotë se vetëm 5 prej 19 lojtarëve të Vllaznisë, nuk kanë dalë prej qytetit të saj: Stojanovic nga Serbia, Juric nga Kroacia, Boshnjaku e Mala nga Kosova dhe Gomes nga Brazili.

Për një çast, komentet po më duken të tepërta. Mirëpo, një koment i veçantë nuk qenka assesi i tepërt. Ai që na thotë se mund të bëhet edhe kështu, pra që skuadra e qytetit kryesisht të përbëhet me lojtarë që po i quaj “autoktonë”. Them se ky duhet të jetë synimi kryesor i kampionatit ende modest të Shqipërisë. Për kah vlerat ndodhemi në vendin e 49-të në Europë, sipas renditjes së UEFA-s, në atë që njihet si “Country Ranking 2023”. Kujtojmë se për “Kupat e Europës 2023-24” u arrit vetëm 1 kualifikim për në Turin I. Ndaj është trishtuese kur vëren se klubet shqiptare harxhojnë miliona për të blerë lojtarë të huaj, shumica krejt mesatarë.

Dhe ja ku dalim te problemi aktual.

Është problemi i atij që e quajnë jo shqip “merkato e janarit”. Po të duam mund të diskutojmë gjatë. Por pa diskutuar gjatë, nëse ka diçka që nuk shkon për kampionatin e Shqipërisë, është pikërisht kjo “merkato e janarit”. Dhe kaq i janë nënshtruar kësaj, saqë në çdo rubrikë televizive, në çdo intervistë, në shumicën e shkrimeve për kampionatin ka vetëm një pyetje që sundon: “Çfarë do të blini në “merkaton e janarit”? Prej asnjë komentatori, gazetari, rubrike, intervistuesi, nuk shtrohet pyetja thelbësore, madje edhe atdhetare që ta do mendja se duhej të ishte kjo:

“A do të mund të afroni ndonjë lojtar prej ekipeve të të rinjve të qytetit tuaj?”.

Një mospyetje e pamëshirshme! Madje, ndonëse fajtori kryesor këtu të duket se janë trajnerët e skuadrave, padyshim është pra, media, e cila i mëshon fort dëshirës shfrenuese për të blerë lojtarë, edhe në “merkaton e janarit”. Paratë lum! Dhe kampionati i Shqipërisë që e ka cenuar tejet formimin e talenteve të rinj të futbollit qytetar!

Të vijmë te rasti i tri fitoreve të Vllaznisë me 14 lojtarë vendas , çka na bëri ta emërtojmë si “Vllaznia shkodrane”. Dhe tjetra që na thotë se, të paktën në këto tri ndeshje, kjo Vllazni e një trajneri shqiptar të Maqedonisë së Veriut me emrin Qatip Osmani, ka aktivuar plot 10 lojtarë nën moshën 23 vjeç:

Qarri 22 vjeç, Smajli 21 vjeç, Alivoda 20 vjeç, Çoba 23 vjeç, Sala 23 vjeç, Pusi 21 vjeç, Dulaj 22 vjeç. Dhe më kuptimplotja: Dodaj 18 vjeç, Zaganjori 18 vjeç duke mbërritur te maja: Selmani 17 vjeçar!

Lind pyetja: a do të guxojë Vllaznia e Shkodrës ta prishë këtë “Vllazni shkodrane”?

Pra, që të vrapojë edhe ajo te “merkato e janarit” për të blerë lojtarë të të tjerëve, në dëm të atyre vendas?

Këtë nuk e di. Por ajo që di të them, është kjo tjetra, Vllaznia e Shkodrës, të mos e prishë “Vllazninë shkodrane”, madje ta përforcojë edhe më tej, duke synuar gjithnjë të tjerë talente të ekipeve të të rinjve të saj!

Me siguri që të tillë do të ketë. Nuk shter Shkodra. Dhe historia që më çon te Loro Boriçi 15 vjeç, Simon Deda 15 vjeç, Lin Shllaku 17 vjeç, Ramazan Rragami 16 vjeç, Sabah Bizi 17 vjeç, Medin Zhega 17 vjeç! Kaq sa për të shkuar te debutuesit më tipikë të saj në kampionatin kombëtar të Shqipërisë. Për të vazhduar për te një Selami Dani, te një Esat Rakiqi, te një Paulin Ndoja, te një Ismet Hoxha, te një Luan Vukatana, të cilët e veshën fanellën e Vllaznisë kur ishin a nuk ishin 18-19-vjeçarë. E plot të tjerë, që vetëm një studim i thelluar do të më çonte te një emëror shumë më i pasur se kaq. E, po më kujtohet se si kur te Vllaznia u rikthyen nga Shkëndija lojtarët e saj Astrit Hafizi, Ferid Rragami, Fatmir Paçrami apo Ardian Arra, të cilët nuk ishin më shumë se nja 19 a deri 21 vjeçarë, se çfarë skuadre të mrekullueshme paraqiti Vllaznia. Ajo ishte Vllaznia e Xhevdet Shaqirit të paharrueshëm, prekursor i madh i aktivizimit të futbollistëve të rinj të qytetit.

Ndërkaq, shkova te 17 Nëntori (SK Tirana) i vitit 1961. E, kujtesën për të, po e sjell duke marrë një fragment nga Libri 6 “Historia e kampionateve të Shqipërisë (1960-64)” në dorëshkrim, që shpresoj se do të botohet sa më parë:

“…Eshtë 23 prill 1961. Java 9, kur Partizani do të barazojë 2-2 me 17 Nëndorin në 11-shin e së cilës ishin plot 5 djem jo më shumë se 18-19-20 vjeçarë: Saraçi, Frashëri, Kasmi, Ishka, Xhaçka! Ky ishte një sensacion i vërtetë, sepse nuk ishte fjala për kampionatin e të rinjve, por për atë të të rriturve. Ndeshja është përmbysëse në të dy kahet. 1-0 për 17 Nëndorin (Shehu 58’), por 2-1 për Partizanin (Kraja (11-m), Shllaku) punë e kryer! Nuk do të ndodhë kështu, sepse mû në çastin kur gjyqtari i mirënjohur Sami Kotherja po bëhej gati të vërshëllente për mbarimin, Enver Rada, mjeshtri i goditjeve të këndit, interpreton plot elegancë po nga këndi pra, dhe ndonëse dikush tha se topi preku flokët e një lojtari para syve të Maliqatit, goli i mbeti Radës si i shënuar drejtpërdrejt prej tij nga goditja e këndit!. Është 2-2!

11-shi i atij 17 Nëntori të trajnerit Myslym Alla – një trajner i madh edhe për idetë dhe praktikën e pashtershme të tij në mbështetje të të rinjve të klubit – ishte ky:

Metani, Saraçi, Frashëri, Kasmi, O.Mema, Baçi, Rada, E.Shehu, Bylyku, Ishka, Xhaçka.

Ishte një 17 Nëntor, edhe me gjimnazistë, të lindur, rritur e formuar prej skuadrave, për ne të famshme, të të rinjve të klubit të Tiranës. Kishin tronditur Partizanin 1961 që ishte Kombëtarja e Shqipërisë. Me arsye ky, 17 Nëntor i ri u rendit thjesht i treti, sepse ende Partizani e Dinamo bënin ligjin për njëqind e një shkaqe!?

Nëse futbolli shqiptar ka një vlerë të madhe, qoftë dhe ashtu siç dhe sot i organizuar jo mirë në kampionatin e tij, është vlera e mosshterimit kurrë të tij prej talenteve. Kjo qysh në vitet e para luftës, teksa kujtoj me emocion edhe këtu, një Riza Lushtë e një Naim Kryezi, të cilët çuditën Italinë, asokohe kampione e botës në fuqi. Dhe të sillesh me kaq indiferencë ndaj talenteve vendas, si sillen sot të gjithë, teksa ushtojnë pa mëshirë për “merkaton e janarit” si të ishte fjala për Barcelonen, Interin, Manchester Cityn, Realin e Madridit, PSG-në dhe Bajernin, është vërtetë e palejueshme.

A thua e ka pasur gabim deri Italia e viteve ’60, e cila për disa kohë për t’i dhënë forcë formimit të talenteve të saj, vendosi atë që e quajti “embargo”, që ndalonte ardhjen e të huajve në futbollin italian?

Dhe ja ku shkoj te një ndër të metat më të mëdha të kampionatit të Shqipërisë sot, që është ndërrimi i shpeshtë i trajnerëve. E, ky apo ai trajner, i cili e din fort mirë se ndoshta nuk e zë viti me të njëjtën skuadër, vetvetiu shndërrohet në “armikun” e dorës së parë kundër mbështetjes të talenteve të rinj të qytetit. (Në këto 18 javë janë pushuar plot 8 trajnerë!). Dhe ky apo ai trajner pra, ngaqë e merr me mend se do ta largojnë, “o burra” ia mbush mendjen presidentit të klubit që ta forcojë skuadrën jo përmes talenteve vendas, por përmes lojtarëve të gatshëm “të huaj”, të blerë edhe në “merkaton e janarit”. Vërtet, sa dëm bën ndërrimi kaq i shpeshtë i trajnerëve të cilët nuk synojnë asnjë perspektivë, por vetëm një synim për pjesëmarrje, qoftë dhe “artificiale” kjo, në Kupat e Europës. Rrofshin 250.000 eurot e pjesëmarrjes a s’di se sa. Por edhe sivjet, skuadrat shqiptare nuk arritën më shumë se vetëm 1 kualifikim të Turit 1.

E pra, si do t’i shpëtojmë talentet e skuadrës së qytetit? Thjesht do të mendoja që tash për tash, përveç të tjerave, t’ia fillonim, të paktën me këto katër vendime:

  1. Skuadrat e qyteteve të përbëheshin 60% prej lojtarëve vendas, pra të qytetit përkatës.
  2. Çdo skuadër të mos ketë në fushën e lojës më shumë se 3 lojtarë të shteteve të tjera.
  3. Zhdukjen nga faqja e dheut e “merkatos së janarit”. Kjo do të thotë se për një vit skuadra nuk do të sjellë lojtarë të tjerë “të huaj”. Mjafton e ashtuquajtura “merkato e verës”.
  4. Në skuadrat kombëtare të Shqipërisë NEN21, NEN19, NEN17, të mos ketë më lojtarë të cilët vijnë nga shtete të tjerë, e këto kombëtare të përbëhen krejtësisht prej të rinjve vendas.

Duken të rrepta? Mirëpo, jam i bindur se edhe ju e dini se ka edhe shumë të tjera, ndonëse këtu rreshtova vetëm këto katër.

Dhe prapë kthehem te rasti i Vllaznisë. Po i kthehem për të ndikuar sado pak (nuk e di a do të ndikoj, megjithatë), duke i thënë:

“Mos u dorëzo, luaj kryesisht me të tuajt. Bindu se je skuadra e një prej qendrave më të fuqishme të rritjes së talenteve në Shqipëri. Lufto që ta bindësh rininë futbollistike të Shkodrës, më saktë talenteve të saj, se do të mund të jenë pjesë e “Vllaznisë shkodrane”, pra jo thjesht e Vllaznisë së Shkodrës. Mos konsumo të ardhura financiare për “merkaton e janarit”, por për rritjen e formimin e talenteve të qytetit tënd!”

Kuptohet, këtë thirrje nuk e kam vetëm për Vllazninë, por për të gjithë qytetet tradicionalë të futbollit shqiptar. E kam edhe për ata qytete “të vogla” të Shqipërisë, nëse kanë ndërmend ta zhvillojnë për së mbari futbollin e tyre. I kemi goditur fort vlerat e kampionatit të Shqipërisë, duke lënë prej kohësh jashtë tij AF Elbasanin e Elbasanit, Flamurtarin e Vlorës, Besën e Kavajës, Tomorin e Beratit apo AF Luftëtarin e Gjirokastrës. Dhe e keni goditur deri aty sa s’ka ku shkon më veprën, traditën, zhvillimin qytetar të kampionatit të Shqipërisë. Qofsha i gabuar, po nëse vazhdoni kështu, historia nuk do t’iu kujtojë për mirë. E kam fjalën për historinë sportive dhe të futbollit të Shqipërisë, jo për historinë universale të saj, ndonëse edhe sporti e futbolli bëjnë pjesë në këtë histori universale…

Na duhet “Vllaznia shkodrane”, “SK Tirana tiranase”, “Flamurtari vlonjat”, “Elbasani elbasanas”, “Tomori beratas”, Luftëtari gjirokastrit”, “Besa kavajase”. Mandej të tjerat…

A thua u kuptuam?…

PANORAMASPORT.AL

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img