Vllaznia po u jep dorën e fundit përgatitjeve për sfidën e parë të turit të parë eliminator të Ligës së Konferencës, aty ku shkodranët do të përballen me irlandezoveriorët e Linfilldit, në ndeshjen që luhet të enjten në mbrëmje në Belfast.
Kjo sfidë e parë do të zhvillohet në Stadiumin 18,000-vendësh “Uindsor Park”, që shërben edhe si stadiumi kombëtar i Irlandës së Veriut.
Burime pranë klubit kuqeblu bëjnë të ditur se skuadra kuqeblu do të grumbullohet të mërkurën në mëngjes në mjediset e Stadiumit “Loro Boriçi” të Shkodrës, aty ku do të niset në orën 09:30 drejt kryeqytetit, drejt Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza” të Rinasit.
Në orën 12:30, delegacioni i Vllaznisë do të fluturojë nga Rinasi drejt kryeqytetit të Irlandës së Veriut, aty ku pritet të mbërrijë rreth orës 17:00. Pas akomodimit në hotel, është planifikuar që skuadra shkodrane të mbajë konferencën për shtyp në ora 19:00, për të vijuar gjysmë ore më pas, të zhvillojë edhe seancën stërvitore të fundit në fushën e stadiumit ku do të zhvillohet ndeshja.
Vllaznia, e cila drejtohet nga trajneri Migen Memelli, ka patur ndryshime të mëdha sa i përket organikës, me një numër të konsiderueshëm titullarësh që janë larguar, por edhe me prurje të reja, që pritet të përballojnë pjesëmarrjen në Ligën e Konferencës, por edhe sezonin e ri.