Thursday, April 18, 2024

Vllaznia, vijon përgatitjet europiane. Merkato-Dy largime dhe një afrim në radhët e kuqebluve

Lexo

Kuqeblutë e drejtuar nga trajneri Mirel Josa vijonë përgatitjet për ndeshjen e 21 korrikut, ditë kur do të presin në stadiumin “Loro Boriçi” ekipin rumun Universitatea Kraiova, sfida e parë kjo për turin e dytë të Conferencë League.

Pas seancës së parë të zhvilluar në stadiumin “Loro Boriçi” skuadra është spostuar në periferi të qytetit duke vijuar përgatitjet në kompleksin sportiv Hasaj të Golemit. Seanca këto që po shoqërohen nga dita në ditë me rritje të ngarkesave fizike, të kombinuara edhe me anën teknike dhe taktike.

Sa i përket merkatos, ditët e fundit vijojnë të lakohen emra të shumë futbollistësh që kërkohen të veshin uniformën kuqeblu, por jo të gjithë përfundojnë në tavolinën e zyrtarizimit të firmës me klubin shkodran.

Njëri prej tyre është edhe elbasanasi, Dajan Shehu, futbollist që ka qënë pjesë e Vllaznisë për dy sezone me radhë ku edhe fitoi një Kupe Shqipërie, por më pas preferoi të kalojë te Partizani për sezonin e kaluar prej të cilit u largua në janar duke përfunduar në radhët e Skënderbeut të Korçës.

Nisur nga ajo që gjatë kohës kur luante me Vllazninë e ka bërë mirë detyrën e tij, drejtuesit kuqeblu shfaqën interes për ta rikthyer përsëri në Shkodër, por gjatë bisedimeve, Shehu përfundoi tek Egnatia, ku edhe u informua se ka firmosur. Megjithatë, diçka nuk ka shkuar mirë në bisedat me rrogozhinasit, ndërkohë që lajmi i fundit që del nga brenda klubit Vllaznia, bën të ditur se Dajan Shehu ka mbyllur marrëveshjen me drejtuesit kuqeblu për të luajtur edhe dy sezone të tjera me uniformën kuqeblu.

Ndërkohë, merkato kuqeblu po shoqërohet edhe me largime, ku më të fundit që janë zyrtarizuar edhe nga klubi Vllaznia janë sulmuesi Fahrudin Djurdjeviç dhe mbrojtësi Abdurrahman Fangaj.

Ky i fundit i dalë nga Akademia e Futbollit Vllaznia, karrieren më të suksesshme e pati në radhët e ekipit të Laçit ku edhe fitoi trofe. Rikthimi në Shkodër, edhe pse u shoqërua me shumë bujë, falë edhe një dëmtimi që kaloi, Fangaj nuk u ngjit asnjëherë në nivelin e pritshmërisë së kërkuar nga stafi teknik dhe tifozëria shkodrane.

Ka qënë kjo arsyeja, që aktivizimet e Fangajt me Vllazninë kanë qënë me pikatore gjatë sezonit që lamë pas. Prania e kapitenit Erdenis Gurishta në pozicionin e tij të mbrojtësit të krahut të djathtë, ia vështirësonte hapësirat e aktivizimit edhe për sezonin e ri futbollistik, ndaj vendosi të largohej nga Vllaznia dhe sipas informacionit më të fundit, është Teuta e Durrësit, e cila ka shfaqur interes për të ku edhe pritet të firmosë shumë shpejt.

 

 

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img