Vllaznia e Shkodrës, në cilësinë e fitueses së Kupës së Shqipërisë në fuqi për të dytin edicion me radhë luan sot takimin e parë të turit të parë për Kupën e Shqipërisë në futboll. Ndonëse kemi të bëjmë me dy skuadra në pozita krejt të kundërta, me Vllazninë potenciale të futbollit shqiptar, që me të drejtë është aktualisht në grupin e skuadrave më të mira që kryesojnë kampionatin e Superiores dhe nga ana tjetër një Flamurtar që vitet e fundit ka kaluar një krizë të thellë në rezultate dhe organizim, madje duke zbritur edhe në kategorinë e dytë, tashmë me ringritjen në të parën, duket se ka një tjetër pamje.
Jo vetëm tradita dhe historia që përmban në vetvete Flamurtari, por edhe emrat me peshë të futbollit shqiptar që ka në përbërje, duke nisur nga portjeri Moçka e kapiteni Ribaj, dhe kryesisht shkodranët, Gocaj, Pjeshka, Ramadani, lezhjani Malota dhe të tjerë, ka bërë që tekniku i kuqebluve Mirel Josa ta marrë tepër seriozisht këtë ballafaqim.
Është kjo arsyeja që gjatë të gjithë ditëve përgatitore të kësaj pragndeshje, krahas asaj që është aplikuar në fushën stërvitore, Josa është ndalur edhe në seanca teorike duke i bërë me dije futbollistëve të tij që duhet ta vlerësojnë maksimalisht këtë ndeshje.
Përpos mungesave të detyrueshme me dëmtime, me pjesën tjetër të skuadrës, Josa është përpjekur të harmonizojë formacionin më të mirë duke kërkuar nga futbollistët e tij që çështjen e kualifikimit ta mbyllin që në ndeshjen e parë në Vlorë. Që do të thotë se një rezultat optimal me fitore në këtë ndeshje të parë, t’i japë mundësi atij që në ndeshjen e kthimit që do të luhet në stadiumin “Loro Boriçi” të ketë mundësi t’i japë më shumë minuta lojtarëve të stolit, dhe sidomos atyre të rinjë.
Ndeshja, Flamurtari-Vllaznia, e vlefshme për turin e parë të Kupës së Shqipërisë luhet pasditen e sotme në stadiumin “Flamurtari” duke filluar nga ora 15:00 dhe do të transmetohet live në ekranin e Over Sport dhe Tibo.